SHPËRNDAJE

Siç dihet, Kosova nuk i ka punët aspak mirë me prodhimtari. Se për prodhime teknologjike, as që vjen në konsideratë vendi ynë. Mirëpo, gjithnjë thuhet se Kosova është vend i mundësive të mëdha. Mbase kjo edhe mund të jetë e vërtetë. Kjo pasi kosovarët kanë dëshmuar edhe njëherë se pak me deshtë, por normalisht me i pas disa mundësi e kushte të volitshme për të punuar, mund të prodhojnë çkado që u bie ndërmend, edhe atë pa pikë problemi.
Këtë e konfirmon fakti se katër vëllezërve Beqiri nga Kaçandolli i Vushtrrisë u kishte shkuar mendja për ta ndërtuar një bolid të Formulës. Kështu, ata e kishin nis punën, të cilën pas një kohe e kishin kryer me shumë sukses. “Jemi kthyer nga Gjermania për të punuar gjëra të tilla. Kishim nevojë për ta dëshmuar talentin, dhe thamë: ‘a e bëjmë një Formulë, e bëjmë’. Ia nisëm punës dhe e kryem me sukses. Pastaj, atë Formulë, të cilën e punuam krejtësisht me dorë, e shitëm 10 mijë euro”, tregon për gazetën Arena, kreatori, Esat Beqiri.
Por, Esati dhe vëllezërit e tij – Xhaviti, Nexhati e Dritoni – i kishin rënë pishman që e kishin shitur atë. Andaj, kishin vendos ta konstruktonin edhe një Formulë tjetër, madje edhe më të mirë, të cilën nuk e kanë ndërmend ta shesin.
“Formulën e parë kemi bërë gjashtë muaj deri e kemi kompletuar. Ajo ishte e bardhë. Kurse, këtë të dytën, me ngjyrë të zezë e kemi kryer brenda katër muajve. Por, të sqaroj se nuk kemi punuar vazhdimisht në to, por kohë pas kohe. Formulën e zezë kemi mundur ta shesim 20 mijë euro, por nuk kemi pranuar. Po e mbajmë për veti”, tregoi Esati.
“Ne kemi investuar 8 mijë euro derisa e kemi punuar Formulën e bardhë, të cilën e kemi shitur 10 mijë euro. Kurse, në Formulën e zezë, të cilën po e mbajmë për veti kemi investuar 11 mijë euro”, u shpreh ai.

Si i konstruktuan Formulat?

Derisa nëpër shtete shumë të zhvilluara përpilohen projekte të shtrenjta për konstruktimin e një Formule – madje me mjete shumë të përsosura pune – në Kosovë, me mjete primitive, katër vëllezërit Beqiri i kanë konstruktuar dy bolide të Formulës. Krejt atë punë e kanë bërë vetëm me dorë, por në fund mundi i tyre u shndërrua në ‘kryevepër’, pavarësisht faktit se Formulat e tyre nuk e ka shpejtësinë e atyre garave shumë prestigjioze ndërkombëtare.
“Të dyja ato Formula i kemi kryer vetëm me punë-dore, me mjete primitive. Edhe dizajnin ia kemi bërë ne. Madje, janë Formula unike, sepse dizajnin ia kemi bërë të përshtatshëm për rrugët e Kosovës, pra për të mos prekë në tokë, shkaku i gropave”, tha Esat Beqiri, i cili me profesion është arkitekt, por që ka talent të jashtëzakonshëm në skulpturë.
“E kemi blerë metalin e karaserisë, që është 2 centimetra. Motorët që ia kemi montuar janë të Volkswagenit (Fave), kurse janë nga 3 mijë kuaj fuqi. Kemi mundur t’i bëjmë edhe me më shumë kuaj fuqi, por ka mjaftuar kaq, sepse i kemi bërë për qejfi. Por, nëse dikush e porosit ndonjë me më shumë kuaj fuqi, pa problem mund t’ia bëjmë. Lënda djegëse e tyre është benzinë”, shtoi ai.
“Fellnet ua kemi blerë, kurse njëra Formulë i ka gomat e Mercedesit, asi të gjëra, kurse tjetrës Formulë ia kemi vënë gomat tamam të Formulës, të cilat i kemi sjell nga Suedia, sepse në Kosovë nuk ka asi goma. Formula e bardhë peshon 800 kg, kurse e zeza 1200 kg”, shpjegon Esati.

Formula e zezë shkon 180 km/h

E mira e këtyre dy Formulave është se ato nuk janë vetëm për dekor, por edhe mund të voziten pa problem. “Formula e bardhë ka shpejtësi deri në 120 km/h, kurse e zeza deri 180 km/h. Formulën e bardhë të cilën e kemi shitur nuk po vozitet, sepse është e vendosur për dekor në një kafeteri nga pronari i saj, kurse Formulën e zezë, timen, po e voziti nganjëherë, sidomos verës. Kur e shohin njerëzit u duket shumë interesante. Pastaj, ma kanë kërkuar njerëz të ndryshëm për dasma, nëpër restorante, por nuk e jepi ashtu, sepse e kam për qejfi”, nënvizoi Esati.

Një foto para Formulës!

‘Smile Group Morena’ tani është pronare e Formulës së bardhë, të cilën e kishte blerë nga punë-kryesit, vëllezërit Beqiri. Ajo Formulë tani është e ekspozuar në këtë ‘caffe-bar’ në Vushtrri. Përfaqësuesi i saj, Jeton Mehmeti i ka thënë Arenës se mysafirët e tij mahniten kur e shohin Formulën e ekspozuar në ‘Morenë’. Madje, ai ka treguar se shumë mysafirë e shfrytëzojnë rastin për të bërë foto para Formulës, e prodhuar në Kosovë.

Çka shohin me sy, e bëjnë me dorë!

Dy Formulat nuk janë të vetmet që i kanë punuar me duart e tyre katër vëllezërit Beqiri. Ata, të udhëhequr nga Esati, i cili me profesion është arkitekt, deri më tani kanë punuar edhe shumë gjëra tjera të ndryshme, skulpturore, shumë interesante. Vëllezërit Beqiri kanë ditur të bëjnë çmos, duke filluar nga macja, breshka, kali, shqiponja, e madje edhe njeriun kanë ditur të bëjnë, e shumë gjëra tjera. Ata punojnë shumë edhe me restaurante e kafeteri, të cilat kur rinovohen, e ndryshojnë tërësisht pamjen, falë punës së këtyre vëllezërve. “Nuk ka shans me bë skulpturë, me arkitekturë. Unë e bëjë, kam talent. Andaj, jemi kthyer nga Gjermania për të punuar gjëra të tilla. Tani punojmë shumë. Marrim shumë porosi, nga më të ndryshmet. Shumë njerëz na përzgjedhin neve për t’ua rregulluar kafeteritë apo restaurantet. Kurse, në shenjë mirënjohje, ne ua kryejmë me shumë përkushtim punën. Te secili bëjmë punë unike, e jo njëjtë ‘si aty si këtu’. Besoj se kjo është arsyeja që punojmë shumë”, tha Esati. “E bëjmë punën me qejf, andaj e kryejmë mirë. Kam shumë gjëra në shtëpi që i kemi punuar, krejtësisht me dorë”, përfundoi ai. (Arena)