SHPËRNDAJE

Atë vit – bëhet fjalë për ngjarje që ndodhën përafërsisht tri vjet pas ikjes së Mjeshtrit nga Bostoni – në faqen lindore të Rruzullit shpërthyen dy kërpudha të mëdha tymi, të cilat u panë edhe nga bregoret e pashkelura të Hënës. Shenjat e para të atij mllefi hyjnor dolën në pah nja shtatë a tetë muaj më vonë kur delet dhe dhitë e asaj pjese të Arbilonit filluan të pjellin para kohe dhe shumë prej qëngjave e kecave të tyre ishin me nga dy tri koka.  Ndonëse të llahtarisur nga pamja e tyre, barinjtë s’ e dhanë veten, ngaqë e kuptuan se diçka s’ ishte në rregull.

Një dukuri tjetër që ra në sy ishte ecja. Në vend se të ecnin përpara, siç bënin dikur, kur ishin të rinj e dilnin nëpër arat e Desivojcës apo Glloboçicës, shumë pleq e plaka filluan të ecin prapa, edhe ate, me një ritëm tre katër fish të ngadalsuar.

Një dukuri e tretë, edhe më e ngjethshëme, ndodhi në agun e një dite të dielë, kur trithanasit po e falnin mëngjesin dhe po i luteshin të Madhit Zot t’ i merte në mbrojtje dhe t’ i kursente nga ca insekte të pangopur, të cilët, sipas rregullit, duhej të uleshin në fushat e Parajsës por – gabimisht – u përplasën mbi arat dhe lëndinat e fukarenjve arbijonas. Atë mëngjes Gjithësia u drodh si tollumbace dhe një termet i fuqishëm i rrëzoi të gjitha godinat që ishin më të larta se dy kate. Atij termeti s’ i shpëtoi as Parajsa, që s’ ishte larg nga epiqendra e tij. Me përjashtim të arbijonasve, të cilët edhe ashtu ishin të zhgënjyer nga mospërfillja e të Madhit Zot, banorët tjerë, si turqit, hashkallinjtë, torbeshët e gollobërdasit, i braktisën kasoqet e tyre dhe vendosën të flenë përjashta. Të gjithë, që nga të rinjtë e deri te pleqët, i drejtuan sytë nga Xhamia e Madhe, ku herë pas here ngjitej Shems-ed- Din efendiu dhe i njoftonte qytetarët mbi planet dhe vendimet që merte Hyqymet Pash. Me sa duket, të lartpërmendurit i kishte ardhur një kumt se haremi i tij s’ ishte gati dhe se ai, pushteti i vetëm i asaj treve, s’ duhej ta humbiste durimin.

Nëse termeti i lartpërmendur s’ e preku aq Tri Thanën, një ngjarje tjetër, pak më e ligësht se lëkundja e lartpërmendur, e dërrmoi fare: Shkëlqesia, Ismail Kemal Pasha, njëri nga pasardhësit më të nderuar të ish pashallarëve të Vlorës, ish vali i Bejrutit, pastaj ish vali i Damaskut, pastaj ish vali i Tarabulluzit, edhe një herë e mori familjen e tij dhe, me ndihmën e një pasaniku arab, doli në Frankistan, ku jetonin vetëm katolikët e asaj Zone të begatë dhe nja katërmijë legjionarë algjerianë. Pasi pushoi ca kohë n’ atë vend të paqës e begatisë, Ismail Pasha hipi në një vapor anglez dhe, bashk me disa shokë të tij turq e çobanë, u nis për në Erinipol, ku do të diskutohej edhe ardhmëria e atyre fakirëve arbijonas, të cilët, sado të ndershëm që ishin, s’ kishin leje ta kalonin Largalargun dhe të hynin në Parajsë.

Mjeshtri ishte goxha i brengosur. Ku ta dinte ai se çka ziente në kokën e atij qafirit vlonjat? Se mos ishte Ismail Pasha ndonjë burrë për t’ i besuar? Çdo zog shqiptari, që nga Esat Pasha e deri te ai qafiri tjetër, Ahmet beu i Matit, ishin tradhtarë. Mishëra me dy koka, me dy mendje e me dy zemra. Herë turq, here arnautë. Herë myslimanë, here kaurrë. Çka mundej Hyqymet Pasha të bënte për ata zogj të qyqeve? Si Hyqymeti Pasha, që ishte plak dhe i pafuqishëm, ashtu dhe Lartmadhëria, sulltani dhe kalifi i të gjithë myslimanëve të botës, e kishin mbajtur Ismailin afër, i kishin dhënë toka, çifligje, poste qeveritare dhe e kishun martuar me një greke të pashme, por ai s’ ngopej me pak. Donte edhe më shumë. Dhe mirë bënte. Shkëlqesia, Ismail Kemal Pashë Vlora, më shumë i donte kaurrët se myslimanët. Kjo mbase ishte e natyrshme në kohën e Abdyl Hamidit, se e nxiste Shejtani, por këtu, në kryqendrën e Arbijonit, ku ryshfetet ishin rrebtësisht të ndaluar për myslimanët e gjorë, sjellja e tij ishte krejt normale.

S’ u deshtën shumë ditë dhe lajmi mbi ikjen e Plakut Mjekërrbardhë u përhap në të gjitha trevat e Arbijonit. Gazetat greke, turke e bullgare ishin plotë e përplotë me sharje  të papëmbajtura, ndërsa ato gjermane, angleze e frankeze plot me urime e lavdata. Me përjashtim të Hyqymet Pashës, që ishte mësuar me tradhëtitë e vazalëve shqiptarë, asnjë popull tjetër s’ e kishte të qartë se si mundej një qeveritar i lodhur nga peripecitë e jetës, ta lente sarajin e Tri Thanës, edhe ate, vetëm e vetëm për t’ i nxjerrë myslimanët shqiptarë përtej ujrave të rrezikshme të Largalargut.

Edhe atë lajm, si të gjitha lajmet tjera, Edi Gjilpëra e mori me mospëfillje të madhe. Ai sapo kshte ardhur nga Tri Thana dhe gjithnjë, duke ngrënë mëngjesin, i kujtonte gjërat që kishte përjetuar në një kamp të cilin iliqarët e kishin përgëzuar me emrin “Kampi 1917”. Një zot e dinte se ku e kishin gjetur atë emër. Pas atyre që kishte përjetuar në bodrumet e atij ferr, ai s’ ishte i gatshëm t’ i besonte as vetes, jo më një qeveritari mjekërrbardhë, të cilin e kishte njohur me anë të Mjeshtrit. Ai përpiqej ta kuptonte popullin e tij por, si borgjez i rritur jasht vendit, s’ ishte në gjendje të depërtonte në trutë e njerëzve që ishin stërvitur vetëm të bëjnë amin. Një kohë, deri sa shërbente si mjek në Mamurras, ai kishte mësuar se xha Mihali, një gazetar i shqiptar, e quante Shkëlqesinë ”honxho bonxho”, por as ajo s’ tingullonte mirë. Shkëlqesia ishte burrë i urtë , tamam si ata bojarët e Rusisë  së Lashtë, të cilët, falë pasurive që kishin fituar nga Petri i Madh, ishin më të mirë për botën, se për veten.

Sa po e pinte kafenë e zezë turke, Mjeshtri konstatoi se mëngjesi i asaj dite ishte më i ngrohtë se rëndomtë dhe qielli ziente nga kënga e mëllenjave. Thana, ai lum i bukur që derdhej në Largalarg, ndrinte nga xhevairet që reshnin nga qielli ngjyrë atllasi.

Shumë keq e paskan trajtuar, mendoi dhe, deri sa ishte duke vështruar lumin prej së largu, pa shenjëzat e para të një dite të mbarë: një diell i madh, i rrethuar me nëntë yje, ia behu në ballë të maleve dhe i spërkati shtëpitë, oborret e kopshtijet me një dritë hyjnore. Çuditërisht, Tri Thana dukej e zbrazët. Atë qytet  ai s’ e kishte pëlqyer. Të gjithë qytetet e botës ishin të përzjerë, ndërsa ai ishte ndarë në ”kllasa”. Sipas Xhaferrit, që sapo ishte kthyer nga Tri Thana, qyteti ishte ndarë në ”kllasa” dhe në krahun e majtë duhej të jetonin çobanët, gollobërdasit, bosnjakët e malaziasit e varfër, ndërsa në krahun e djathtë ”shehërllinjtë” shqiptarë.

Qyteti , me përjashtim të kështjellës ngjyrë pëllumbi, ku ishte vendosur një komitet popullor, ishte ndërtuar me një saktësi gjeometrike. Lagjet, të ndara në shtëpi njëkatëshe, dykatshe, trikatëshe e katërkatshe, ngjiteshin bregores si koshiqe të radhitura bletash, ndërsa lumi, i bardhë e i çarë në katër pesë degë, ikte pranë tyre si një udhëtar i lodhur nga rruga. Ca nga ato lagje ia kujtonin qytetet e Greqisë së Lashtë, të tjerat, që kishin mbirë rreth e përqark minareve të bardha, ishin si mëhallat e Stambollit, ku dikur ai kishte kaluar shumë vite të këndshme. Pak më tutje, përtej qytetit, shquante kubeja e rrumbullakët e një kishe katedrale.

Edi Gjilpëra s’ ishte mirë. Fytyra e tij ishte e zbehtë, shikimi i syve të tij ishte i largët, i papranishëm.

” Mora vesh se do na vijë Shkëlqesia, zot Markez,” tha Edi.

” Ajo që paske marrë vesh është e vërtetë, por s’ kam dijeni mbi qëllimet e tij,” tha Mjeshtri. ” Ka mundësi që ka dalë diçka e re dhe do të konsultohet me neve. Ashtu është kurdisur kjo botë. Zoti Markez na bën një shërbim, ne duhet t’ ia kthejmë me dy, sepse jemi nevojtarë. Megjithate, vizita e tij s’ po më shqetëson aq, sa ato që po ndodhin në Tri Thanë.”

“ Ato që po ndodhin në Tri Thanë janë të ngjethshme, Monsieur. A patjetër duhet ta shoqërojmë zotin Markez?”

Mjeshtri s’ ishte aq i sigurtë.

“ Kush tha që duhet të na shoqëroni?” e pyeti ky. ”Unë, për vete, jam i detyruar, se bëhet fjalë për një konsultë ose për një takim të shkurtër, por ju mund të rrini këtu. Sipas zotit Markez, dikur këtu paska vepruar një klub me emrin ATHP, Arbijon Throne Pretenders, dhe kancelarinë e paskan patur në qendër të qytetit. Tani, me të hyrë forcat e Iliqit, anëtarët qenkan bërë pikë e pesë dhe ca prej tyre paskan lëshuar rrënjë në një çiflig afër Irinopolit. Shkëlqesia, zoti Markez,  më shkruan se ka ca arsye të veçanta për të shkuar e për të parë seç po ndodhë atje. Nejse. Pse s’ më dëftoni se cilët ishin ata që ju arrestuan dhe ça kërkonin prej jush? S’ e dinin ata që Zotrote je një mjek i thjeshtë dhe i pangatërruar në politikë?”

Ai tjetri dukej i lodhur, donte vetëm gjumë e rehati.

“ Unë iu thash që jam mjek, po atyre s’ ju hante palla,” tha Edi.” Ata e kanë pushtuar krahun e mëngjër të lumit dhe atë copë po e quajnë Tri Thana e Çliruar. Përndryshe popullit po i prezantohen si partizanë të Iliqit, atij ideologut dhe filozofit të famshëm. Tani s’ po më kujtohet lagjeja ku më arrestuan se Tri Thana është qytet i madh dhe, përpos Sheshit të Shtat Palë Qejfeve, ka dhe shumë lagje me restaurante, pizzeri, shitore, tregje të gabelëve, tregje të zarzavateve, shoqata ilegale, shoqata pederastësh, shoqata të lezbejkave dhe klube… Para së gjithash, ka shumë klube.”

Mjeshtri e pa orën dhe u ngrys në fytyrë.

” Zotrote po e tall bythën me mua,” tha.

“ S’ kam arsye,” ia ktheu tjetri. “ Unë s’ isha i vetëm n’ atë burgun e tyre klasor. Kishte dhe tjerë… Njëri prej tyre ishte trithanas plak. Nga sa kuptova, ata, brenda kësaj kohe të shkurtër, paskan themeluar një varg klubesh politke. Njërin e paskan emërtuar ” Tërkuza” sepse paska si qëllim kultivimin e epikave të gjata labe. Një tjetër klub mbaka emrin K. M. Sh. ”Murtaja” dhe punoka për asgjasimin e plotë të kulakëve shqiptarë. Ca kohë më parë qenka krijuar edhe K.Sh. ”Zgara”. Ky dashka likuidimin e të gjithë priftërinjëve katolikë dhe vrasjen e të gjithë kullakëve shqiptarë… Një tjetër klub, K. I. ”Lulëkuqi”, paska si synim ta ngjyrosë historinë e shqiptarëve të Arbriojonit në ngjyrna gjaku… Etjera, etjera… Ky i funndit ua shkon të tjerëve. Sa i përket atij që quhet ”Zgara”, ate e paskan themeluar ish anëtarët e grupit ”Të Rinjtë” . Sipas tyre, të gjithë politikanët e vjetër shqiptarë, duke filluar nga ekselenca, Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, etjerë, etjerë, qenkan tradhëtarë të kombit. Atdhetarë të vërtetë qenkan vetëm çobanët e Beratit dhe gabelët e Gjirokastrës.”

” Merde,” tha plaku dhe i fërkoi vetullat. Atje sapo ishte ulur një hidhërim i vjetër.

” S’ e dija që kaq qenka infektuar gjendja?”

” E infektuar – është pak, Monsieur. Ç’ është e drejta, ato që pash me sytë e mi s’ janë parë as në kohën inkvizitorit Lajola. Ata kanë synime që ta ndërtojnë një Parajsë të re, edhe më hyjnore se ate që e ka krijuar Zoti. Po flitet për një parajsë pa qiell e pa tokë, një parajsë të kuqe, me drepër e çekane e kopshtije të shtruar me beton, ku mund të pushojnë vetëm zanat ileqare dhe gabelët e tyre…”

Eudhu bilahi Minesh Shejtani Rraxhim!

Ai e pa Edin me një fytyrë që i përngjante Shpellës së Dragobisë.

” Kini mirësinë e mos u tallni me mua,” tha Mjeshtri. ” Nga dolën tani evgjitët e Gjirokastrës dhe çobanët e Lushnjës? Të pyeta edhe mbrëmë, po s’ më ktheve një përgjigje të hajrit. Kush janë ato zana që dashkan të pushojnë me evgjitët e tyre?”

Edi e uli kokën.

” Janë motra tuaja, Monsieur,” tha me zë të ulët, i penduar që kishte ironizuar me vajzat e kullakëve. ” Janë bijat e bejlerëve, agallarëve e zengjinëve shqiptarë, të cilat, me urdhër të iliqarve, janë martuar me dhunë… Vetëm e vetëm për ta poshtruar klasin e tyre… Megjithate, kjo e keqe është më e vogël se ato të mëdhatë. Nga sa kuptova, ata e kishin ndër mend ta kthejnë këtë cope toke njëzet e pesë mijë vjet prapa. Gjatë kohës që isha në kamp vështirë se kam fjetur dy orë. Tërë kohën duhesha të ballafaqohem me shembje, grushta e të ngjajshme.”

Jo, ai ishte i pataksur.

Një fllad i lehtë, si fluturima e zgalemit, vinte nga malet dhe sillte me vedi një pluhur të rëndë të frutave. Përmbi hasrën e asaj lugine të gjelbërt, që mugëtonte si parzmi i pyjeve tropike, fluturonte një shqiponjë.

“ Çudi,” tha Mjeshtri, duke dashur ta nxjerrë dufin që e hante për brënda. “ Ju thatë se atje poshtë Aleatët e kanë kaluar Elben. Atëherë ku mbështetet arsyeja e veprimeve që përmendët?”

Ate s’ e dinte Doktori.

“ Ajo mbështetet në ecjen e shoqërisë njerzore, Monsieur. Zotrote e di mirë se lufta që zhvillohet breda saj ka humbës dhe ngadhnjyes. Atëherë, më lejoni t’ ua kujtoj se ata gërxhallinjtë që kanë dalë në Tri Thanë me drepër e çekanë janë miq të ngadhnjyesve. Para se të vinin në ketë botë u përcollën me nderime, parada e premtime solemne se lufta e klasave vazhdon. Mos harroni se ajo hampë që përbëhet nga hajnat, kriminelët, furraxhinjtë e loparët është e rrezikshme për vdekje. Ndonëse në grindje konstante rreth plaçkës – se plaçka është plaçkë – ata midis vedi janë dakort që shoqëria njerëzore është si shtëpia publike dhe jo vetëm gratë, por edhe fëmijët, janë pronë kolektive. Kuptohet, me ca përjashtime, se jo të gjitha duhet të mbarsen. Ca nga ato më të bukurat, që ju pëlqejnë kapedanëve, duhet të mbeten shterrpa…”

Mjeshtri u ngrys në fytyrë.

“ Më mirë të mos ma kishje dëftuar. “ Me fjalë tjera, përderisa ata qenat bënin qejf, zotrote shtërzoje ato që mbeteshn me bark. Apo e kam gabim?”

Edi pohoi me kokë.

“ E pranoj me keqardhje. Ata ua mbushnin barqet, unë isha i detyruar t’ i abortoj, edhe ate me vegla fare primitive. Se çfarë do ndodhte me ato të mjera, atyre s’ iu hante palla. Do t’ ua dëftoj vetem një gjë. Ajo hampë kriminelësh ka koncepte absurde. Kam ndenjur unë me laponë, samojedë e  tunguzë, por këta s’ kanë asgjë të përbashkët me njerëzit e egër. Ata mishngrënës, që më mirë flasin serbisht se shqip, sikur s’ kanë tjetër punë pos t’ i shembin kishat e xhamitë dhe atë ndërmarrje e lidhin me krupën e Evropës për fenë islame. Evropa, sipas tyre, na ka marrë inat dhe kurrë s’ do të na falë që nga një komb i mbarë jemi bërë një komb i prapë, i pabindur.”

” Pallavra,” tha Mjeshtri.

” Pse pallavra?”

” Sepse fjala ”pallavër” vjen nga spanishtja. Shqiptari është tokmak, mendekrisur, i poshtër, por jo dhe frikacak si thonë armiqët e tij. Këte e kam cekur shumë herë në artikujt që kam shkruar. Shqiptari ka tri dobësi: e do kafshën, fenë dhe atdheun. Është e vërtetë se të vret për asgjë, por kalin apo lopën e do si anëtar të familjes. Nëse s’ beson, lexo tregimet e një fakiri që quhet Milosh Gjergj Nikolla. Shqiptari del në pritë dhe, nëse ka nevojë, të vret pa mëdyshje, por xhaminë dhe kishën s’ e prekë, sepse ato janë shtëpi të Zotit. Të ishin ashtu si i bëjnë sllavët, ata do t’ i rrafshonin të gjitha kishat ortodokse dhe askush të mos i ndiqte për atë punë, por ata i kanë ruajtur si sytë e ballit. Mjerisht, armiqët e tyre, në vend se t’ i lavdërojnë për këtë virtyt burrëror, ua kanë dhënë nga një plum në ballë. E sa i përket atdheut, aty ndryshon puna. Ka shqiptarë trima, ka dhe shqiptarë frikacakë. Shqiptari e ka mitizuar aq shumë atdheun, sa që bota e konsiderojnë si maniak të epikave të gjata. Njeriu, ama, i do ato që s’ i ka. Apo e kam gabim?”

“ S’ e luan topi,” tha Doktori. “ Kam dëgjuar që korçarët e vjetër, kur vinin karnavalet, visheshin si të varfër, sepse donin të harronin që janë të pasur..”

Edi, gjithësesi, do vazhdonte, por papandehur, deri sa po fliste me Mjeshtrin, qëlloi ta shihte një pajton që vinte drejt çiflikut ku ishin vendosur. Këtë herë ai e harroi temën që ishin duke shqyrtuar dhe, më shumë për vete se për Mjeshtrin, shtoi se pak minuta më vonë, përpara tyre do ta kishin Shkëlqesinë, markezin von Iblizi.

” Po të bëjnë sytë,” tha Mjeshtri. ” Më duket e pabesueshme që një aristokrat i kalibrit të tij ta bëj gjithë atë rrugë. Paçka se Zoti ka jaradisur lloj lloj malukati. Ky mund të jetë ndonjë matuf i pasur që ka dëhirë të jetë larg gruas së tij.”

” Ashtu qoftë,” tha Doktori.

Pajtoni mori më të djathtë dhe, pasi kaloi krekzën që kapardisej mbi godinat anësore të çiflikut, u turr drejt verandës ku po rrinin këta dhe po pinin kafe. Trokllima e kuajve të mbathur me potkonj kërciti si një simfoni fyshekzjarresh. Karrocieri, një kallushan me zylyfe të errëta, e lëshoi një ”oooou” të gjatë dhe kuajt, të mësuar me komando, qëndruan në vend. Edhe kjo ishte shenjëz që ata ishin kuaj të një feudali të madh.

Pak çaste më vonë u hap dera e pajtonit dhe nga shtati i tij doli Shkëlqesia, zoti Arnold Frederik von  Iblizi.

” S’ e prisja që do t’ju gjej këtu,” tha i ardhuri duke ngjitur shkallët përpjetë. Guten Morgen, meine herren! Wie get es ihnen?”

” Sehr gut, monsieur Le Marquis. Vetë si keni qenë?” e pyeti Mjeshtri.

” Got sein Dank, gut,” tha tjetri, duke ia zgjatur Xhaferrit bastunin.

Ai s’ dukej mirë, por shkëlqyeshëm, se kishte lëshuar mjekërr dhe mustaqet i kishte dredhur përpjetë siç bënin qeveritarët arabë. Përndryshe, kostumin e kishte të njejtë, me përjashtim të një feste të kuqe që i rrinte si vazo e përmbysur mbi kokë. Prania e asaj feste kishte një shkas, por as ky, as doktori, s’ e dinin cili ishte. Ajo më e mira që mund të bënte ishte ta pyeste markezin vetë, sepse Edi s’ ishte diplomat dhe pyetjen mund ta shtronte gabim.

Ai e pa markezin me sy të qeshur.

”Ç’ është kjo mjekërr, zoti Markez?” e pyeti. “ Ç’ janë këto mustaqe që m’i paski lënë si zoti Dali? Dhe përse jeni veshur si çaush? Mos qofsha gabim, kështu vishen vetëm pasardhësit e Mehmer Ali Pashait të madh?!”

“ Ah, e do puna,” tha tjetri duke qeshur. “ S’ di nëse keni dëgjuar, po jeta është teatro. Njerëzit linden, sëmuren, vdesin, qajnë dhe, pastaj, prap fillojnë të qeshin. Andaj e dua teatrin dhe kam qejf t’ i shikoj komeditë e Molierit. Edhe vetë, ndonëse s’ jam i talentuar, kam qejf të luaj role. Sot jam veshur si Esat Pashai… Ashtu e do puna.”

Kjo e shqetësoi Mjeshtrin, por si diplomat që ishte, s’ deshti të nxitonte.

“ Do jetë e rëndësishme ajo punë, tek se qenki zgjuar kaq herët,” tha Mjeshtri.*

” Ashtu ju duket, po e keni gabim,” ia ktheu von Iblizi. ” Mua m’është bërë shprehi të shkoj herët në banjo. Pastaj, edhe pse përpiqem të fle, s’ më vjen gjumi. Ça thotë zoti Doktor mbi këtë defekt? Mos ka të bëjë kjo me mëlçinë?”

Doktori e tundi kokën.

” S’ është e thënë,” tha ai. “ Për mendimin tim, ajo është një shprehi personale dhe ndërprerjet e gjumit janë krejtësisht normale. Megjithate, po patët dëshirë, s’ kam kundër t’ ua bëj një kontroll.”

” Mjerisht, s’ kemi kohë,” tha markezi. ” Do ta pijmë nga një kafe dhe do t’ ikim atje ku jemi nisur. Kam shpresa që do më bëni shoqëri.”

Shkëlqesia dukej si veshka në dhjamë. Gjatë kohës që s’ ishin parë, ai kishte bërë plazh dhe jo vetëm fytyra e tij, po edhe qafa kishte marrë një ten ngjyrë kafe. Tani që kishin hyrë në sherbim të zotit Markez, ata vunë re se Shëlqesia s’ ishte vetëm  i gjatë, po dhe i afruar. Mënyra si  rrinte përballë tyre dëftonte se ai ishte i paisur me ndjenja të holla dhe me një kulturë aristokrate.

“ Po saktësisht ku do vemi?” pyeti Mjeshtri.

“ Jemi të ftuar në Irinopolis,” tha Markezi.

” Irinopolis? Po ça do bëjmë atje?”

Ai e pa markezin me një vështrim që pezullonte midis habisë dhe zhgënjimit. Irinopoli gjendej përtej lumit Kratis, jo shumë larg nga Ura ku mblidheshin të krishterët ortodoks dhe prisnin radhën e tyre për të ikur në Parajsë. Banorët e atij qyteti ishin njerëz të mirë, paqësorë, dhe s’ kishin tjetër punë pos të hanin, të pinin, dhe të prisnin. E keqja me ata njerëz ishte se ishin elinë dhe flisnin vetëm gërqisht.

“ Jemi të ftuar për çaj,” tha zoti Markez. “ Ai miku im është pasanik i madh dhe ju mund të hani e të pini ça të doni. Pas rënies së Musolinit në duart e partizanëve dhe pas hyrjes së sovjetikëve në Berlin, shumë gjasa thonë se ajo që po ndodhë atje, do të ndodhë edhe këtu. Rënia e Tri Thanës në duart e iliqarve dëfton  që banorët e saj do të katandisen ja nëpër kampe të përqëndrimit, ja n’ Elin Zade dhe, deshtën apo s’ deshtën, ta lënë këtë vend të shkretë. Kjo i ka shqetësuar të gjithë njerëzit e ndershëm, pa marrë parasysh se nga janë dhe cilit ”kllas” i takojnë. Kjo po më shqetëson edhe mua.”

“ Kot që shqetësohi,” tha Mjeshtri. “ Njerëzimi po vete drejt Kiametit.”

Shkëlqesia, zoti Markez, s’ ishte dakort.

“ Ashtu e kanë patur zakon të flasin pleqët, por s’ është e thënë të jetë,” tha ai. “ Sidoqoftë, disa miq të njohur e të panjohur, ca prej tyre bëmirës e pasanik të mëdhenj, në mungesë të vendit të sigurtë, kanë vendosur të shihemi përtej kufirit, që ta pimë një çaj dhe të kuvendojmë pak. Unë do të doja të mos mësoj se ç’ kanë në zemër ata sevapqarë.”

“ Ju bëni mirë që doni të shkoni, por unë jam me dy mende,” tha Mjeshtri. “ Kam përvojë të keqe nga takimet. Kini kujdes, Shkëlqesi, se mund të biem në ndonjë grackë. Është e vërtet që jemi askusha, por po e gënjej veten se, në shoqërinë tuaj, gëzojmë njëfarë imuniteti?”

Këtë herë markezi u shkreh në gaz të lartë. Xhaferri sapo ia vuri kafenë përpara dhe ai i dha zjarr asaj puros së trashë, të cilën e ndizte saherë që rrinte me miq të ngushtë.

“ Ndiej keqardhje që vuani nga ato paragjykime,” tha ai. ” Shendi i kësaj bote është se gjithëçka është falso, sipërfaqsore. Aty hyjnë edhe sankcionet, të cilat egzistojnë por kurrë s’ aplikohen. Merreni me mend! Ju mendoni se elinët ua kanë frikën që jeni myslimanë. Gabim i madh. Njësoj siç është gabim të thuash që myslimanët s’ e pinë rakinë. Nëse egziton diçka që mund të identifikohet si frikë, ajo është dashuria ynë për teatër. Ne vdesim për një rol dhe e gënjemë veten se jemi ata që s’ jemi. Elinët kanë të drejtë që frigohen prej jush, sepse ju keni dy faqe: njërën ia dëftoni mikut, tjetrën armikut. Ju shkoni te elinët si mysafir dhe – papandehur – ua zaptoni shtëpitë. Dua të them se shkoni si myslimanë dhe – papandehur – bëhi të krishterë ortodoks.”

“ Eh, s’ jemi aq butakë,” tha Mjeshtri. “ Ne e duam mikun me zemër, por s’ e tradhtojmë Muhamedin, Alejkum Selam. S’ i njihki shqiptarët aq mirë.”

Hah, dhe Shkëlqesia përsëri u mek së qeshuri.

“ Mos t’ u dëgjoj kush, se ju nxjerr në bisht të çiftelisë,” tha ai. “ Shqiptarët s’ kanë zot dhe shumë shpejt i ndërrojnë fetë. Jepu pak bukë e qepë e mexhidie dhe ata ta shesin edhe lëkurën e trupit. Sidoqoftë, unë jam i mendimit të shkojmë dhe jam i sigurtë se atje do ta takojmë edhe ndonjë aristokrat shqiptar. Mos harroni se ka dhe shumë të tillë.”

Tha: aristokrat shqiptarë. Kush aristokrat arbrijonas  ishte aq i pasur sa t’ u jepte edhe tjerëve? Gjatë jetës së tij ai kishte njohur edhe mbretër që s’ t’ i falnin mëkatet.

” Këtë herë na bëtë kurreshtarë,” tha Mjeshtri. ” Sipas dijenive që kam, shqiptarët kanë patur kontër, artistokratë, ipeshkvë, shenjtorë, bejlerë, pashallarë e qeveritarë të shquar, por asnjëri s’ mbahet mend si dorëdhënës.”

” Ashtu thoni ju, por mua më kanë thënë se princi është zemërbardhë dhe simpatik. Ai qenka i shqetësuar për fatin e trithanasve.”

Kjo ishte edhe më e çuditshme. Mjeshtri ia picërroi sytë Edi Gjilpërës – hë more, ke dëgjuar diçka – por doktori dukej më i hutuar se Mjeshtri.

“ Tani më konfunduat keq,” tha. “ Mund ta di për kend aristokrat e keni fjalën?”

O, entschuldigung, bitte! Ai tjetri u shkreh në një gaz të papërmbajtur.

“ Paskam harruar t’ ua dëftoj kryesoren. Kjo dëshmon që truri im ka filluar të vishet me gëlqere. Për kend aristokrat bëhet fjalë, pyetët. Në këtë rast bëhet fjalë për don Pedro Alardo Kastriotin. S’ e njoh personalisht, por ca miq më kanë thënë se është bëmirës dhe humanist të madh. Mos e keni njohur?”

Po si, ai e kishte njohur shumë mirë.

” Don Pedron e kam njohur si djalë i ri, edhe ate, pak pasi kisha filluar ta botoj një revistë letrare. Ai është i mirë sa të duash, zemërbardhë sa të duash, por jo dhe trashigimtar i Kastriotit të Madh. Ai ishte djalë i paligjshëm i një pasaniku andaluz, jurist, diplomat i Perandorisë Spanjolle dhe ka bërë shumë për çeshtjen shqiptare por s’ ka patur ndonjë provë të fortë që ka lidhje fisnore me familjen Kastrioti. Bash përkundrazi, Don Pedrua ka qenë më tepër spekullant se trashigimtar dhe kjo më shkonte në nerva.”

Çuditërisht, fjalët e tij s’ gjetën truall në pyetjen e tjetrit, sepse zoti Markez, si për inatin e tij, dukej i papranishëm.

” Mos harroni se edhe spekullanët kanë peshën e tyre,” tha markezi. ” Kujtoni don Kishotin e ngratë. As don Kishoti s’ ishte përfaqsues ideal i aristokratëve spanjoll. Megjithate, asnjë aristokrat s’ e ka nderuar klasën e tij më mirë se ai kalorës i varfër dhe qesharak, që kishte një kalë të zaiftë, vetë ishte i moshuar dhe Sançon e kishte rjepacak. Të paktën kështu mendoj unë.”

” Kjo që thoni është me vend,” tha Mjeshtri. Ai s’ e kishte vrarë mendjen shumë për ate çeshtje. ”E keqja është se atëbotë ishim të rinj dhe don Pedrua ishte impulziv. Në përpjekjet e tij për të dëshmuar se është pasardhës i familjes Kastioti, ngatërronte edhe shumë avanturierë që, një anë, e hyjnizonin si pasardhës të mbrojtësit të Krishtërimit, kurse n’ anën tjetër e quanin të marrë, intrigant, hajdut, spiun, vagabond, mendjekrisur, etjera, etjera. Sidoqoftë, ju keni të drejtë. Ai s’ ishte burrë i keq dhe e donte Shqipërinë me Udhë të Hekurt, me oborr mbretëror dhe me shkolla laike. S’ ishte aq i pasur sa mendonin shqiptarët, por bëri shumë që emri i Gjergj Kastriotit të ringjallet, të respektohet, dhe të mbahet mend nëpër oborret mbretërore. Dikur e kam sharë, e kam përbuzur, por tani më vjen keq, sepse njerëz si ai s’ ka patur shumë.”

“ Edhe një shkas tjetër që të shkojmë n’ atë takim,” tha Shkëlqesia, duke e parë Mjeshtrin me buzeqeshje. Ky kishte veshur një smoking të bardhë, një palë pantallona të zeza dhe një flutur ngjyrë trëndafili.

“ Si thoni, ta marrim doktorin me vedi?” pyeti ky. ” Mendoj se pas peripecive që ka përjetuar në Tri Thanë, ka nevojë të pushojë pak.”

Shkëlqesia, zoti Markez, e pa Edin me sy kurreshtar.

” Vërtet, si ndodhi që ju arrestuan,” e pyeti. ” Kam dëgjuar se ileqarët janë bisha të vërteta?”

Edi Gjilpërës iu ngjethën misht e trupit.

” Edhe ç’ bishash!.. Fjala bishë është e butë për ta aplikuar në rastin e tyre,” tha. ” Ajo që kam përjetuar në kampin e tyre s’ përshkruhet me fjalë. Ju siguroj, Shkëlqesi, se lukuni më të çuditshme s’ keni parë. Ata s’ janë njerëz… Janë monstrume të ardhur nga Gjithësia… Mjerisht, për dallim nga kinezët, mongolët e afganët, kanë poetë, filosofë dhe mjekë të profileve të ndryshme. Mjekët e tyre, dua të them kolegët e mi, bëjnë lloj lloj eksperimentesh, me shpresa se do të zbulojnë diçka të panjohur, që do t’ i rrisë në sytë e kapedanve të tyre. Rrjedhimisht, natë për natë varrosin e zhvarrosin të vdekur me shpresa se do të mësojnë diçka të re mbi pavdekshmërinë. Mjerisht, pavdekshmëria, me sa duket, i takon vetëm Zotit, atij i qofshim falë.”

” Çfarë burrash janë eprorët e tyre?” pyeti markezi.

” Të tmerrshëm, Monsieur. Diçka midis akënxhinjëve turq dhe profesorëve gjermanë. Ata kanë ushtrinë, policinë, pushtetin, dhe s’ dinë se ç’ është dhembja. Kanë qendrat e tyre, që i quajnë shtëpi të kulturës, kanë komisarët e tyre dhe kanë selinë ku mblidhen e kosultohen dhespotët e tyre. Kryedhespoti i tyre është akoma gjallë dhe s’ ka ardhur në Tri Thanë. Momentalisht, ai dhe shokët e tij gjenden në afërsinë e Dajtit dhe, sipas raportit të një ushtari të vrarë, s’ paska dëshirë më të madhe se të vijë këtu e ta shndërrojë Tri Thanën në kryeqytet të bythëjashtve proletarë. E pyeta pse. Sepse rusët, kinezët, amerikanët dhe minoritarët tjerë si serbët, shqiptarët, grekët e zezakët janë popuj pa vendlindje, tha, dhe vendi më i përshtatshëm për një kryeqytet të tyre është Tri Thana.”

” Sidoqoftë,” tha markezi,” s’ ka organizatë apo formacion shtetëror pa një bazë ideologjike dhe anëtarët e saj duhet të besojnë në diçka. A kanë zot ata majmuna?”

“ Jo, Shkëlqesi. Ata s’ kanë zot,” tha Edi. ” Ata janë njerëz racionalë dhe donë ta pushtojnë Arbijonin, mos të tërin, të paktën gjysmën e tij, dhe aty ta ndërtojnë një Arbijon të ri. Parulla e tyre është – vrisni pleqët, sillni të rinjtë. Shi për këtë arsye, ata, sapo e pushtuan krahun e majtë të Tri Thanës, dhanë urdhër të priten pemët, të rrezohen shtëpitë, të digjen makinat dhe të mbulohen arat me zhavor, në mënyrë që ajo pjesë e vendit të bëhet postaqe sterile. Njësoj siç po bëjnë ortakët e tyre në Rusi, Bullgari, Rumani e Hungari, po me hapa më të ngutur.”

Shkëlqesia, zoti Markez, e preku filxhanin me buzë dhe ra në mendime të thella. Ai kishte dëgjuar diçka mbi filozofinë e asaj hampe që donte ta transformonte shoqërinë sipas modeli të zotit Iliç, por s’ i hynte në kokë se ç’ dobi kishin varfanjakët prej saj.. Ajo që iliqarët premtonin çifligje të përbashkët ose kooperativa, ku mundeshin të punonin jo vetëm çobankat e bukura të Mbivlorës, por dhe fshatarkat e këndshme të Dropullit apo arixhovkat e Durrësit, ishte gjë e mirë. Fundja, bota kishte ecur përpara dhe popujt, ku me qejf e ku me dhunë, i kishin rrafshuar dallimet klasore dhe askush s’ kishte vdekur nga puna. Po kjo që donin ta zhveshnin natyrën nga petku i saj do t’ iu kushtonte shtrenjtë.

” Jeni popull i çuditshëm”, tha ai.

”  Jemi, ç’ është e drejta”, e pranoi Mjeshtri. ” S’ e kemi trurin në vend, Monsieur. E kemi pak më poshtë, nën kërthizë, andaj shkojmë atje ku na shpie ajo vegla që sherben për t’ i ledhatuar grate.. Në këtë pikë s’ dallojmë shumë nga të parët tonë afrikanë, që dhe sot janë tifozë të këngëve polifonike. Vdesim për të kënduar si lebërit, sepse lebërit, edhe kur këndojnë si kecat, ua shkojnë zhabarve të San Remos. Të mos flasim për armët. Armët, qofshin ato turke apo bullgare, i kemi në hatër dhe s’ ndahemi prej tyre as kur biem të flejmë…”

” Mëkatë i madh,” tha von Iblizi.

” Përse mëkatë?” e pyeti ky.

” Si të them,” tha tjetri. ” Të hyjsh në një parlament, ku arsyetojnë kokat më të mençura të Britanisë dhe ta mbash pisqollën në brez është provë e fuqishme që Zotrote s’ i beson askujt. As vëllait tënd, jo më një të huaji. Atëherë, përse duhet t’ ju besojë Evropa kur e trajtoni si kurvë?”

Pyetje me vend. Kurrë s’ i kishte shkuar ndër mend që dhe evropianët, si ata që e kishin zbuluar Amerikën Veriore, ashtu dhe ata që e kishin zbuluar Amerikën Jugore, kishin krenarinë e tyre.

“ Eeeh, ta dija që jemi kaq tuafë, do t’ ua thoshja vetë, ” tha Mjeshtri. ” Megjithate, jam i sigurt që personi për të cilin bëhet fjalë kishte arsyet e tij. Ata mitet tjerë s’ ka nevojë t’ i kujtojmë se janë si lumi që rend nën urë.”

Shkëlqesia brofi në këmbë, shenjë kjo se ishte koha të iknin. Ai dukej pak si i papranishëm.

” S’ di sa jeni të informuar,” tha zoti Markez, ”por vetë fakti që gjysma e Tri Thanës ka rënë në duart e iliqarëve duhet t’ i shqetësojë të gjithë liridashësit e këtij arkipelagu.  Pa marrë parasysh se sa e donë apo urrejnë njëri tjetrin. Pa marrë parasysh se kujt ia puthin duart dhe kujt ia puthin këmbët. E qenësishme është se nga të gjithë armiqët që keni patur, tifozët e zotit Iliç janë më të rrezikshmit. Nëse bëhet si donë ata, të gjithë popujt, me përjashtim të shqiptarëve, do ta gjejnë një rrugë për të dalë në Parajsë, por shqiptarët do të rrinë këtu. Shqiptarët s’ kanë as forcë, as talent për ta kaluar Largalargun.”

Mjeshtrit iu rrëqeth shtati.

” Çfarë bëhet nëse nuk shkojmë n’ atë takim?” pyeti Mjeshtri.

Ai tjetri u ngrys në fytyrë.

“ Unë ju çova fjalë që do të shkojmë sëbashku,” tha ai, për pa e fshehur zhgënjimin e tij. “ Duke ju ftuar të vini me mua, e mashtrova veten se jeni diplomat i vërtetë, por kjo s’ do të thotë se dua të ju detyroj. Ata që më kanë ftuar, qofshin edhe të çmendur, janë të paisur me virtyte që s’ ua mohon as i Madhi Zot, ndërsa njëri prej tyre ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për historinë dhe etnografinë tuaj.. Më lejoni t’ ua kujtoj edhe një herë se s’ jemi të ftuar n’ atë tubim për të çarë dërrasa, por për të pirë çaj. Si të tillë, ne jemi veçse mysafir.”

“ Ashtu qoftë, po s’ i njihni ju ballkanasit. Përndryshe s’ do t’ insistonit kaq shumë,” tha Mjeshtri. “Ç’ është e drejta, kushdo që ka provuar të na ndihmojë, ka dalë i zhgënjyer. Dhe unë po ua them ashiqare – më mirë është ta nxjerrësh në treg një thes me pleh, se të merresh me punët tona.”

” Tani po gënjeni,” tha Shkëlqesia.

” S’ kam gënjyer kurrë, Monsieur, dhe sinqeriteti im më ka nxjerrë shumë telashe,” tha Mjeshtri. Ai ishte adhurues i madh i historisë dhe fjala gënjeshtër e preku keq. ” Një kohë, kur isha i brishtë në lëmin e diplomatisë, për një fyerje të këtillë isha i gatshëm të dilja në duel. Mjerisht, juve ju kam mik dhe e vetmja gjë që mund të bëj është të ulem përballë jush.”

Shkëlqesia ia zgjati kutinë e cigareve.

” Tani folët si shqiptar. Ajo vlen edhe për mua. Madje, ata që më njohin më mirë, e dinë mirë se që nga Eva e deri te Prometheu askush s’ e ka kultivuar dashurinë për dituri më shumë se unë. Kjo do të thotë se s’ jam i gatshëm ta humb një mik si juve. Por unë insistoj gjithnjë se ato që thatë pak më parë s’ ishin fjalë të dala nga zemra. Ashtu keni bërë shumë here… Keni sharë, jeni xhindosur, keni shkruar letra, keni kritikuar, por dhe atë natë që kishit hemorragji truri, ju mendonit për fatin e populli tuaj. E vërtetë është apo po gënjej”

” E vërtetë,” tha Mjeshtri.

” Vielen Dank! Kjo dëshmon se Zotrote, edhe nëse e ke përcjellë veprimtarinë e Heidegerit, nuk ke depërtuar në thelbin e konkluzioneve të tij. Heidegeri, duke e analizuar të qënit ashtu siç është, e ka cekur se njerëzit dhe zotat s’ kanë asgjë të përbashkët. Zotat merren me zota, njerëzit me njerëz. Pas asaj bombës rreqethëse që plasi në Nagasaki, më duket se edhe ne, si minjt para termetit, duhet të lëvizim, të mentojmë, të konsultohemi. Ku ta dijsh, ka mundësi që ecja e ngjarjeve na detyron të qëndrojmë n’ Irinopolis. Po ju mos u shqetësoni se unë, për të mos ndenjur kot, edhe në Elin Zade kam bërë ca investime.”

” Do bëjmë si ta shihni me vend,” tha Mjeshtri. “ Mot i mirë për rrugë.”

” Më i mirë se ç’ kisha menduar,” tha tjetri duke zbritur shkallëve teposhtë. ”Sot do bëjë ngrohtë dhe, gjatë pjesës së parë të rrugës, asaj që lidhë Tri Thanën me Kratin, duhet shpesh herë  t’ i lusim kafshët me ujë.”

Shkruan: Ramadan Rexhepi