SHPËRNDAJE

Udhëtimi që e ktheu Fitim Lladrovcin në një nga njerëzit më famëkeq në Ballkan, nisi në tetor 2013-ës, kur ai ishte vetëm 23 vjeç. Futi në xhep kursimet e jetës, rreth 350 dollarë, i tha mirupafshim të shoqes dhe u largua nga Obiliqi, një qytet i ndotur i Kosovës Qendrore.

Në kryeqytet, Prishtinë, ai mori avionin dhe fluturoi drejt Stambollit e më pas, bëri një udhëtim të dytë drejt Hatay-t, një provincë në juglindje të Turqisë.

Më aeroport u takua me një arab të bëshëm me veshje të zezë dhe syze dielli, që e shpuri me makinë në një banesë njëkatëshe, të mbushur me krevate ‘marinarë’, aty ku Lladrovci u befasua kur takoi gjashtë shqiptarë të tjerë.

Dy ishin burra, dy ishin gra, bashkëshortët e të cilave kishin shkuar në Siri një muaj më parë, dhe dy fëmijë, një djalë dy vjeç dhe një vajzë gjashtëmuajshe që qante vazhdimisht.

Ditën tjetër shqiptarët u çuan me makinë në kufi dhe iu tha që të ecnin për disa kilometra në këmbë, derisa ata të arrinin një kolonë autobusësh. Ata hipën në një fugon të bardhë; me ta u bashkuan një grup burrash nga Kaukazi, mjekrat e kuqve të të cilëve i bënin që të dukeshin, kujton Lladrovci, “si luanë”.

Rruga me rërë, që i përngjasonte një peizazhi hënor, bënte që makina të hidhej përpjetë, ndërsa përparonte thellë në territorin sirian.

“Pamja e fshatrave më dukej shumë e bukur. Por gjatë gjithë kohës unë po dridhesha. Çfarë më stresonte më shumë, ishte që të bija në duart e Assad-it”, tha Lladrovci në një intervistë për gazetarin Alexander Clapp për The Economist.

Ai udhëtoi qindra kilometra për të luftuar Bashar al-Assad-in, presidentin sirian që, që në ditët e para të Pranverës Arabe në 2011, shtypi protestat e njerëzve në rrugë. Më vonë ai nisi që të vriste kundërshtarët e tij.

Lladrovci nuk e përfundoi shkollën asnjëherë, as nuk kishte punë. Gjykimi i tij për drejtësinë u formua në moshë të re kur në vitet 1990 shqiptarët u ngritën kundër serbëve dhe me ndihmën e SHBA-së, luftuan për një shtete të pavarur. Kosova, shteti që ata ndërtuan ishte në pjesën më të madhe me popullsi myslimane.

Lladrovci besoi se roli i tij në Siri ishte njësoj si ai i amerikanëve në Kosovë, të shpëtonte njerëzit e shtypur. Ai e përçmon emrin e Assad-it, dhe thotë se “ai është një njeri që nuk di asgjë rreth islamit”.

Rekruti i ri kaloi tri netët e para në një fabrikë në periferi të Aleppo-s, një qytet atëherë i ndarë mes qeverisë dhe forcave rebele. Pas ditësh udhëtimi, ai u ndie i lehtësuar kur pa se dyshemetë ishin të shtruara me dyshekë sfungjeri.

Ai u shtri në një qoshe afër njerëzve të vetëm që mund t’ua kuptonte gjuhën. Në Europë shqiptarët janë të shpërndarë në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Greqi dhe Shqipëri. Në një qytet të shkatërruar në Siri, ata e gjetën vetën të bllokuar këmbë e kokë: “Arabët na vendosën sikur të ishim sardele”, u shpreh ai.

Lladrovci planifikoi që të bashkohej me al-Nusra Front, një degë e al-Qaeda-s e krijuar në 2012, që kishte lidhur aleancë me një grup milicish, islamike dhe jo islamike. Si të gjithë rekrutët, ai dorëzoi kursimet e tij. Në kthim, iu premtua një rrogë prej 115$ në muaj, rrogë e kënaqshme në Kosovë.

Një karvan kamionësh i çoi burrat e regjistruar në një kamp trajnimi në Aleppo. I vendosur në pjesën e pasme të kamionit, Lladrovci pa një hapësirë të madhe terreni të baltosur, të rrethuar nga një gardh me tela të thurur. Brenda ishin goma makinash të radhitura, paralele të larta dhe një poligon qitjeje.

Burrat flinin një shtëpi të madhe me tulla dhe hanin pulë e oriz tri herë në ditë. Dy turq morën detyrën që t’i kthenin ata në një formë të mirë fizike. Disa çeçenë kishin eksperiencë ushtarake, por shumica e vullnetarëve nuk dinin asgjë.

Rekrutëve iu tha që të zgjidhnin nëse donin që të bënin një kurs tre mujor për t’u bërë snajpera ose anëtarë të divizionit të tankeve, ose të bënin një kurs tri javor e më pas të bashkoheshin me një skuadër sulmuese këmbësorësh, që do të lëviznin nëpër territorin sirian me qëllim për ta pushtuar.

Lladrovci zgjodhi opsionin fundit. Ai donte që të përjetonte aksion, sa më shpejt të ishte e mundur. E kalonte mëngjesin në poligon, duke qëlluar me kallashnikovin e tij, duke vrapuar shpejt, e prapë duke qëlluar. Pjesa tjetër e ditës kalohej duke u lutur e duke lexuar botime fetare.

Lladrovci pohoi se ai shkoi në Siri për të shpëtuar civilë të pafajshëm nga masakrimi. Por shumë shpejt e gjeti veten të ngecur në një betejë më të gjerë rreth të ardhmes së islamit. Pyetjet teologjike shtroheshin në fushëbetejë: A ishte e pranueshme që të vrisje besimtarët e tjerë në emër të islamit? A mundet dikush të krijojë një shtet nga udhëzimet e Kuranit?

Lladrovci u bind se vetëm një organizatë kishte përgjigjet e drejta: bashkë me shumicën e rekrutëve shqiptarë, ai denoncoi al-Nusran dhe iu betua për besnikëri Shtetit Islamik.

Lladrovci nuk mund të kuptonte arabisht dhe kishte njohura të pakta të hollësirave teologjike që ndanin sunitët nga shiitët. Por atij iu duk ambicia dhe entuziazmi i Shtetit Islamik (SHI) i thjeshtë dhe tërheqës; nëse ti nuk ishe me Shtetin Islamik, atëherë në shpinën tënde qëndronte një shënjestër.

Grupi kishte perfeksionuar një pamëshirshmëri të denjë për televizion; të burgosur në kafaze, robër që u vihej flaka, vdekje ndaj kujtdo që u dilte përpara.

Në fillim ai iu shmang SHI. Por nga zhurma e disa aleancave dhe përleshjet, atij iu duk Shteti Islamik mjaft bindës. Civilët që masakroheshin nga Shteti Islamik morën atë “çfarë ata kishin për të marrë”.

Lladrovci kaloi një vit në fushëbeteja në Siri përpara se të kthehej në Kosovë. Ai u fut në burg për tri vite, kjo për shkak të gjuhës së urrejtjes dhe jo për bashkëpunimin me SHI.

Pastaj u kthye në Obiliq. Brenga e tij e vetme ishte se u largua direkt nga Siria. “Do të kthehesha që nesër nëse do të mundja”, tha ai. Nga Kosova kanë shkuar drejt Sirisë një numër i madh njerëzish, krahasuar me vendet e tjera.

Sipas The New York Times, nga 2014 deri në 2016, më shumë se 300 persona udhëtuan drejt Sirisë nga një prej vendeve më të varfra të Europës.

Sot Shteti Islamik nuk ekziston si një entitet gjeografik. Por në Kosovë, shteti që Lladrovci e përqesh hapur, ai ende deklaron besnikërinë ndaj kalifatit.

Ai është një nga dhjetëra mijërat njerëz që lanë shtëpinë për t’u bashkuar me Shtetin Islamik. Këta individë përfaqësojnë një problem në rritje dhe të vështirë për qeveritë anembanë botës.

Çfarë duhet bërë me luftëtarët që rikthehen?

Në tetor të 2018-ës, pak muaj pasi Lladrovci u lirua nga burgu, unë shkova në Obiliq, një qytet i mbuluar nga tymi, ku jetojnë 6 mijë frymë, i rrahur nga era. Drejtimi i kësaj të fundit ishte i njëjtë me atë të fabrikës së madhe të qymyrit.

Kur pyeta shoferin rreth banorëve vendas që ishin larguar për xhihad, ai e shau Lladrovcin “qen të sëmurë”.

“Unë humba familjen time në luftën kundër serbëve. Nuk mund të gjesh njeri në këtë vend që nuk ka humbur dikë. Por nuk keni parë njeri nga ne të ikë në Siri e të presë koka njerëzish”.

Lladrovci jeton në fund të një rruge të baltosur, disa qindra metra nga fabrika e qymyrit, në një strukturë të bërë pa nge me tulla dhe plastmas të trashë.

Një tufë pulash ecin nëpër ngastrën e tokës me bar. E gjeta Lladrovcin të përkulur mbi një karrocë dore.

Kur e mësoi se përse isha aty, më tha që kurrë mos të vija ta vizitoja më. Ai nuk donte që të tërhiqte vëmendjen e komshinjve. Ai është i gjatë dhe truplidhur. Të vetmit që treguan emocion ishin sytë e tij.

Ai as nuk të frikësonte, por as të impononte. Më shumë dukej i përndjekur nga përvojat. Përgjatë 6 muajve, unë e takova atë 4 herë dhe fola për gati 10 orë. Ndonjëherë tërbimi shfaqej në shpërthime të befta.

“Ndiej sikur kam nevojë të të qëlloj me thikë”, tha njëherë. Ndërsa herë të tjera, tërbimi i tij zhdukej. Shfaqi interes për nënën time të sëmurë dhe sa herë që takoheshim pyeste për të. Por ngeli mosbesues dhe evaziv.

Kur kërkova të takoja gruan e tij, refuzoi prerë. Sa herë biseda jonë shkonte në çështje tronditëse, ai do të ndalte së foluri dhe do të kollitej.

“Sa njerëz vrave? Kollitje. “A zotëron aktualisht një armë?” Kollitje.

Ai e kalon shumicën e ditës në shtëpi, ndërsa në mbrëmje punon si roje sigurimi në një pavijon spitali për ndihmën e shpejtë në Prishtinë. Qeveria e ka ndaluar atë që të shkojë e të falet në xhaminë lokale.

Në vizitën time të parë, banorë të tjerë të Obiliqit, të kapur midis pakënaqësisë dhe frikës, bënë më të mirën e tyre që t’i qëndronin trillimit se Lladrovci kurrë nuk u kthye më (shoferi i taksisë bëri përjashtim).

Lladrovci e ndjeu veten si të përjashtuar shumë më përpara se të largohej për në Siri. Në 1998, në nisje të luftës së Kosovës, vendlindja e tij Drenica, në qendër të shtetit, ishte një krahinë e flaktë për luftën për pavarësi.

Një nga kujtimet e tij më të hershme janë thirrjet e paramilitarëve serbë, që pushtuan qytetin, mblodhën burrat dhe qëlluan dyzina prej tyre jashtë shkollës fillore. Vëllai i tij më i madh, Mentori u përpoq të fshihej. Por kur serbët shkuan në shtëpinë e tyre, rrethuan Mentorin dhe e qëlluan në kokë me bajonetë.

Trupin ia varën në derën e jashtme dhe e qëlluan me qyta pushkësh, ndërsa ai e shikonte. Që prej atëherë, Mentori nuk eci më.

Gjatë eksodit, familja shkoi më në jug. Udhëtuan gjatë natës nëpër pyje dhe kaluan një lumë aq të ftohtë sa Lladrovci tha se “kurrë nuk ka pushuar së ndjeri të ftohtin në kockat e tij”.

Në Obiliq familja vendosi mos të largohej më e të niste një jetë të re. Duke u rritur, atij i dukej vetja si një refugjat i brendshëm. Për diplomatët dhe punonjësit e OJQ-ve, që u dyndën në Prishtinë pas lufte, shteti më i ri i Europës dukej si një tokë mundësish.

Kryeqyteti u zbukurua me ministri të reja, qendra tregtare dhe një statujë të gjatë 3.35 metra të Bill Clinton-it, shpëtimtari i kosovarëve.

Por në Obiliq asgjë nuk ndryshoi. Njerëzit nxirrnin bukën e gojës, kurse shtëpitë ngelën të rrënuara. Qyteti dhe rrethinat kishin përqindjet më të larta të kancerit në Kosovë, me shumë mundësi për shkak të tymrave të fabrikës.

Lladrovci thotë se e ëma ishte shpesh e sëmurë, kurse i vëllai nuk mund të punonte. Në moshën 12 vjeçare, ai u kthye në siguruesin kryesor të të ardhurave në familje. Bëri punë të ndryshme në ndërtim e shokët thanë se, disa herë edhe vodhi ushqim.

“Mendohej që Obiliqi do të na shpëtonte ne, por realisht na doli ferr”.

Në fillim të vitit 2000, vahabizmi, një rrymë puritane e islamit që promovohej në Arabinë Saudite, gjeti terren në Kosovë. Paratë nga Gjiri nisën të vinin, duke financuar xhami të reja vezulluese me çati bakri të stolisura me instalime kromi, që ngriheshin lart përballë fshatrave të vjetër malorë. Imamët dërgoheshin nga Lindja e Mesme që të mbikqyrnin këto vende adhurimi të Zotit.

Në qytetin e Skënderajt, afër Obiliqit, një shoqatë bamirëse që siguronte ndihmë për jetimët e luftës vendosi një hoxhë konservator. Bashkia shumë shpejt u kthye në një terren pjellor për idetë radikale. Skënderaj ishte një nga qytetet e para, ku vajzat në masë nisën që të mbuloheshin.

Mes tyre ishte një 17 vjeçare që quhej Mihane Baleci. Në 2010, kushëriri i saj takoi Lladrovcin dhe i prezantoi të dy. Brenda tri muajve, Baleci dhe Lladrovci u martuan. Gjatë asaj kohe, Lladrovci nuk dinte thuajse asgjë për islamin.

Gruaja i tregoi atij klerikët radikalë në Youtube. Në pasojat e rrëmujshme të luftës së Irakut, shumë predikues të tillë ndërtuan një interpretim revizionist të rolit të Amerikës në luftën e Kosovës, duke argumentuar se amerikanët e kanë kthyer vendin në një vasal të tyrin, më shumë se sa e kanë shpëtuar atë. Ata pretenduan se ligji sharia do të zgjidhte mosfunksionimin e ligjit dhe burokracinë në Kosovë.

Shumë larg të qenit të pavarur, ata thanë se kosovarët myslimanë nuk e kanë më në duar fatin e tyre. Në 2012, Lladrovci kishte nisur që të diskutonte të tilla ide online në dhomat e chat-eve me emra si al-Sharia dhe al-Jihad. Këto forume dukej sikur i ofronin një arratisje nga përditshmëria dhe një ide orientimi.

Vëllezërit, siç Lladrovci quante njerëzit që komunikonte, kishin pak të përbashkëta, përveç moshës së tyre (shumica ishin në fillim të të 20-ave). Shumë ishin të varfër, disa të pasur.

Disa ishin tanimë në Siri, e disa të tjerë nuk e gjenin dot vendin as në hartë. Ata duket sikur e kuptonin ankthin dhe pavendosmërinë e Lladrovcit. Ata i ofruan një zgjidhje apelit të tij: Kuranin.

Vëllezërit u takuan edhe personalisht, jashtë në një qoshe plot gjethe në një park në Prishtinë. Ishte në një nga ato takime ku nisi jeta e tij e re. Ai kishte marrë një autobus nga Obiliqi, pasi i kishte treguar vetëm gruas se ku do të shkonte.

Vëllezërit uleshin në rreth. Përgjatë të paktën gjashtë sezoneve, grupi debatoi për çështje të domethënies të besimit, duke shkruar mësime të mbajtura mend përgjysmë të marra nga predikimet online.

Por pjesën më të madhe të bisedimeve të tyre e merrte Siria. Konflikti kishte nxitur pyetje me peshë. Si do të dukej një shtet në imazhin e Allahut? Përse Perëndimi kishte ardhur në Kosovë dhe Irak, por jo në Siri?

Për muaj me radhë, ai jetoi një jetë të dytë. Në verën e 2013-ës, pesë nga grupi ishin larguar në kërkim të përgjigjeve. Videot që ata nisnin nga Siria i tregonin duke e kapur botën për fyti. Ata mbanin armë automatike dhe urdhëronin njerëz të bindur në një territor të largët. Në verën e 2013-it, Lladrovci i tha gruas se do të udhëtonte drejt Sirisë, për të ndërtuar një jetë më të mirë për të dy ata.

Lladrovci nuk tregon rreth atij që i organizoi udhëtimin në Lindjen e Mesme. Ai flet per një burre shqiptar me një djalë që quhet Muhamed e që jeton në Zvicër.

Kreu i shërbimit Kundër- Terrorist, Fatos Makolli, ka kaluar gjashtë vjet duke rindërtuar lidhjet që çuan kosovarët në Siri dhe Irak.

Sipas tij, ishin imamët që nxitën njerëzit për xhihad. Një sërë celulash me lidhje me al-Qaeda-n vepruan paralelisht me to.

Shpesh merrnin fonde nga Arabia Saudite. Rekrutuesit në këto celula zgjidhnin burrat më të inatosur, për të cilët ata mendonin se do u bindeshin urdhrave.

“Ishte e qartë se ata nuk ishin të interesuar për myslimanë të devotshëm, por për ata të ndikueshëm”, tha Makolli.

Shumë nga këta djem u thanë prindërve se po shkonin në Gjermani për të gjetur punë. Por, në vend të kësaj, ata blenë bileta avioni për në Turqi.

Kur mbërrinin në Siri, kosovarët e gjetën veten në komandën e Lavdrim Muhaxherit, të njohur si Emiri i Shqiptarëve. Një ish kontraktor me forcat amerikane në Afganistan, Muhaxheri ishte një burrë i mbushur, i cili ngjallte autoritet.

Lladrovci e përshkroi atë si një burrë që dinte se si të komandonte burra të tjerë. Ai i organizonte trupat si mafie, por vetë u përfshi pak në luftime, duke kaluar shumicën e kohës në një pikë të fortifikuar afër Aleppo-s, ku burgoste këdo që vinte në dyshim autoritetin tij.

Biografia kundrathenese e Muhaxherit, një vegël e fuqisë amerikane i kthyer në xhihadist, mishëronte identitetin e politikave të shtrembëruara të Shtetit Islamik, që sapo kishte nisur të ngrihej.

Muhaxheri mblodhi të gjithë shqiptarët nga Ballkani nën komandën e vet. Javë pas jave, ata hëngrën, fjetën, luftuan dhe u lutën bashkë. Por Lladrovci përçmoi etninë e përbashkët.

“Përgjatë gjithë jetës ne u mësuam që të krenoheshim për këtë gjë”, tha ai për identitetin shqiptar. Por ai foli me përbuzje për Kosovën si “tokë jobesimtarësh”.

Ekziston një video propaganduese që quhet “Shpatat vringëlluese” që tregon një grup luftëtarësh nga Ballkani jashtë Aleppo-s.

Ata tregojnë shpatat dhe valëvisin flamuj të zinj. Pastaj kamera ndalet te një grumbull pasaportash, të cilave u vihet flaka. “Këto pasaporta janë tiranët tuaj”, tha Muhaxheri, ndërsa identitetet kombëtare të tyre, shqiptar, maqedonas, kosovar, malazez, boshnjak marrin flakë. “Ne jemi myslimanë! Kalifati është shteti juaj tani”.

Si shumë luftëtarë europianë, Lladrovcit iu dha e drejta për t’u larguar nga Siria për një arsye të vetme: të shkonte e të merrte bashkëshorten e tij. Baleci gjithnjë kishte dashur që të bashkohej me bashkëshortin e saj. Në janar të 2014-ës, Lladrovci u rikthye në Obiliq, ku qëndroi për disa javë. Makolli, duke u informuar për rikthimin e tij, dërgoi agjentët për ta marrë në pyetje.

“Ne e dimë që ti ke qenë në Siri”, i tha njëri prej tyre. Një granatahedhës u zbulua në banesën e Lladrovcit.

“Ishte një armë e vjetër jugosllave që unë e mora që para Sirisë”, u tha atyre Lladrovci plot indinjatë.

Ai u fut në burg për një kohë të shkurtër, e pastaj u lirua me garanci, por nuk u paraqit në gjyq dy ditë më pas.

Gjatë asaj kohe, ai ishte rikthyer në Siri bashkë me bashkëshorten.

“Fitim Lladrovci kurrë nuk duhej që të ishte liruar”, tha Makolli, i cili fajëson burokracinë jofunksionale të Kosovës, që pengoi përpjekjet e tij kundër terrorizmit.

Baleci qëndroi në Manbij, një qytet në veri të Sirisë, që shërbente si fjetore për femrat shqiptare, burrat e të cilëve luftonin në front.

Në fund të majit në 2014-ën, njësia e Lladrovcit u urdhërua që të ndihmonte në marrjen e Deir ez-Zor-it, një provincë e pasur me naftë në kufirin midis Sirisë dhe Irakut.

Kontrollimi i saj do të unifikonte territorin e SHI në të dyja vendet.

Në një pecetë, Lladrovci skicoi për mua planin e sulmit në Abu Hamam, një qytet plot beton e pluhur në bregun lindor të Eufratit.

Banorët e qytetit, anëtarë të fiseve të quajtur al-Shaitat, ishin përforcuar me paramilitarë iranianë.

Njësia e Lladrovcit ishte pjesë e një sulmi që do të kryhej nga tri drejtime. Ai udhëtoi drejt kufirit në një flotë me xhipa dhe kamionçina.

Grupe njerëzish të rreckosur që ishin zhvendosur nga banesat e tyre qëndronin si të mpirë, ndërsa karvani kalonte. Abu Hamam ishte çuditërisht i qetë kur shqiptarët shkuan, përveç disa qenve të rrugës, të cilët i vranë pa humbur kohë.

Qyteti kishte kaluar shpesh në duar të ndryshme gjatë luftës dhe makina të djegura ishin të rreshtuara përgjatë trotuareve.

Por ndërsa shqiptarët përparuan, ata u goditën nga snajpera.

U shpërndanë në grupe të vogla, duke lëvizur shtëpi më shtëpi për të eliminuar mbrojtësit. Ndërsa grupi i Lladrovcit ishte duke hyrë në një nga këto banesa, dy burra me motorë hapën zjarr ndaj tyre me automatikë.

Shqiptarët nxituan brenda dhe gjetën mbrojtje në një furrë tullash në katin e dytë. Bateri në radio nuk kishin, ndihmë nuk mund të kërkonin. Për orë, ata qëndruan të shtrirë në dysheme, duke u thirrur shokëve të mos bënin përpara.

“Kjo ishte hera e vetme në luftë që ndjeva se kisha mbaruar”, kujton Lladrovci. Vetëm më vonë ai mësoi se grupet e tjera ishin vrarë ose larguar.

I bërë akull, në një divan brenda shtëpisë, pa guxim për të lëvizur, Lladrovci mund të shikonte një tufë delesh të shpërndara në një tokë pazot.

Për një moment ai imagjinoi sikur ishte në Obiliq, një qytet i mbushur me dele që kullotnin në çdo anë.

Por kërcitja e një plumbi snajperi e zgjoi atë nga ëndrra. Goditja nuk e kapi për pak, e prapë gërvishti murin, ciflat e të cilës ia hapën një vragë në dorën e djathtë.

Aq keq po humbte gjak Lladrovci, sa mendoi se mund të vdiste. Ai doli vullnetar që të kthehej prapë te komandantët, që po qëndronin në periferi të qytetit dhe u zotua se do t’i bindte që të dërgonin një tank që të tërhiqte zjarrin e armikut.

Shokët e tij hodhën jastëkë në tokë që të amortizonin rrëzimin. Lladrovci kërceu nga dritarja dhe u turr me vrap, ndërsa ndaj tij nuk reshtnin plumbat, që i fishkëllenin nga të gjitha anët. Ia doli që të bindte komandantët që të dërgonin një tank dhe shokët e tij ushtarë u shpëtuan.

Abu Hamam u mor ditën tjetër dhe njerëzit e mbetur u mblodhën. Muhaxheri gjeti një anëtar të fisit, që i shtrënguar e pranoi se kishte vrarë dy shqiptarë me një granatahedhës.

Ai e lidhi të burgosurin në një shtyllë telegrafike dhe më pas u drejtua për nga kamera duke folur një arabishte të thjeshtë.

“Ky burrë vrau dy ushtarë të Shtetit Islamik me një raketë. Lavdi Allahut!”.

Më pas ai u tërhoq rreth 46 metra, e shënjestroi me një mortajë dhe e fshiu të burgosurin. Rreth një muaj më vonë, Abu Bakr al-Baghdadi, lideri i Shtetit Islamik tha se kalifati ishte krijuar.

Kur e pyeta se si ndihej Lladrovci që përzinte njerëz që nuk i kuptonte, nga toka që ai e njihte pak, më korrigjoi: nuk po i përzinte ata, por “po i çlironte”.

Në gusht të 2014-ës, televizioni i Kosovës transmetoi një intervistë me një grua të quajtur Pranvera Zena, që tha se i shoqi dhe fëmija 8 vjeç, Erioni u nisën në një udhëtim në fundjavë dhe kurrë nuk u kthyen.

Në vazhdim, Zena mori një mesazh nga i shoqi, që i tha se ai është bashkuar me Shtetin Islamik dhe Erioni ishte në Siri. Me lot në sy, Zena tregoi foto të Erionit në gjunjë përpara flamurit të zi të Shtetit Islamik.

Qeveria kosovare, akuzoi ajo, dështoi që ta ndihmonte. Ajo iu lot kosovarëve të tjerë në Shtetin Islamik që t’ia sillnin Erionin në shtëpi.

Në po të njëjtën kohë, Lladrovci kishte vënë re një djalë të ri shqiptar që jetonte në një kamp ushtarak afër Rakas, kryeqytetit të kalifatit. Ai kishte mësuar se i ati po luftonte në vijën e parë të frontit në Irak afër Mosulit.

Lladrovci ishte në merak për të, edhe vetë ai kishte humbur shtëpinë kur qe i vogël. Mes luftëtarit të sprovuar dhe Erionit, një fëmije të qetë dhe të frikësuar u krijua një lidhje. Në fillim të vjeshtës, Lladrovci nisi ta çonte Erionin në internet kafe një herë në javë në motoçikletën e tij, kështu që i biri të mund të fliste me të ëmën në Skype.

Shpejt, Lladrovci kontaktoi me xhaxhanë e djalit me një kërkesë: në shkëmbim të 11 mijë dollarëve dhe imunitetit për hetim, ai do ta ridërgonte Erionin në Kosovë.

Ka mundësi që shqetësimi i tij ndaj luftës të ishte rritur. Por mund të ketë pasur një arsye më të fortë që ta shtynte të ikte. Muhaxhiri ishte shndërruar në një maniak. Ai filmonte veten duke ekzekutuar ushtarë të cilët akuzoheshin për spiunim.

Lladrovci ndoshta mund të kishte nisur të konkurronte me të për besnikërinë e rekrutëve shqiptarë dhe mund të jetë torturuar që sfidoi autoritetin e tij.

Kur e pyeta Lladrovcin rreth marrëveshjesh me Muhaxherin, ai përgjigjej turbullt. Erioni i ofroi atij një mënyrë për t’u larguar. Jeta e djaloshit ishte kthyer në një debat të gjerë në Kosovë dhe qeveria gjendej nën presion për ta shpëtuar.

Kryeministri autorizoi një plan që do t’i jepte Lladrovcit imunitet në shkëmbim për aktin humanitar për ta sjellë Erionin në vendlindje. Operacioni qe i rrezikshëm. Autoritetet kosovare duhet që të koordinoheshin me qeverinë turke që ta nxirrnin Lladrovcin, gruan e tij dhe djaloshin nga territori i rrezikshëm.

Lladrovci i trafikoi të tre jashtë Sirisë, përgjatë rrugëve të mbushura plot me refugjatë, “njerëzit më të mjerë që ai kishte parë ndonjëherë”.

Treshja u fut në Gaziantep, një qytet në Turqi, ku ata pritën, duke u treguar paranojakë ndaj kujtdo. Pas pesë ditësh, shërbimet sekrete të Kosovës, i morën ata nga hoteli dhe me avion i sollën në shtëpi. Dy oficerë të maskuar qëndruan në krah tyre gjatë udhëtimit.

Terminali në Prishtinë ishte plot e përlot me policë dhe reporterë. Ndërsa Erioni po dilte nga avioni, nëna e tij vrapoi për ta përqafuar. Në kohën që kamerat u përqendruan në këtë ribashkim të lumtur, shërbimet sekrete me shpejtësi nxorën Lladrovcin dhe bashkëshorten jashtë.

Familja e Erionit tha se nuk ka mëri me Lladrovcin që u bëri shantazh.

“Ne lutëm shumë shqiptarë në Siri që ta sillnin Erionin pas. Madje edhe i kërkuam Lavdrim Muhaxherit. Fitimi (Lladrovci) ishte i vetmi që pranoi’, tha Suad Sadullahi, kushëriri i Erionit.

Dy javë pas mbërritjes së djalit, Sadullahi udhëtoi në Obiliq që t’i jepte Lladrovcit, paratë e premtuara. Kur ata u takuan, Sadullahi nisi ta kuptojë se përse Lladrovci i ishte bashkuar xhihadit.

“Eca në atë shtëpi, hodha sytë në atë familje, varfërinë e pabesueshme të asaj familjeje dhe me kujtohet se i thashë vetes; arsyet e Fitimit për t’u bashkuar me Shtetin Islamik nuk kanë të bëjnë me islamin”.

Brenda disa ditësh nga arratisja e tij, Shteti Islamik i vuri një çmim kokës së ish luftëtarit. Një grup simpatizantësh të Shtetit Islamik e rrethuan në rrugë dhe atij iu desh t’u tregonte pistoletën që t’i shpërndante.

Gjashtë javë pas kthimit, ai u zgjua nga e ëma ndërsa po dremiste në mbasdite. Dyzetë policë kishin rrethuar shtëpinë. Kishin ardhur ta çonin në burg.

Lladrovci beson se autoritetet kosovare nuk iu përmbajtën marrëveshjes për mos ta hetuar. Shërbimet sekrete kanë një histori ndryshe. Menjëherë sapo erdhi, Lladrovci nisi që ta mbushte Facebook-un me kujtime të kohës së tij me Shtetin Islamik, duke përfshirë video me prerje kokash dhe lëvdata për kalifatin. Ai nuk e mohon këtë, por thotë se jeta në Obiliq ishte e mjerë. Atij i mungonte emocioni dhe solidariteti i Shtetit Islamik.

Shumë nga shokët e tij kishin siguruar viza për në BE dhe u larguan nga qyteti në kërkim të një jete më të mirë. Ata që qëndruan, e kishin frikë. Shteti Islamik e donte të vdekur. Lladrovci kurrë nuk do ta pranonte këtë, por ka të ngjarë që ai vetë e stisi arrestimin e tij. Burgu që vendi më i sigurt për të.

Gjatë tre viteve në burg atij iu afruan të burgosur të radikalizuar, të cilët dëshironin që t’i shërbenin kalifatit në Europë. Ai takoi njerëz të përfshirë në komplote të pasuksesshme për ta helmuar ujin e Prishtinës dhe t’i zinin pritë kombëtares së Izraelit që do vinte.

Vazhdoi që të ndiqte lajmet nga Siria dhe mbajti zi ndërsa një nga një, çdo shqiptar që ai njihte, vritej nga bombardimet ajrore. Ai gjithashtu mori vesh se gruaja kishte lindur djalin e tyre.

E vizitonin edhe njerëz të tjerë, gjithashtu. Individë nga ambasadat e huaja që e pyesnin për lidhjet terroriste në Europë apo përse pushkët nga Ballkani u përdorën në masakrën e Bataclan-it në Paris në nëntor të 2015-ës, apo përse xhihadistët nga Shqipëria kalonin detin Adriatik për t’u takuar me mafiozët italianë?

I prangosur në një tavolinë dhe i veshur në kostum portokalli, Lladrovci u përgjigj i indinjuar: “Biri im do të bëhet një kamikaz vetëvrasës i shkëlqyer”.

E prapë, edhe pse kjo vihet në diskutim, mendohet se Lladrovci është një informator i shërbimeve sekrete të Kosovës.

“Si ndryshe mund të lirohej pas vetëm 3 viteve burg”, pyeti një zyrtar kosovar.

Qeveritë nëpër botë përballen me problemin se si mund ta menaxhojnë më së miri kthimin e xhihadistëve, si në rastin e Lladrovcit. Administratat në Lindjen e Mesme nuk kanë burimet e duhura për t’u kujdesur për ta.

Kurse vendet e lindjes së tyre kanë qasje të ndryshme. Shqipëria ka burgosur vetëm rekrutuesit. Suedia nuk ka dënuar asnjë. SHBA i rimerr luftëtarët e SHI-së kur ka të dhëna të mjaftueshme për t’i dënuar sapo të mbërrijnë. Lufta ndaj al-Qaeda është një pikë krahasimi normale.

Anëtarët e Al-Qaedas ishin të rinj, të edukuar me origjinë arabe me moshë në të 20-at. Franca, Gjermania dhe Spanja krijuan mekanizma ligjorë që burgosnin këdo të përfshirë në një sulm.

Legjislacioni i kaluar pas sulmit të 11 shtatorit mundësoi që komplotuesit të burgoseshin minimalisht për 15 vite, mjaftueshëm, sipas idesë që ata të ktheheshin në shoqëri në moshë të mesme, tani më të zbutur.

Por Shteti Islamik nuk është al-Qaeda. Në kulmin e vet kishte 40 mijë luftëtarë nga 80 vende të ndryshme. Ndryshe nga operativët e al-Qaedas, ata nuk i përmbahen një tipi. Përgjithësisht nuk ka të dhëna që i lidhin ata me komplote në vendet e tyre të lindjes.

Arsyeja e vetme që mund të dënohen është anëtarësimi në një grup terrorist. Por kjo është e vështirë që të provohet.

“Vetëm nëse ke këta njerëz që kryejnë mizori në video, në të kundërt është fjala e tyre kundrejt fjalës së dikujt tjetër”, tha Peter Neumann, profesor i studimeve të sigurisë në King’s College, Londër.

Në shumë vende europiane, ky krim nuk sjell një dënim të gjatë. Tanimë, shumë anëtarë të Shtetit Islamik janë liruar nga burgu, krahasuar me ata të al-Qaedas.

Shumë janë ende të rinj e më të xhindosur se sa ishin kur u bashkuan.

Më shumë se 400 persona të klasifikuar si radikalë nga autoritetet franceze, do të lirohen përpara përfundimit të këtij viti.

“SHI i tërhoqi të gjithë këta njerëz në orbitën xhihadiste. I ka brutalizuar, lidhur mes veti, u ka dhënë aftësi të caktuara.

Në 10 vite, madje te brezi i ardhshëm, ky numër i madh njerëzish mundtë riaktivizohen, ose nga SHI ose nga xhihadistë të rinj ndërkombëtarë”.

Janë dy teori për mënyrën se si duhet që të trajtohen xhihadistët që kthehen në shtëpi. E para, deradikalizimi, që përqendrohet në sfidimin e botëkuptimit të tyre.

Radikalë të penduar vizitojnë të burgosurit për t’i bindur ata që të heqin dorë nga qëndrimet e tyre. Kur lirohen, ish të burgosurve u jepen punë për t’i riintegruar në shoqëri.

Strategjia tjetër, mosangazhimi, bazohet në supozimin se sistemi i besimit mund të mos ndryshojë kurrë. Në vend të kësaj, fokusohet në bindjen e njerëzve si Lladrovci që taktikat e tyre janë thjeshtë të kota.

Ish-luftëtarët e SHI mund të lejohen që të tregojnë qëndrime ekstreme. Por duke i vendosur ata në mbikqyrje konstante dhe duke i këputur lidhjet e tyre me ekstremistë të tjerë, skemat e mosangazhimit përpiqen t’ua mohojnë mundësinë që të mund të realizojë objektivat e tyre.

Kur e takova për herë të parë Lladrovcin, ai kishte pak javë në procesin e “mosangazhimit”. Agjentë të maskuar e vëzhgonin atë gjatë gjithë kohës dhe atij iu ndalua të fliste me kontaktet e vjetra.

Prapë, ai me qesëndi me tregonte se sa i zoti ishte në sigurimin e armëve, madje se ia kishte dalë që të futej edhe në dhomat e chat-eve, ku kishte kontaktuar për herë të parë me “vëllezërit”.

Gruaja e tij nuk ishte burgosur, edhe pasi ajo dëshmoi se i kishte shkruar liderit të Shtetit Islamik se ishte gati që të kryente sulm vetëvrasës në Kosovë.

Gjashtë muaj më vonë, kur unë u ktheva në Obiliq, Lladrovci kishte ndryshuar shumë. Duke ecur me kapadaillëk ai më tha: “Nuk jam i armatosur! Mos u shqetëso!”. Nuk shfaqte më shqetësim për të më shtrënguar dorën dhe nuk kundërshtoi cigaret apo muzikën në sfond. Edhe sytë e tij e kishin humbur shumicën e paranojës.

Prapë, vepronte paksa çuditshëm. Kishte marrë zakonin që të tentonte të vriste qentë e rrugës me gurë. Kur luante futboll, ndonjëherë do t’u kërkonte shokëve t’ia pasonin topin duke u treguar një pistoletë, që e mbante në brez. (Shokët e tij këmbëngulin se kjo ishte thjesht një shaka).

Disa nga banorët e tjerë të qytetit duket sikur janë ngrohur me të. Shumë njerëz me të cilët fola donin të largoheshin nga Obiliqi. “Lladrovci iku në Siri për të bërë diçka për veten”, tha dikush.

Aspirata e tij konsiderohej si diçka e falshme, njësoj si ata njerëz që kishin ikur në Europën Perëndimore në kërkim të punës, ndërsa ai admirohej që kishte sjellë Erionin në shtëpi.

Komuniteti i qëndronte afër, duke parë për targa shtetërore apo për njerëz me mjekra të panjohur.

Ndërsa po ecnim në rrugën kryesore, një makinë i ra borisë për Lladrovcin. Ai drejtoi gishtin tregues në qiell, në një përshëndetje për Shtetin Islamik. Shoferi bëri të njëjtën gjë. “Mosangazhimi” e ktheu atë në një lloj personazhi popullor dhe Lladrovci e përqafoi rolin.

Kur unë e pyeta prapë nëse kishte ndonjë brengë, ai nënqeshi: “Kalifatit ende nuk i ka ardhur fundi”.

Shërbimet sekrete e kanë pasur të vështirë që të kuptojnë paradokset e një njeriu që më në fund duket se gjendet në shtëpi, edhe pse ka mall të rikthehet në Siri.

“A mendoj unë se nostalgjia që ai ka për Shtetin Islamik është e sinqertë? Jo”, tha Makolli.

“Por, a mendoj unë se Fitimi është i rrezikshëm? Po”. (Që prej takimit të fundit me mua, Lladrovci është vendosur në arrest shtëpie).

Në vizitën time në Obiliq, unë i telefonova Lladrovcit. Në vend të tij, ishte e shoqja që e ngriti telefonin.

“Unë e di se kush je. E di për takimet e tua me Fitimin. Dhe unë betohem që nëse e kontakton më edhe një herë tjetër, për Allah ti nuk do të ecësh kurrë më”, më tha ajo.