SHPËRNDAJE

Iku nga Gjilani e u gjet në Ferizaj – por pa vetëdije. Kështu i ndodhi një 30 vjeçari që humbi një shumë të madhe të parave, dhe pa zgjidhje tjetër, u largua kah mundi; E familja e raportoi si të zhdukur.

Pa e lajmëruar askënd e braktisi vendin e punës dhe u nis në drejtim të pa përcaktuar.

“Kam dashtë veç me u largu prej aty. I kam lënë krejt çelë ashtu, me lokale me krejt”, thotë ai për Klan Kosovën.

Ikjen gjilanasi e kujtoi si zgjidhjen e vetme të atypëratyshme kur kompanisë së basteve ku vetë punonte iu humbi 10 mijë euro.

Për dy ditë thotë se u soll rrugëve të Ferizajt si i humbur për tu gjetur më pas pa ndjenja nga qytetarët pasditen e së premtes.

Në ndërkohë në Gjilan familjarët e raportuan në polici si të zhdukur.

“M’ka ra të fikët. Kam pasë problem me zemër. Kanë lajmëruar qytetarët dikush. M’ka gjet policia, e kanë thirr ambulancën edhe më kanë çu në spital”, thotë ai.

Krejt problemi nisi kur për tu larë nga një situatë 30 vjeçari u zhduk thellë e më thellë.

Siç rrëfen vetë protagonisti i cili këmbëngul në anonimitet, një shok i tij që luante online po akuzohej nga shefat se i ka borxh bastores sportive.

Kështu nga 700 u bënë 10 mijë euro të humbura në mënyrë elektronike.

Kjo pasi siç thotë ky, për ta nxjerrë tjetrin nga situata ai iu fut vetë basteve live në futboll.

Pas humbjes ai kujtoi se nuk do të mund t’i bëjë ballë presionit.

‘Ndoshta kisha bo edhe vetëvrasje. Aty mendja më ka shku”, shpjegon ai.

Sipas tij pronari i bastores nuk e ka denoncuar derisa është shqetësuar kur ka marrë vesh për zhdukjen e tij.

Ndërkohë policia e ka cilësuar rastin si “gjetje të personit të zhdukur”.