SHPËRNDAJE

çdo shqiptar që e ka ngritur grushtin kundër robërisë sllave, kush më parë e kush më vonë, ka luajtur me kokën e vet. Shumica, nëse s’ kanë qenë të ndjekur nga udbashët serbë apo maqedonas, kanë qenë të ndjekur e të përbuzur e të ofenduar nga udbashët shqiptarë.
Në listën e zotrote, përpos tjerash, shquante edhe një pyetje mbi vdekjen. Jo nga ajo që na vjen prej të Madhit Zot, por nga ajo që na ka ndjekur me shekuj, na ka torturuar e na ka vrarë vetëm e vetëm pse qëlluar shqiptarë. Ndonëse e padukshme në ambientin e ftohtë suedez, Udba kishte lëshuar rrënjë nëpër të gjitha kafenetë, restorantet e shoqatat malmoite dhe, sipas urdhërave që kishte nga Beogradi, e zhvillonte veprimtarinë e saj nën hije. Pa iu rënë në sy qytetarëve jugosllavë apo suedezë. Do të shkonin shumë vite deri sa të dilte mbi sipërfaqe dhe do ta shqyente ndonjë disident kroat apo slloven. Unë, për vete, do të njihesha me bashkpunëtorët e saj në agun e vitit 1975, menjëherë pas vrasjes së xhaxhi Tares. 
Ishte dhjetor dhe s’ na kishin mbetur veçse dy tri ditë deri sa të iknim për pushime të Krishtlindjeve. Ditët ishin të shkurtëra, ndërsa orët e mësimit ishin të gjata e të mërzitshme. Çdo ditë, që nga orët e para të mësimit, fëmijët shkonin në sallën e muzikës dhe ushtronin pjesët që do të çfaqeshin në fund të semestrit vjeshtor. Ishin të pakët ata arsimtarë që zhvillonin ndonjë temë tjetër pos mizorive të mbretit Herod dhe rrethanave kur do të lindej Jezu Krishti. Të gjithë e prisnin çfaqjen e ditës së premte, që t’i mblidhnin plaçkat dhe t’ iu bashkangjiteshin familjeve të tyre.
Memzi prisja të vinte dita e premte. Më në fund do t’ ikja larg, shumë larg, asaj rrafshire të flamosur dhe do të shtrihesha n’ atë dhomën e madhe, ku dikur flinte Margarita, studentja e bukur nga Geteborgu, dhe do t’ i fiksoja mështeknat e veshura me borë, pa e vrarë kokën për intrigat që gatuante Safet Plluqka në Malme. Isha lodhur nga ai njeri që shitej student e atdhetar pa e hapur kurrë një libër në gjuhën shqipe dhe pa e sakrifikuar as një morr për vendlindjen e tij. Ai e dinte mirë që asnjëri nga shqiptarët s’ e donte Behxhetin apo Fahredinin, atë pianecin e palodhur nga Gostivari, por s’ kishte guxim ta përzente se e lidhnin ca fije të padukshme me të. Cilit prej nesh i shkonte ndër mend se Fahredin Açikgjozi kishte qenë i martuar me dajeshën e tij dhe kishte një djalë me të në Turqi. Ajo që Fahredini tani jetonte me Zarifen, një boshnjake nga Tuzlla, s’ kishte rëndësi. Kryesorja ishte se ai, pas ardhjes në Malme, ishte shndërruar në pijanec dhe, sa herë që i kujtohej bashkshortja e dikurshme, donte të rrihej me botën.
Kish kohë që s’ e kisha takuar Selimin. Pas vrasjes së xhaxhi Tares, midis nesh, ”kosovarëve”, dhe “emigrantëve” të Shqipërisë ishte hapur një jaz i thellë. Ne ishim shqiptarë, flisnim të njejtën gjuhë dhe i faleshim të njejtit flamur, por s’ i zenim besë njëri tjetrit. Në fillim, deri sa s’ njiheshim mire, ata ishin “shqiptarë”, ne ishim “kosovarë”, ndërsa tani që e vranë xhaxhi Taren, ne u bëmë “jugosllavë” ndërsa shqiptarët u tjetërsuan në “emigrantë”. Ata s’ kishin besë, se të vrisnin prapa shpine.Pa marrë parasysh si e quanin veten – Shaban, Demush, Emro, Ditar apo Hysen – dhe pa marrë parasysh se ca prej tyre ishin zogistë e ca ballistë, ata s’ mundeshin të jenë burra të mirë, se s’ distancoheshin nga dhuna. Përderisa ia kishin kthyer shpinën Shqipërisë dhe ishin lidhur me Shkaun, ata ishin veçse tradhtarë dhe mire ua bënte Enver Hoxha që i ndiqte si lepujt. Këto paragjykime nuk artikulloheshin hapur, por natë për natë përtypeshin dhe shumëzoheshin me lejthia e çaj rusi. Të gjitha përpjekjet tona që ta zbutnim atë keqkuptim dështuan me turp. Opinioni i përgjithshëm ishte: emigrantët s’ janë burra të mirë, se të vrasin në prag të shtëpisë.
I vetmi njeri që s’ i përshtatej atij tarafi ishte – Selimi. Selim Brahaj ishte i lidhur me neve dhe mirte pjesë në çdo kremtim që organizohej në Rusengord. Ndryshe nga “kosovarët” tjerë, unë shkoja rregullisht në Shqipëri dhe kisha parë thuajse të gjitha “mrekullitë e saj”. Që nga Fabrika e telave të bakrit në Shkodër e deri te Uji i Kaltër në Sarandë. Mbresat që kisha marrë me vedi ishin skandaloze, por si përkrahësit e Legalitetit, ashtu dhe ata të Ballit, më dëgjonin me një doze të theksuar dyshimi. Qysh ishte e mundur që unë, anëtari i Shoqatës Shqipëri – Suedi, guxoja të flisja aq keq për Shqipërinë dhe ata më lenin të hyja e të dilja nga kufijt e saj pa më hyrë asnjë ferrë në këmbë? Kjo mbase ishte e mundur, po dhe s’ ishte e mundur.Selimi, nga ana tjetër, edhe atëbotë kur i kritikoja grekafonet e Enver Hoxhës, më kundërvihej me vendosmëri dhe shpesh herë e mallkonte ditën kur kishte ikur nga Shqipëria.
“ Isha mendjekrisur,” më thonte. ” Se ta kisha mendjen e sotit, më parë do ta vrisja veten, se do t’ ikja në Perendim. Ç’ fitova se dola në Jugosllavi? Asgjë. Nga shqiptari u bëra ”jugosllav” dhe mora në qafë gruan dhe fëmijët e mi… Po të mundesha, nesër do të kthehesha në Shqipëri, paçka se asnjëri nga fëmijët s’ do vinte me mua. E di fort mirë se atje s’ ka bukë, s’ ka zyra të Mirëqenies Sociale, s’ ka programe televizive, s’ ka automate, por ka dru dhe mjer ai që e shkel ligjin. Për ate është Savra, Burreli…”  
Sa herë që bisedonim për Shqipërinë ai e lëshonte një psherëtimë të thellë nga gjokësi dhe fliste me veten.
” Eh, more baca Enver!.. Ika prej teje  dhe gjeta belanë,” rënkonte Selimi. ”Janë mallkimet e tua që më kanë sjellë këtu.  Të rrija atje ku isha, njëmend s’ do kisha bukë për të ngrënë, por fytyrën do ta kisha të bardhë dhe s’ do më hiqte për hunde secila prostitutë e punësuar në Zyrën e Mirëqenies Sociale.”
Tani edhe vetë kishte rënë në gropë. Atij i kishte hyrë në gjak një sëmundje e rëndë për të luajtur n’ automate dhe, në vend se t’ ia dorëzonte Xhevaires lekët që ishin për bukë e veshmbathje, të gjitha i lente në një birucë që ishte hapur pranë restorantit ”Golden Rose”. Kjo gjë e kishte thelluar konfliktin familjar. Tani asnjëri nga djemt nuk donte të dinte për te apo Xhevairen. Asaj i dhimbsej Selimi i ngratë, por djemt e urrenin. Për të qenë tragjedia edhe më e madhe, ai s’ e mohonte fajin e tij dhe për çdo ditë i premtonte Xhevaires që s’ do të hynte n’ atë kafene të mallkuar, por sapo i shihte ato borronicat e kaltra, ato zilet e kuqe dhe ata xholat që jepnin para, s’ mundej të kalonte “pa e provuar fatin”.
Pak pas orës tre, pasi i përcolla fëmijët deri në oborr dhe mora çantën me vedi, ngjita shkallët që çonin te dera e familjes Brahaj. S’ e pash të nevojshme t’ i paralajmëroj se banesa e tyre ishte pranë shkollës dhe, nëse s’ i gjeja brenda, mundesha të iki te shtëpia. Ç’ është e drejta, unë isha kurioz të dëgjoja mendimin e Selimit rreth vrasjes së xhaxhi Tares. Gjatë tri ditëve që plaku endej nëpër Qendrën e Rusengordit unë e kisha parë Selimin disa herë duke biseduar me Saliun.
Të dytë më pritën me lotë në sy.Xhevairja dhe Selimi.Ata ishin jashtzakonisht të pikëlluar për vrasjen e atij plaku që ishte burrë i gjatë i pashëm dhe shumë, shumë, i fisëm.Pak hallet e tyre të përditshme, pak zënkat me eprorët e Mirëqenie Sociale, pak sëmundja e Selimit, veç duhej edhe një vrasje e mallkuar që t’ i lente me netë të tëra pa gjumë.
“ Ç’ kemi, përndryshe,” e pyeta Xhevairën duke e zhveshur xhupin. ” Si janë djemat? A po dëgjoheni me Ganiun e Avdiun?”
” Po, more, po dëgjohemi, po dëgjohemi,” tha Xhevairja dhe u shkreh në vaj. E kuptova që s’ ishin dëgjuar, por asaj i vinte turp të ma thonte të vërtetën.
Selimi brofi nga kolltuku dhe më mori në gryk.
” Na harrove,” tha me zë të përgjumur.”A je burrë, si je?Si e ke familjen?”
“ Mirë, falemnderit,” i thash dhe shtova: “ Për besë, disa here kam dashur të vi e të rri me juve, po ra vdekja e atij të gjorit dhe e harruam njëri tjetrin. As kisha kohë t’ ju telefonoj, as kisha kohë të ju kërkoj falje. Fundja, ça t’ ju bija në qafë, kur keni pesëfish halle më tepër se unë?”
Selimi e çori faqen me gishta.
” Aman, o vëlla, mos na kujto atë plagë, se duhet të hyjmë në dhe,” më luti. “ Ra ajo vrasje dhe e koritëm Shqipërinë. Beso që s’ po kam zemër të dal në rrugë. Si s’ e mbajti dorën Asllani, që iu thaftë jarabi!..”
Ai ma zgjati kutinë dhe fshiu sytë me dorë. Përpiqej t’ i gjente fjalët, ato më të mirat, më të drejtat, po s’ i kapte dot. Ai njihej me familjen Brisku dhe kishte respekt të madh për Sylejman efendiun.
” S’ di a të ka rënë në sy, po kam bërë çmos të flisja me Gashët,” shtoi Selimi. ”Jo vetëm me të ndjerin, që ishte zotëri burrë, po dhe me Asllanin, që e kam njohur nga Jugosllavia. Dëgjo Selimin! Më parë i vras të pesë djemt që kam, se ta them një gënjeshtër. Sapo kam marrë vesh që ai rahmetliu gjendej në Malme, kam dalë në Qendër dhe i kam thënë Saliur: “O, burra! Merreni plakun dhe shkoni te Sylejman efendiu, se është burrë i respektuar. Uluni sëbashku dhe shkoklone këtë punë, se Asllani është pezmatuar keq dhe duhet zbutur pak. Mjerisht, Saliu zgërdhihej si shurdhajkë dhe shtirej si engjull. Harronte që ai dhe Musai dilnin nëpër shoqata jugosllave dhe ngjisheshin me shkina. Dhe sikur t’ ishte pak, ai e ndërsente tjetrin ta rrihte dhe ta ofendonte të shoqen në sytë e botës. E ti, o vëlla, e di se ndera ka një çmim. Ne, malësorët, jemi rritur me Kanunin e Lekës dhe nderin e mbajmë në krye të vendit. Ashtu na kanë mësuar të parët.”
Ate e dija edhe unë, po më pak se Selimi. 
” Kërkoj ndjesë, bac, po ata ishin lënë me njëri tjetrin. Të paktën ashtu e di unë,” i thash.
” Ishin lënë dhe s’ ishin lënë,” më korrigjoi zoti i shtëpisë. “ Sikur t’ ishte si thua ti, edhe unë do të ndahesha nga Xhevairja, por në mesin tonë kanë qëlluar do fëmij. S’ ka lidhje numri. Përderisa s’ egziston asnjë dokument se kujt i takon ai djalë, ndarja s’ quhej ligjore. Si njëra palë, ashtu dhe tjetra, po thirren se çuni është i saji, por  e keqja është se ai djalë është tepër i vogël për ta thënë fjalën e vet,  ndërsa palët po thirren në dy ligje: Asllani në Ligjin Suedez, Kryezinjtë në Kanunin e Lekës. Ec e meri vesh këto punë! Qysh të them Selimi?Ne, shqiptarët, jemi mizorë.Si të mençurit, ashtu dhe budallenjtë, e djegim jorganin për një plesht.Mos e gënje veten se ne, emigrantët e Shqipërisë, jemi më të mirë apo më të këqinj se ju.”
” Ka gjasa që ke të drejtë,” i thash. ” Sikur ta kisha studjuar drejtësinë, do ta gjenim një gjuhë të përbashkët, por unë jam një mësues dhe s’ jam në pozitë të jap mendime.”
” Kjo s’ ka rëndësi,” ma ktheu Selimi. ”Kanuni i Lek Dukagjinit thotë: ”Del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit. Në kandar të vet secili peshon katërqind derhem.” Tani që m’ ke ardhur në shtepi, duhet të flas sinqerisht. Ne jemi një popull dhe ajo që na ndanë ëshë poaq e trashë sa dhe lëkura e qepës. Ne që jemi rritur në Shqipëri e kemi një të mirë: jemi më mizorë, se na ka shëmtuar jeta, na kanë egërsuar regjimet totalitare. Ju që jeni rritur larg Shqipërisë, jeni më të butë se ju ka zbukuruar etja për liri. Ca prej jush e keni ruajtur dashurinë për neve, të tjerët jo. Në tarafin e këtyre të fundit hyjnë ata që po e quajnë veten “punëtorë të inkuadruar përkohësisht jasht vendlindjes” dhe të cilët s’ janë tjetër pos spiuj të regjimit jugosllav.”
“ Ajo s’ vlen për të gjithë, ” i thash dhe, me ta pirë kafen, kërkova leje të iki. “ Mos ma merni për të madhe, po erdha vetëm e vetëm për t’ ju përshëndetur, se ditën e premte udhëtoj për Uppsalë.Edhe pse s’ është zakon t’ ju uroj para kohe, lus Zotin t’ ju qerasë me një vit më të mbarë.”
“ Edhe ne t’ urojmë shëndet e mbarësi,” tha Selimi duke e veshur xhupin e tij. “Po dal edhe unë, se u kalba në shtëpi.”
Përjashta bënte mot i mirë dhe nëpër lëndinën e lagur nga shiu shëtisnin ardhacakët e rinj.Pak më tutje, përtej çerdhes së fëmijve, vezullonte një diell i zbehtë, i mbuluar me një perde resh të murrme.Selimi më kishte zënë nën sjetull.
“ Dua ta shtroj një pyetje,” tha ai.
“ Veç urdhëro e shtroe,” i thash.
“ Ti s’ je nga ata që po e quajnë veten “punëtorë të inkuadruar jasht atdheut,” tha ai. “ Ke menduar pak për veten apo po endesh si n’ Aradost? Çdo njeri që ka pak mend e mbanë një armë në xhep. Aq më tepër ti, që po merresh me të burgosur politikë, shoqata, etjera, etjera. Pse s’ kërkon leje nga Policia?”
“ S’ kam nevojë për armë, o bac,” i thash qetë-qetë. “ Ne po jetojmë në Suedi dhe Suedia është shtet demokratik. Këtu s’ të vret njeri pa patur shkaqe.”
“ Mos i thuaj kujt, se të quan abdall,” tha ai. “Ty po të përcjellin edhe ata të Titos, edhe ata të Enverit. Po kujton zotrote se këta zvarranikët që po të qerasin me kafe janë burra të mirë?… Harroe atë punë!…Ti po përpiqesh t’ i bësh me shoqatë, po ata s’ janë burra që ta dinë. Gjaku ynë është përzjerë me gjak turku e boshnjaku, o vëllai im. Zgjohu nga gjumi, se do më kujtosh një ditë. Mos i beso Safet Selimit, Ismet Vrellës, Fadil Gashit apo Ajet Abdyl Latifit, se ata janë lidhur me një atashé ushtarak… Unë s’ deshta të flisja para Xhevaires, ani dola përjashta… Ki mendjen, se sa është fajtor Asllan Kryeziu për vrasjen e atij të ndjerit, aq janë edhe këta qenat që e frymëzonin djalin e tij për poshtërsira. Unë s’ kam  dy armë, se ta jepja njërën menjëherë. Përpiqu t’ i shmangesh belasë, se prapa s’ i ke vetëm shkiet e Josip Brozit, po dhe shkiet e Kadri Hazbiut. Ti kujton se ky shtet është demokratik, por gabohesh. Atentatet dhe vrasjet më mizore po bëhen jashtë Jugosllavisë, jo në Jugosllavi. Po ma pate hatrin, kur të kthehesh nga Uppsala, ulesh e kuvendon me Hajdarin e Samiun… Tani që ta thash, mos thuaj që s’ ta kam thënë”…
” Ty të falemnderit, bac, po unë po jetojmë në Suedi dhe s’ më ruan kush pos të Madhit  Zot,” i thash. ” Ç’ u bë me djemët?”
” Aty ku kanë qenë,” tha Selimi me zë të dëshpëruar. ” Dikur matesha t’ i bëj bashkë e të kthehem në Kosovë, po tani është e pamundur. Ata të mëdhenjtë m’ i ka marrë qeveria… Skenderi po mbahet me një daneze… Ganiun e kam në Sundsvall… Ndërsa Abdiun pak më afër… Ku  ta thejë qafën tani? Unë kam grua, kam fëmijë… Bash edhe sikur të vinin me mua, s’ kam fuqi ekonomike… Po e gënjej veten se do t’ i zbraz automatet, por aty jam gabim. Po bëhen shumë javë që po i luaj nga pesë – gjashtqind korona… Me kaq lekë mbahet një familje… Kjo sëmundje më ka hasmëruar edhe me gruan, edhe me fëmijët… Asnjëri s’ do të ketë punë me mua… Për besë, jam mbushur aq shumë, sa mungon vetëm një qime floku të ngjitem në Zyrën e Mirëqenies Sociale  dhe t’ i vras ato kurvat që ma kanë bërë familjen pikë e pesë.”
Aty për aty e pashë me sy qortues.
“ Mos të dëgjojë njeri, se të qeshin,” i thash. ” Ti ke një familje të shkëlqyeshme dhe më e mira që mund të bësh është të mos hysh n’ atë kazino të mallkuar. Ika, pra.Mirupafshim!”
“Mirupafshim e udhë e mbarë.”
Po atë mbrëmje, pasi mblodha plaçkat e palara, dola në Stëpinë e Aktiviteteve të Lira dhe hapa letrat që na kishin ardhur në adresë të seksionit “Shote Galica”. Një letër nga Shoqata e Miqësisë Shqipëri – Danimarkë… Një letër tjetër nga Vinçnc Golleti, revista arbëreshe “Katundi Ynë”… Ato ma kthyen pak humorin, më gëzuan… Mjerisht, ngjarjet tjera më këshin dërmuar keq. As kisha mallë ta thërrisja dike, as kisha mallë të rri në vetmi. Shkolla m’ u kishte bërë derr, shtëpia m’ u kishte bërë derr, po dhe Shtëpia e Aktiviteteve të Lira më hante me boshllëkun e saj.Aq më tepër klubi i Safet Plluqkës, ku mblidheshin pijanecët e lagjes. Një kohë, deri sa s’ kishte ndodhur vrasja, unë e dija si klub të Shoqatës, por edhe njëherë, si shumë here tjera, ai përsëri u shndërua në klub të ”Komunales”. Dhe pse? Ngaqë Komunalen e përfaqsonte Alani, kunati i Safet Selimit.
S’ di pse s’ vete dhe ta shoh Zhutin, mendova. Ai duhej të kishte ikur në Kanada, por Rasimi më kishte thënë se gjithnjë punonte te Ivani, ai bojaxhiun sjellshëm slloven, dhe netët i kalonte në klub.
Klubin e gjeta të hapur. Të pranishmit – që s’ ishin pak – ia kishin shtruar me birrë. Me përjashtim të Saliut, asnjëri s’ ishte anëtar i Shoqatës.Ajeti ishte ulur me ca evgjitë nga Sllovakia, Zhuti dhe Muhameti u shërbenin me birra.  Këta dy ishin gjithnjë pa leje dhe, në mungesë të një shtëpie më të mirë, netët i kalonin në një divan që ua kishte çuar Safet Selimi. Tani që shqiptarët ishin trembur nga vrasja e të ndjerit, Safeti përsëi ia kishte marrë çelsësat Xhemalit dhe kish angazhuar sherbëtorë të rinj. Pse jo? Ai ishte i gatshëm t’ ua huazonte edhe evgjitëve të Sllovakisë.Këta ishin të pasur dhe s’ ishin ngushtë të lidheshin me burra të ndershëm. Atyre iu duhej një batakçi që donte para dhe s’ përzihej në punët e tyre.
Ishim në prag të Krishtlindjeve dhe njerëzia s’ kishin tjetër punë pos të pinin. E porosita edhe unë një birrë dhe u ula përballë Saliut.
” Ç’ kemi, o Sali?Si po të shkojnë punët?” e pyeta.
” Shumë mire, baba Dan,” më tha, duke më njoftuar se Safeti sapo kish ikur në punë. Përndryshe, shoqatës i kishte ardhur një ndihmë simbolike nga Zyra Qendrore e Aktiviteteve të Lira dhe Safeti ia kishte marrë të gjitha për ta paguar qiranë.
” Ai sikur na kishte premtuar tjetër gjë,” i thash.
“ Ça të them, i shkreti,” u arsyetua. “ Si anëtar kryesie, ia dëftova çekun që na kishte ardhur nga Zyra Qendrore dhe ai, pa një pa dy, e futi në xhep… Më tha se mbulonte qiranë e katër muajve të fundit. Unë për vete do të jap dorëheqje dhe kjo do të ndodhë menjëherë pas Vitit të Ri. Bash edhe sikur të më mbani me rrogë, s’ dua të jem arkatar. Më vjen turp, po Shoqata ynë gjendet nën hyqmin e një hajni.”
“ Ate s’ e luan topi,” thash i vrerosur. Unë mbushja lutje, raportoja aktivitete, reklamoja shoqatë, ndërsa ai vinte si një tagrambledhës dhe e merte “porezin”.“ Sa të jetë Safeti kryetar, s’ kemi për t’i marrë këmbët.”
Ç’ është e drejta, unë e kisha nënvleftësuar. Gjatë kohës që rendja nëpër zyra, konsultoja veprimtarë dhe orvatesha ta ngrija shoqatën në këmbë, ai na kishte qethur si delet. Ndonëse s’ kishim kurrëfarë hajri nga ajo punë, ai, me ndihmën e dajës tij dhe duart e Ismet Vrellës, nakishte bërë edhe anëtarë të Lidhjes së Shoqatave Jugosllave. Këtë gabim duhej ta korrigjonim sa më shpejt, përndryshe do të katandiseshim në grope të lumit. Duke parë se shumica e shqiptarëve i shmangeshin bodrumit të tij dhe katër nga vëllezërit Gashi donin të dilnin anash, atij i kishte lindur një ide tjetër: të bisedonim me Nevzat Dallanguzin dhe të bashkoheshim me Bashkësinë Islame.  Zangoçi donte të lidhej me zangoçin, se me neve tjerët e kishte vështirë.Dhe kjo ishte shumë e vërtetë. Të mos ishim unë, Hajdar Reçi, Sami Dashi e Xhemal Fetiu, ai do t’i zhvishte shqiptarët deri në asht. Kohëve të fundit kishte dalë me një tezë edhe më të re: duke qenë se ne, tjerët, ishim shumë të zënë me punë, duhej t’ ia lenim të gjitha frenat Ismet Vrellës. Kushdo që kishte dy kokrra mend në kokë e kuptonte se ai donte ta shtronte rrugën deri në derën e Legatës Jugosllave dhe mënyra më e lehtë për t’ ia dalë asaj pune ishte të na largonte nga kryesia.
Dola nga klubi dhe ika në drejtim të shkollës Ertagord.Më pëlqente ajo godinë e thjeshtë ngjyrë safrani, ku kisha kaluar goxha do muaj të jetës sime dhe kisha qenë pjestar i të gjitha aktiviteteve që zhvilloheshin.Atje diku, nëpër sallat e saj të ndritshme, e kisha hartuar rregulloren e Shoqatës, kisha shkruajtur procesverbalet dhe ua mësoja fëmijve shkronjat e gjuhës shqipe.Megjithate, puna më shkonte për dreq. Përse ishim kaq të trashë, more burrë? Përse ishim kaq të sinqertë? Përse ia lëshonim rrugën secilit anadollak? Nëse s’ ishim të zotë të bënim diçka më të mirë e më të hajrit, përse duhej  të humbisnim kohë? Na u kish ngjitur një rrodhëz në trup dhe ne i mbanim natë e ditë mbi shpinë. Ai na pinte gjakun dhe ne, për hir të një lokali që na kishte qëlluar afër, s’ ishim në gjendje ta këpusnim nga leshrat dhe ta hidhnim në përrua. Ai kish lindur me nafakë, dhe nafaka e tij ishte – në dorë të parë një mjekërrcjap suedez, që ia kishte dorëzuar ca çelësa për të na plaçkitur neve; pastaj ishte Ismet Vrella, një fikanak dhe mediokritet i dalë nga Shkolla e Muzikës, dhe në fund vinim ne, shaklamanët e Kosovës Hallemadhe. Një kohë, kur ne  bënim orvatjet e para për ta themeluar shoqatën, ai pinte viski me kunatin dhe thurte plane për të na future në dorë. Sikur Alani të mos e kishte atë rriqër suedez, ai s’ do të kishte asnjë shans për të na rjepur si bënte tani. Me ndihmën e atij lokali ai na kishte hyrë edhe në kryesi dhe na trajtonte si hyzmeqarë. Pa marrë parasysh si arsyetoja nunë, Hajdar Reçi apo Xhemal Fetiu, ai figuronte si kryetar dhe për t’ ia marrë atë post duhej një mbledhje e rregullt vjetore. Jo mbledhje e jashtzakonshme, por mbledhje e rregullt vjetore.Megjithate, as mbledhja e rregullt vjetore s’ ishte ilaç i sigurt. Ai, edhe nëse do ta shkarkonim nga posti, gjithnjë e kishte dajën e tij, Ajet Abdyl Latifin, që tërë ditën e lume endej nëpër Rusengord dhe mblidhte të dhëna për ta sabotuar punën tonë.
Hipokrizia ishte sëmundja ynë kryesore. Ne flisnim shqip, veten e quanim trima, por kur vinte çasti për ta hequr gishtin, atëherë na zente gjaku. Ky dhe ishte shkaku që s’ i besoja asnjërit pos Sami Dashit dhe fjalët e të gjithëve, si të pleqëve, ashtu dhe të rinjëve, nuk i merrja si periudha të plota, por si fjali të gjymta. Lexuesit mund t’ i duket e çuditshme, por pas vrasjes së xhaxhi Tares, shqiptarët i mbërtheu një ankth i çuditshëm. Edhe pse s’ i lente turpi nga “konzullati” jugosllav, Gashët e kishin ndër mend të iknin; Ismet Vrella, të cilin e kisha afruar me aq sa mundesha, e gjeti një mësuese suedeze dhe mezi gjente kohë për të na takuar; Hajdar Reçi i ngratë s’ kishte leje qendrimi dhe cilëndo kohë mundej të dilte nga Suedia; Spiro Tanga, një muzikant i talentuar korçar, kishte zënë punë në Halmstad dhe s’ ishte i gatshëm të punonte me “jugosllavë”; Sami Dashi ishte i zhgënjyer dhe mbante postin e tij vetëm për hir të besës që ma kishte dhënë; Xhemal Fetiu, njëri nga miqët më të mëdhenj, e kishte përkrahjen të kushtëzuar; ai ishte fqi dhe mik i “gashjanëve”; Zia Beqa, miku i ngushtë i Xhemal Fetiut, e kishte fejuar të bijën me një udbash nga Ferizajt dhe s’ donte të luante cicmic me jugosllavët… S’ mbetej zgjidhje tjetër pos ta mbaronim semestrin vjeshtor, t’ i kremtonim Krishtlindjet dhe ta prisnim mbledhjen e rregullt vjetore. Kur kishim pritur aq kohë, duhej të prisnim edhe pak.
Ja dhe një shembull i dymendësisë tonë. Vesel Cfilaka ishte një burrë i ndershëm. Të paktën ashtu e konsideronte veten para nesh. Kishte shtatë fëmij dhe sapo e kishte martuar Enverin, djalin e madh. Ai kishte qenë në Suedi nja shtatë a tetë vjet, por kurrë s’ kishte marrë mund ta mësonte një fjalë suedishte. Paçka se donte të merrej me veprimtari politike dhe, për t’ ma zbutur zemrën, më këshillonte  ”të ruhem nga shkiet”, ta siguroj derën mirë e mirë dhe të mos rri shumë në ballkon. Gjykuar nga fjalët e tij, ai ma donte të mirën, por unë kisha të dhëna të sigurta se baci Vesel, duke na qerasur me këshilla, mblidhte e çonte lajme në Legatën Jugosllave. Atij i kishte hyrë vetja në qejf, se ishte ngjallur ekonomikisht dhe e ndiente veten rroçkoman e pasanik. Ai, për ta përmirësuar imazhin e tij para varfanjakëve të ngratë, gënjente hapur se djalin e kishte në fakultet dhe mirte katër mijë marka në muaj. Kjo ndodhte në një kohë kur të gjithë e dinim se na lyente kokën me kos.
Tani e kisha të qartë që s’ ishim të shenjtë. Herë pas here, kur më qëllonte ndonjë monedhë në dorë, e merja Ajetin në telefon dhe e pyesja si shkonin punët. Edhe ai, njësoj si baci Vesel, ma kthente xhevapin rrufeshëm: shumë mirë. Po na vijnë plotë anëtarë të rinj. Ai shumëmiri shqiptar ishte i zi si gryka e vullkanit. Kur më thoshte Ajeti ”shumë mirë”, unë e dija që fjala ishte për të kundërtën.
Të premten, 20 dhjetor, mbaroi semestri vjeshtor dhe, sipas fjalëve që kisha lënë me Samiun, e njoftova që isha gati të dilja në Stacionin Qendror. Veten e ndieja të lodhur dhe kisha nevojë të shtrihesha në vagonin e fjetjes e të lexoja diçka të lehtë, argtuese, që s’ ma mbushte zemrën me trishtim. Rrugës, deri sa po kalonim nëpër Triangel, e luta të qëndronte pranë një qoshku dhe bleva gazetën “Express”. Ç’ ishte më interesante se një letër të cilën shkrimtarja Astrid Lindgren ua kishte drejtuar lexuesve të saj? Pastaj, aty ishte edhe intervista e skijatorit Ingemar Stenmark, të cilën ia kishte dhënë gazetës menjëherë pas triumfit të tij në Madonna di Kampilio.
“ Tani që po ndahemi dhe ti do të shkosh në Kosovë, dua të dëshiroj çdo të mirë për vitin e ardhshëm,” i thash Samiut. ”Të shkuara e të harruara hidhërimet e këtij viti. Se kur do kthehesh prapa, nuk e di, por mua mos më prit para datës pesë. Do të pushoj mirë e mirë n’ Uppsalë, se pastaj na presin punë të rëndësishme.”
“ Për shembull, çka?” më pyeti me zë të bezdisur.
“ Ato që donim t’ i bënim qysh në shtator,” i thash. “ Kam folur me zonjën Bauth, drejtoreshën time, dhe ajo më ka dhënë leje ta përdorim lokalin e shkollës Ertagord… Ate që gjendet në Katarpsvegen, përballë shkollës Verner Ryden… Aty janë tetë klasa që s’  po i duhen shkollës dhe të gjitha janë paisur me libra, fletore, lapsa, flanelkografë e tri salla të përshtatshme për punëdore, vizatim e gjimnastikë… Me këtë veprimtari do të merremi unë, ti dhe Rasimi… Ismetat, nëse janë me neve, le të vazhdojnë në Shtëpinë e Aktivitetetve të Lira… Kjo është e para… E dyta ka të bëjë me fletushkën informative… Zonja Bauth më ka premtuar se çeshjen e botimit të saj do ta shqyrtojmë në shkurt, pasi të miratohet buxheti i mjeteve shkollore. E treta – dhe më e rëndësishmja – ka të bëjë me mbledhjen vjetore. Dëgjo vëllaun tënd. Ka ardhur koha që secili anëtar i kryesisë t’ i dijë detyrat e veta dhe nëse s’ është në gjendje t’ i përmbushë, t’ ua lëshojë vendin e vet atyre që janë më të frymëzuar për punë… Deri sa ta kemi një pijanec në ballë, punët tona kanë për të ecur si tani. Të gjitha procesverbalet, vula dhe korrespodenca duhet të jetë në duart e sekretarit… Arka, me të dhëna të sakta mbi hyrjet e daljet monetare duhet të jetë në duart arkatarit… Instrumentet, kostumet dhe rekvizitat që janë blerë për çfaqje duhet t’ i dorëzohen përgjegjësit për këngë e valle… Ato duhet të paloson në valixhe të posaçme dhe t’ i dorëzohen Ismetit me letër në dorë… Përndryshe, do të mbledhim ujë me shoshë…”
” Unë kam të ngutur,” tha Samiu. ”Flasim kur të vijë koha për këto probleme,” tha ai.
” Ashtu qoftë. Tani rrugë e mbarë e mirupafshim,” i thash.
” Edhe ty atje ku do shkosh.”
Vagoni ku do ta shkoja natën ishte bosh. Ai përbëhej nga tre krevatë të shtruar me çarçafë e batania dhe një llambë që e kisha te koka. Duke qenë se ishte e premte dhe treni do t’ ikte pas nja pesëmbëdhjetë a njëzet minutash, e mora me mend se do të jem i vetëm dhe i pashqetësuar deri sa të hyja në Smolandë.
E hapa gazetën dhe fillova ta lexoj letrën e shkrimtares Astrid Lindgren… Letër e gjatë dhe e mërzitshme për një vepër që s’ e kisha lexuar, por interesante për ata që e përcillnin veprimtarinë e shkrimtaren së dëgjuar. Shumë më interesante ishte intervista e skijatorit Stenmark, që sapo kishte shkëlqyer në fshatin Madona di Kampilio… Mu n’ atë çast u dëgjua oshtima e altoparlantëve dhe unë, relativisht i lodhur nga mundimet e ditës, e ndjeva lëkundjen e lehtë të trenit që sapo bëri hapat e parë drejt një destini që ishte më i largët se nata dhe të cilin e bëja dy herë në javë… Lund… Höör…Växö… Eksjö… Jönköping… Norrköping… Södertälje… Stokholm… Uppsala… Një varg qytetesh me emra që tingëllonin si klithmat e fshatarit që lëshon kur buajt e tij i kafshon xekrri… Äääää… Ööööö… Ääää… Öööö…
Aty ku isha shtrirë e ndieja veten si xhaxhi Tare. Që nga dita kur isha antarësuar në Amnesty International dhe, bashk me Evën, Çeçilian, Paulin, Barbron, Guneshin e miqët tjerë, hartonim letra kundër shtypjes që ushtrohej në Kosovë e kisha të qartë se Prezidencës Jugosllave nuk i vinte mirë kur i shkonin letra të shkruara në serbo-kroatishte. Si unë që e hapja gojën kundër shtypjes, ashtu dhe Udba që ishte e paguar me rrogë, përpiqej të na mbyllte gojën që ”shpifnim” kundër Jugosllavisë. Ne kurrë s’ thonim diçka që s’ kishte dalë në gazetë, ajo bënte të kundërtën. Ne bënim detyrën tonë vullnetarisht, Udba ishte e paguar për të kundërtën. Megjithate, deri sa isha n’ Uppsalë dhe isha i rrethuar me miq, fleja rehat. Tani që punoja tetëqind kilometra larg Uppsalës dhe çdo të dytën javë e shkilja gjysmën e Suedisë, të gjithë e dinin se kur udhëtoja dhe qysh udhëtoja. Selimi kishte një arsye të fortë që shqetësohej për mua. Vdekja mundej të më vinte befas dhe ajo nuk zgjaste veçse pak minuta. Tamam siç i erdhi Miftar Kryeziut të ngratë, kur po e priste më së paku.
Unë isha ballafaquar me vdekjen në moshën dhjetëvjeçare. Atëbotë sapo kishte filluar robëria e dytë dhe Presheva rënkonte nën thundrrat e regjimit jugosllav. Ne, të paktën, kishim bukë e fruta, ndërsa fqinjët tanë s’ kishin as bukë. Epidemitë, njësoj si fushatat e njëpasnjëshme jugosllave, vinin njëra pas tjetrës. Ne fillim u sëmur im atë, pastaj vëllau im Jakupi. Mjerisht, vdekja e Jakupit s’ ishte aspak heroike, se vuajti me muaj dhe unë, bashk me prindërit e mi, ballafaqohesha çdo natë me vdekjen.Ajo s’ ishte aq e egër por sytë e saj ishin të ftohtë e mizorë. Sado që im atë më ngushllonte me ca përralla për kopshtijet e bukura të parajsës, unë, edhe pse kisha imagjinatë të bujshme, s’ mundesha t’ i shquaj frutat që rriteshin atje. Jo, përtej syve të vdekjes shquaja një trishtim të madh. Për nënën time ai ishte krejt i natyrshëm, por për mua dhe tim atë ishte shumë i gjatë.
Kush kishte mentuar që do vinte një ditë dhe unë, vullnetarisht, do ta shkilja gjysmën e Suedisë për t’ u shërbyer vëllezërve të mi? Kush e kishte mentuar që unë, pa miradijen më të vogël, çdo të dytën javë do të shtrihesha në parzmin e këtij ”kali të hekurt” dhe, kështu i mbështetur në frymëmarrjet e tij, do të ëndërroja për një Shqipëri të Lirë e të Bashkuar? Një Shqipëri për të gjithë shqiptarët e botës.
Selimi kishte të drejtë.Ai mbase dinte diçka, pa më këshillonte të jem i kujdesshëm.Përndryshe, ai s’do mirte mund të më shqetësonte me marrëzitë e tij. Jo se e kisha prekur dike me sjelljet e mia po sepse egzistenca ime në atë qytet s’ i konventonte një fuqie që ishte më e forte dhe më e fuqishme se unë.  Shtrohej pyetja: Cila ishte ajo organizatë dhe kush do ta mbaronte punën e saj?
E para ishte Udba.Ajo interesohej për veprimtarinë time që nga koha kur endesha nëpër limanet e shteteve skandinave.Kjo ishte detyra e saj – të interesohej për ata që e donin dhe që nuk e donin Jugosllavinë.Ata që e donin Jugosllavinë, siç ishte rasti i një Bengt Nydahl, i ftonte në Dubrovnik dhe i mbante me të ngrënë e me të pirë. Ata që s’ e donin Jugosllavinë, edhe pse ishin burra të ndershëm e të mirë, i trajtonte si armiq dhe sa herë që e gjente një rast, i niste për në Largalarg. Ashtu kishte bërë me shumë disidentë kroatë që jetonin në Shtetet e Bashkuara t’ Amerikës, Paraguaj, Uruguai, Holandë e Suedi.
Të gjitha i kisha mësuar nga shtypi anglez dhe gjerman.I ndërgjegjshëm për natyrën e saj të egër, unë, që nga ditët e para në Suedi, kisha marrë disa masa të mos bija në sy.Jo të gjithë sherbëtorët e saj ishin në dijeni me prejardhjen time dhe lidhjet që mbaja me organizatat humanitare. Duke qenë se kisha obligime morale kundrejt atyre që më shkruanin e më dërgonin informata të ndryshme mbi proceset gjyqësore, mbi emrat e atyre që dënoheshin nga regjimi policor jugosllav, si dhe familjet që vuanin për kafshatën e gojës, unë i mbaja kontaktet sipas një metodike të thjeshtë dhe ilegale. Fatlumnisht, atje ku merresha me këtë veprimtari isha vetë i dyti apo vetë i treti dhe askush s’ kishte mundësi të ma prekte lëkurën. Tani që kisha marrë punë unë kisha dalë nga ilegaliteti dhe Udba, me ndihmën e sherbëtorëve të saj, kishte të dhëna të sigurta se kush isha dhe nga vija. Për të qenë e keqja më e madhe, qeveria suedeze, sa herë që vritej ndonjë shqiptar apo kroat, i fajsonte organizatat e djathta. Të gjitha vrasjet etiketoheshin si mosmarrëveshje të organizatave reakcionare dhe neofashiste.
Dikur, kur spiujt e saj ishin serbë apo malazias, veprimtaria e Udbës ishte e spikatur dhe e pakëndshme. Tani që Kosova kish fituar ca liri formale dhe po hynte në një fazë të re politike, punën e saj e bënin udbashët shqiptarë, të cilët vinin si ”punëtorë të inkuadruar përkohësisht jasht vendlindjes” arnoheshin me ”rrogat” që mernin nga Zyra e Mirëqenies Sociale. Këta ishin më të egër, sepse ishin shqiptarë dhe bënin çmos për të mbledhur sa më shumë informata. Tani Titua ia kishte prerë krahët Rankviqit dhe sherbëtorët e tij e dinin se çdo privilegjë e kishte një çmim. Sipas këtyre, kushdo që e prekte Jugosllavinë ishte ose ”enverist” ose armik i vetqeverisjes jugosllave. Me atë hampë kriminelësh ishin lidhur edhe ”emigrantët” e Shqipërisë. Këta, për arsye krejt logjike, kishin hyrë me kohë në radhët e Udbës dhe mbanin lidhje të rregullta me Sherif Nezirin, Isa Demën e Selim Broshajn. Ndonëse pinjoj të familjeve patriotike, shumica e emigrantëve, vetëm për inatin e Enver Hoxhës, vazhdonin t’ i sherbenin Jugosllavisë edhe nga vendet ku jetonin më vonë. Pa marrë parasysh seç botëkuptime kishin, ajo që i bashkonte ”emigrantët” dhe ”udbashët” shqiptarë ishte ëndrra e tyre e madhe për ta rrëzuar qeverinë shqiptare dhe, mundësisht, për ta shliruar Shqipërinë nga Komunizmi. Ata kishin nevojë për një zonë operative, ndërsa Udba kishte nevojë për hyzmeqarë.
Shi n’ ato çaste, kur kroatët e punësuar në Legatë, bënin gjithçka për ta zhveshur regjimin jugosllav, aty erdhi edhe një boshnjak: Borivoje Lukavac. Ky ishte serb dhe veten e quante vicekonzull, por në të vërtetë ishte atashé ushtarak. Edhe pse zyrën e kishte në Legatë, ai rrallë se dukej në lokalitetin e saj. Sipas të dhënave që do të mirja më vonë, kur do të zgjidhesha kryetar i SIM-it, organizatës së përbashkët të shoqatave emigrante, i lartpërmenduri dilte natë për natë nëpër shoqatat jugosllave dhe luante bilardo. I veshur si agjenti 007, me jelek të bardhë e revole në brez, vicekonzulli kuvendonte me qytetarët jugosllavë, i qeraste me birra, ndërronte mendime dhe shtirej si mbrojtës i madh i popullit mysliman. Megjithate, sa herë që diskutonte me ndonjë serb, kroat apo maqedonas, ai tërë kohën ankohej nga një komb i ri që jetonte në Bosnje dhe quhej ”kombi mysliman”?! Përse duhej vallë ai, Borivoje Lukavac, serb dhe ortodoks nga fshati Lukavac, të konsiderohej ”mysliman”? Dakort që egiztonte një fe myslimane, por kombi mysliman ishte çmenduria më e madhe që kish dalë nga demokracia jugosllave. Se ç’ plane fshiheshin në kokën e tij do të mirrej vesh më vonë por në fillim ai shtirej si mik i të gjithë qytetarëve jugosllavë. Edhe pse veten e quante serb – e jo mysliman. Për ta ruajtur veten dhe miqët e tij, konzulli Lukavac kishte marrë  lidhje me Mile Stankovskin, serb nga Kumanova, Mile Andriqin, serb nga Hercegovina, Mile Sibinoviqin, serb nga Kosova dhe e shumë e shumë serbë të tjerë dhe çdo fundjavë, pasi mblidheshin sëbashku në fshatin Bjärred, konsultoheshin për të ardhmen e gjuhës serbishte në botën e jashtme. Sipas Mile Stankovskit, të cilin e njihja nga Uppsala, ata dilnin gjoja për të peshkuar, por takimet i shfrytëzonin për konsultime më serioze. Njëri nga qëllimet e tyre kryesore ishte ta informonin opinionin suedez se lobi kroat dhe slloven ishte duke e prishur Jugosllavinë dhe shenjat e para të asaj shembjeje dukeshin në kushtetutën e re jugosllave, e cila, si Kosovën, ashtu dhe Vojvodinën, i trajtonte si njësi të veçanta. Sa herë që uleshin nëpër lundra dhe ia shtronin pijes, zoti Lukavac e pyeste një farë Boro Isaevskin nga Tetova.
” Si thua, Boro, ke takuar ndonjë jugosllav që quhet Borivoje dhe është mysliman?”
” Jo, për Zotin, shoku Konzull,” ia kthente Borisi.
Ngjarjet e mëvonshme do të dëtnin se zoti Vicekonzull, duke iu shmangur Legatës, përpiqej t’ iu shmangej veshëve të sekretareshave që ishin me prejardhje nga Bosnja dhe Kroacia. Kërcnimet që do t’ i vinin SIM-it më vonë ishin platforma që shtroheshin dhe përpunoheshin javë me radhë nëpër fshatrat turistike dhe restorantet e veprimtarëve serbë. Askush, se ashtu e donte puna, s’ guxonte të zhvillonte një aktivitet kundër Jugosllavisë Titiste.
Por Udba s’ ishte e vetmja organizatë që i ndiqte disidentët shqiptarë.Atë punë e bënin edhe agjentët e Mehmet Shehut.Megjithate, sherbëtorët e këtij ishin më të matur.Ata sapo kishin lidhur marrëdhënie diplomatike me Suedinë dhe s’ ishin të prirur për të hapur plagë.Që nga ardhja e parë, xhaxhi Misto e kishte kuptuar se kjo mbretëri ishte e rehatshme dhe bijt e bijat e funkcionarëve të lartë shqiptarë këtu ishin më të qetë.Nuk shkoi shumë kohë dhe djali i kryeministrit shqiptar u regjistrua në Shkollën e Lartë Teknike.Erdhën edhe djem të tjerë, por ato ishin të fshehta ushtarake.Zoti Bengt Fyledal, një mashtrues i shkathët suedez, u kishte premtuar dollarë me thasë.Edhe Sami Baholli, ambasadori i parë shqiptar, ishte i kënaqur.Pas një libri që nxori shkrimtari Jan Myrdal, majtisët suedez e themeluan një shoqatë miqësie dhe zhvillonin propaganda të flaktë për shokun Enver.Shqiptarët, sipas kryetares së asaj shoqate, ishin raca më e bukur në Ballkan.Si anëtar i asaj shoqate, edhe pse fshehtas, përcillesha në çdo hap, por ende s’ isha kualifikuar për masa të veçanta të Diktaturës së Proletariatit.Ndiqesha edhe në Suedi, edhe në Shqipëri.  Falë konsideratave të ngrohta që kisha nga intelektualët suedezë Per Olof  Ultvedt, Ulmar Kvik, Bo Jansson, Ola Nilsson, Gun Kessle, etjerë, mundesha të endem natë e ditë e të mos më hynte asnjë ferrë në këmbë. S’ lodhej Ambasada e Shqipërisë për “marrëzitë” që dilnin nga gjuha e një “kokëderri kosovar”.
Mos do të thotë kjo se atë natë, duke udhëtuar drejt Uppsalës, më kishte mbërthyer frika e vdekjes?
Jo, i nderuar.Edhe pse frika është emocion normal, i natyrshëm, atëbotë isha i sigurtë që s’ më ngante njeri. E deri sa isha njeri i gjallë dhe çdo të dytën javë bëja nga 1600 kilometra rrugë, kjo do të thotë se ndieja diçka për familjen time. Por vdekja është diçka tjetër dhe atë natë, deri sa po i ndiqja ”frymëmarrjet” e rënda të trenit, më kishte mbërthyer një kurreshtje e rrallë për psikologjinë e popullit tim. Sipas një filmi të cilin e kisha parë ditë më parë, një prift donte t’ i ndihmonte anëtarët e famullisë së vet, por ishte i pakënaqur me rezultatet e arritur.Ai lutej me ta, këndonte me ta, vuante me ta, por tërë kohën kishte një ndjenjë se ata s’ i kishin kuptuar vuajtjet e njëmendta të Jezu Krishtit.
Kjo i bie në vesh ipeshkvit dhe e fton priftin në zyrën e tij. Pasi hanë e pinë e kuvendojnë me njëri tjetrin, Hirësia e pyet:
” A s’ më thua Atë, si i kupton  vuajtjet e Jezu Krishtit?”
Prifti, pasi u mendua mirë, i tha se s’ i kuptonte  vuajtjet e vërteta të Jezu Krishtit. Ai, deri sa lutej dhe këndonte himne me besimtarët tjerë, e vështronte Jezu Krishtin me keqardhje dhe gjaku që dilte nga duart e këmbët e tij i bënte përshtypje rrëqethëse. Megjithate, atij i dukej sikur vuajtja që dilte nga gjaku i Jezu Krishtit ishte njëfarë mashtrimi.
” Shi ajo vuajtje që del nga plagët e tij më duket si mashtrim i madh,” tha prifti.
” Ajo është mashtrimi më i madh i fesë së krishterë,” tha Ipeshkvi dhe e shtroi qëndrimin e tij rreth asaj çeshtje. ” S’ ka dyshim se vuajtja e Jezu Krishtit në kryq është një vuajtje fizike, por ajo është e dukshme dhe mundet të matet me kutin tonë. Ajo ka një fillim dhe një fund. Ka një agim dhe një mbrëmje. Ndërsa vuajtjet e vërteta të Jezu Krishtit ishin ato kur ishte gjallë dhe endej midis njerëzve. Atbotë ai shpesh herë i pyeste njerëzit nëse i kishin kuptuar mesimet e tij dhe ata i thoshin – po, i kemi kuptuar. Por ato ishin gënjeshtra. Pse do thuash? Sepse Jezu Krishti e dinte që ata e gënjenin dhe kur do të vinte koha për të ikur te i Jati, ata do ta mohonin.”
Tha Hirësia e tij, Ipeshkvi.
Edhe vuajtja ime ishte e poshtër. Vëllezërit e mi s’ dallonin nga lypësit e Jezu Krishtit dhe, nëse s’ ishin pijanecë, ishin intrigantë, dallkaukë, kumarxhinj, sllavofilë dhe sherbëtorë të Sherif Nezirit. Ditën shtireshin si burra të mirë, por natën shndërroheshin në armiq dhe mohues të njëri tjetrit. Çdo të premte, pasi pinin kafet në Rusengord, shkonin dhe i thenin gjunjtë para Omer Lutfiut, e falenderonin Zotin që i kishte sjellë në Rusengord, por atë çast që dikush e përmendte fjalën inkuadrim, atyre iu binte të fikët dhe më parë i prenin gishtat, se pranonin të shkelnin në një fabrikë. Ata s’ vinin në zyrën tonë se donin të mësonin diçka për vetveten, por sepse kishin nevojë t’ i shoqëroja në spitale, qendra shëndetsore, dentistë e zyra të tatimit. Ata s’ e donin Titon, por ia dinin për nder që i kishte paisur me pasaporta. Qyshdo që ta kthesh, vëllezërit e mi ishin të fituar, se nuk sakrifikonin gjë. Ajo që dëshiroja unë dhe ajo që dëshironin ata – ishin gjëra të ndryshme.
Dhe ata dallonin shumë nga shqiptarët e vendlindjes. Ndonëse e flisnin një shqipe të mirë, një shqipe të pastër, ata, sa herë që uleshin me njëri tjetrin, thireshin se janë serbë, malazias, turq, boshnjakë, gjysmëshqiptarë, jugosllavë, por kurrë shqiptarë të vërtetë. Gjithmonë shqiptarë me kushte. Ka gjasa që as vetë s’ isha ndonjë namuzlli i madh, por ate rol ma kishin imponuar vëllezërit e mi, të cilët, edhe kur gjendeshin me mijra kilometra larg Jugosllavisë, sa herë që e dëgjonin fjalën ”albanian” menjëherë bënin mbledhje të partisë dhe dilnin para botës se në Jugosllavi s’ ka ”albanë” por ”shiptarë”. Unë, për vete, e ndoqa rrugën e gjatë dhe duke iu shmangur spiunllëkut, s’ e mora askend në qafë. Gjatë kohës që kisha bredhur nëpër limanet e Gjermanisë, Suedisë, Norvegjisë, Finlandës, Islandës e Danimarkës, unë kisha parë ndonjë qytet të ri, kisha vallëzuar me ndonjë vajzë të bukur, por s’ isha bërë vegël e asnjë partie apo klani politik. Unë s’ kisha nevojë për idhuj tjerë pos Vaso Pashës, Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Fan Nolit e Lazgush Poradecit. Mu për ate, kurrë s’ ndieja nevoja të mbufatem me përpjekjet e mia modeste, sepse ato që bëja s’ ishin veçse orvatje që t’ ia ktheja borxhin popullit që na dha shkollë dhe na i hapi sytë. Ne s’ kishim ku ta çonim, se i keq apo mirë, ai ishte populli ynë…
Uppsalën e gjeta të veshur me borë. Gjithçka ishte e bardhë n’ atë qytet: sheshi i madh para Stacionit Qendror, ku vallëzonte Ujtori i zotit Hjurt, gjymtyrët e bardha të pemëve, godina e Teatrit Kombëtar dhe këmbonaret e Kishës katedrale. Tani s’ më duheshin veçse nja njëzet e pesë minuta që të turresha drejt Bibliotekës Univerzitare dhe ta gjeja ndonjë vepër të zonjushës Durham apo shkrimtari Legrand dhe ta harroja Malmen, t’ i harroja plagët që kisha marrë me vedi nga ajo qendra e flamosur që mbante emrin Rusengord.
E kam thënë një herë, por s’ prish punë ta them edhe herën e dytë, se ne kemi nevojë për ndërprerje. Pas çdo vrapi të gjatë – nga shtëpia në punë, nga puna në shitore, nga shitoret në kuzhinë, nga kuzhina në studio, nga studio në mbledhje, nga mbledhjet në krevat – piqet në mendjen tonë dëshira për t’ u ulur nën hijen e një akacje dhe për ta parë veten në pasqyrën e qiellit, në fluturimën e korbave, në zukamën e insekteve apo mbi hasrën e verdhë të këmbëgjatave. Të mos ishte Uppsala, kurrë s’ do ta formuloja mallin tim për plisat e Karadakut, Rrethin Fytyrëvrarë dhe labirintin e ndërlikuar të rrugëve preshevare. Sado i lodhur që shkoja n’ Uppsalë, pas një qëndrimi të shkurtër n’ atë qytet, përsëri isha i gatshëm ta sfidoja të përditshmen. 
E njejta ndodhi  edhe gjatë atyre javëve që ne, sherbëtorët e arsimit, i quajmë pushime të Krishtlindjeve. Thuajse çdo ditë dilja në qytet, endesha nëpër sallat e bibliotekës Karolina Rediviva, pija ndonjë kafe dhe, pasi ngopesha me bukë, fluturoja në drejtim të Rusengordit, ku jetonin vëllezërit e motrat e mia shqiptare.
Mendimet janë qenie të çuditshme. Ato shkojnë e vinë pa na kërkuar leje. Njërin e torturojnë me dhembje të kokës, tjetrin me dhembje të qafës, të tretin me dashuri, të katërt me xhelozi, ndërsa mua më torturonin me dallkaukë.Atje ku më hiqnin mendimet e mia s’ kishte burra të ndershëm.Ecnin ata nëpër një korridor të gjatë, çanin dërrasa me njëri tjetrin, flliqnin gojën me nderin e huaj dhe tërë kohën ishin të qeshur, të fituar.Ata flisnin shqip, por unë s’e kuptoja gjuhën e tyre. Unë sorollatesha nëpër radhët e tyre, pija kafe me ta, por  tërë kohën e ndieja veten të paaftë për t’ i përvehtësuar vulgaritetet e tyre.
Të djelën e parë pas Vitit të Ri dola përsëri në stacion. Kishte ardhur koha të nisem për në Malme. Mjerisht, edhe pse kënaqesha me të rinjtë shqiptarë, unë s’ isha i kënaqur me veten. Kjo ishte pranvera e dytë që endesha pa bërë diçka të qenësishme. Viti kishte dymbëdhjetë muaj, muaji kishte tridhjetë ditë, dita kishte njëzet e katër orë. Si ishte e mundur që unë, me gjithë atë përvojë që kisha nën sjetull, përcëlloja nga 365 ditë pa e shkruar asnjë tregim të hajrit? Sikur të shkruaja nga një faqe në ditë, duhej të kisha nja shtatëqind e ca faqe deri tani. Mungesa e atyre faqeve ishte dëshmia më e mirë se edhe unë, njësoj si bashkatdhetarët tjerë, e shkoja kohën me eglenxhe. Edhe kjo një shenjë e qartë se, nëse vazhdoja ashtu, do të përfundoja si Safeti apo Fahredini. Që nga çasti që e kisha humbur sensin e kohës dhe s’ e vrisja mendjen për librat që dilnin nga shtypi, unë isha shndërruar në parazit dhe e përjetoja të përditshmen si dembel dhe i painteresuar për punë krijuese. Kjo ishte domethënia e jetës?
Nuk shkoi gjatë dhe unë, i pandërgjegjshëm për egzistencën e frymëmarrjeve të trenit, e vura kokën në jastëk dhe, pasi lexova disa faqe të ”Albumit” që ma kishte dërguar Rexhep Ismajli, përsëri u krodha në mendime. S’ kisha arsye të mërzitesha, se treni e dinte rrugën e tij dhe unë isha i sigurtë që do më çonte ku isha nisur. Ajo krijesë artificiale të cilën indianet e quanin ”kal i hekurt”, e dinte rrugën e tij, ndërsa unë bridhja si lundrat pa kompas. Unë s’ e kisha Lundin më larg se një çerek ore, por në vend se të merresha me gjuhë apo letërsi, isha lidhur me punëtorët e ”painkuadruar” jugosllavë dhe orvatesha t’ i drejtoja brirët e dashit.
Kështu dukej jeta ime. Këtë pamje e kishin getot e Suedisë, Norvegjisë, Danimarkës dhe Gjermanisë Federale. Rusengordi s’ ishte bibliotekë univerzitare, ku secili gjurmues hynte e dilte si në xhami dhe e gjente tavolinën plot me libra. Rusengordi ishte si një koshere bletash, me lloj lloj surratesh e botëkuptimesh, dhe donte hisen e vet. Si djallin do të shkruaja për te nëse nuk jetoja në Rusengord? Atë çast që do të largohesha nga Rusengordi, unë do të shkruaja diçka tjetër por ajo do t’ isht