SHPËRNDAJE

Nën drejtimin e Xhani Infantinos FIFA po merr iniciativa të mëdha, duke besuar se do të rrisë cilësinë e futbollit dhe numrin e aktiviteteve në përgjithësi. Nisma e fundit ka të bëjë me Botërorin e Klubeve, ku synimet janë ta shndërrojnë të ngjashëm me një Kupë të Botës por këtë herë jo për ekipet nacionale por për klubet më të mëdha e më të fuqishme të planetit. Kështu, sipas mediave spanjolle, FIFA ka vendosur të ndryshojë formatin e organizimit të Botërorit të klubeve. Me formatin e ri, ky event do të zhvillohet çdo 4 vite dhe në të do të marrin pjesë 24 skuadra.

Mes ekipeve pjesëmarrëse, do të jenë ekipet më të mira të 4 vjeçarit, 12 prej të cilave nga Europa, 5 nga Amerika e Jugut dhe nga dy për kontinentet e Azisë, Afrikës dhe Amerikës së Veriut. 24 skuadrat pjesëmarrëse do të ndahen në 8 grupe me nga 3 ekipe, por ka ende dilema në lidhje me kohën kur do të zhvillohet ky event. Opsioni kryesor mbetet muaji qershor, por nuk përjashtohet as dhjetori, siç është aktualisht. Gjithsesi, në takimet e ardhshme të organizmit më të lartë të futbollit në botë, do të marrin formë edhe detajet e këtij kompeticioini. Ideja duket interesante, pasi Botërori i Klubeve shndërrohet kështu si një kampionat që zhvillon fazë të rregullt grupesh dhe kjo do tyë rrisë të ardhuat nga biletat, nga imazhi dhe e drejta televizive.