SHPËRNDAJE

Propozimi për ndryshimin e ligjit mbi rendin dhe qetësinë publike nuk fitoi mbështetje nga shumica e deputetëve në Parlamentin e Malit të Zi. Për ndryshimin e ligjit votuan 40 deputetë dhe nuk u arrit të fitohet shumica e mjaftueshme të 41 deputetëve.

Kësisoj përkundër vetëreklamimit të shtuar të liderëve “Shqiptarët të Vendosur” për avancimin e të drejtave kombëtare, megjithatë flamuri do të mbetet i ndaluar në Mal të Zi.

Kjo sinjalizon se përfaqësuesit shqiptarë nuk janë të aftë të përballen me politikën komplekse dhe hileqare të pushtetit të Malit të Zi. Nuk janë të gatshëm ti mbrojnë të drejtat e popullit të vet, qoftë edhe me tërheqjen nga bashkëqeverisja shtetërore, që do të ishte një veprim i domosdoshëm moral.
Kompromisi i tyre po bëhet fatal për të ardhmen e shqiptarëve në Mal të Zi. Kjo sepse në dilemën mes postit apo avancimit të të drejtave dhe lirive kombëtare, përfaqësuesit shqiptarë përcaktohen për atë të parën.
Si pasojë e kësaj papërgjegjshmërie po rriten postet e shqiptarëve në Podgoricën zyrtare prej ministrit, zëvendësministrave , drejtorëve, zëvendësdrejtorëve e deri te këshilltarët në të gjitha institucionet shtetërore, por në anën tjetër po rrudhën gjithnjë e më shumë të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Mal të Zi.