SHPËRNDAJE

Fondacioni arsimor, kulturor e humanitar “Alternativa e së Ardhmes” (ALSAR), me seli në Tiranë, i drejtuar nga kryetari Mehdi Gurra, gjithnjë, po përmendet për veprimtarinë e saj shumëdimensionale.
Një fondacion si ky ALSAR-i, që ka karakter arsimor, kulturor dhe humanitar, s’ka se si të mos kujtohet për qindra projekte në ndihmë fëmijëve jetimë, skamnorëve, të pastrehëve, të sëmurëve, të moshuarve, studentëve me bursa inkurajuese, nxënësve me çanta e materiale shkollore, për organizimin e konferencave shkencore, pastaj promovime librash e veprimtari të tjera me interes shoqërorë, kombëtar e fetar.

Fondacioni ALSAR, kohëve të fundit, në bashkëpunim me Bashkësinë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë (BIPBM), ka zgjatur dorën e bamirësisë edhe për popullin e shumëvuajtur shqiptar të Luginës së Preshevës e më gjerë, duke e ndihmuar me projekte bujqësore si dhe donacione me materiale shkollore.

Këtë vit për dallim nga viti i kaluar, përmes donacionit nga organizata IHH nga Holanda, në një aksion të përbashkët midis përfaqësuesve të Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjës (BIPMB) dhe përfaqësuesve të Fondacionit Alternativa e së Ardhmes “ALSAR”, nga Shqipëria, u bë shpërndarja e materialit shkollor: çanta, fletore, stilolapsa, vizore etj, nëpër shkollat fillore të Komunës së Bujanocit, Novi Pazarit dhe Novi Sadit.
Fjalë miradije dhe përshëndetëse dha sekretari gjeneral i Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, prof. Refik Memeti i cili theksoi se tashmë, këto tri institucione, e kanë trasuar rrugën e bashkëpunimit të ndërsjellë duke i ofruar Luginës së Preshevës dhe trevave tjera ku jetojnë muslimanët, donacione dhe projekte me vlerë dhe shumë të dobishme për popullatën muslimane.
Memeti më tej theksoi se donacioni përfshin gjithsejt 1400 çanta dhe po aq materiale shkollore, nga të cilat 900 sosh u shpërndanë në Komunën e Bujanocit, 200 në Novi Pazar dhe 300 në Novi Sad.
Ky donacion ishte i mirëpritur nga nxënësit dhe drejtorët e shkollave, të cilët me kënaqësi i pranuan dhuratat, duke i falënderuar nga zemra për mirësinë që kanë treguar në drejtim të këtyre ndihmave shumë të nevojshme për procesin arsimor.
Lidhur me këtë donacion Selami Yüksel sekretar i organizatës IHH nga Holanda, u shpreh se kjo organizatë e themeluar, që nga viti 1993 e këndej ka shpërndarë ndihma tek familjet në nevojë nga viset ballkanike, duke shtrirë aktivitetin nga viti i kaluar me të njëjtin vizion edhe në Luginë të Preshevës.
Po ashtu, këtë donacion të mirëseardhur për banorët e Luginës së Preshevës, e përshëndeti kryetari i KBI-së të BIPBM në Bujanoc, prof. Sedat ef. Beqiri, i cili uroj që në të ardhmen të shpeshtohen donacionet.(presheva.com)