SHPËRNDAJE

Kufiri

Në vendkalimet kufitare Shqipëri-Kosovë korriku i vitit 2016 shënoi më shumë se 1 milion e 164 mijë (gjithsej 1164105) hyrje-dalje të personave, 12 për qind më shumë krahasuar me korrikun 2015, kur kishte 1033148 hyrje-dalje.

Në korrik 2016 kishte 292784 hyrje-dalje të automjeteve, 6 për qind më shumë se në vitin 2015, kur kishte 275570, bëri të ditur sot pasdite Policia e Kosovës.

Po sipas këtij burimi zyrtar, në korrikun 2016, të kësaj vere me vapë e sezoni pushimesh me fluks të rritur drejt bregdetit shqiptar, vetëm në dalje nga Kosova në Shqipëri kishte 530623 persona, 113543 vetura, 4192 autobusë, 6103 kamionë. Ndërsa, vetëm në hyrje nga Shqipëria në Kosovë kishte 633482 persona, 156723 vetura, 4898 autobusë, 7325 kamionë.

Policia kosovare ka bërë të ditur po për ATSH se, në tre vendkalimet kufitare Shqipëri-Kosovë, në Vërmicë-Morin, Qafë Morinë dhe Qafë Prush, qershori 2016 me më shumë se gjysmë milioni – gjithsej 507886 hyrje-dalje të personave kishte rritje fluksi për 1.52 për qind krahasuar me qershorin 2015, kur kishte 500288 hyrje-dalje.