SHPËRNDAJE

 

Gjermania tha të mërkurën se do ti japë fund kontrolleve në kufijtë tokësorë, të vendosur në kuadër të krizës së koronavirusit, nga mesi i muajit të ardhshëm.

Ministri i brendshëm Horst Seehofer, i tha gazetarëve se ekonomia kryesore e BE ka vendosur objektivin e qartë të udhëtimit të lirë në Evropë në mesin e qershorit dhe se do të fillojë zbutjen e disa kontrolleve në kufi, që këtë javë. Kufizimet për kalimin e kufirit, të vendosura dy muaj më parë, do të marrin fund me Luksemburgun dhe do të zbuten me Austrinë, Zvicrën dhe Francën që nga e premtja, duke mundësuar udhëtimet e biznesit dhe vizitat në familje. Kontrollet kufitare, me këto vende, do të përfundojnë më 15 qershor nëse pandemia do të jetë nën kontroll.

“Ne kemi vendosur, në bashkëpunim me Francën, Zvicrën dhe Austrinë që të shtrijmë kontrollet në kufi që duhej të skadonin më 15 maj, deri më 15 qershor. Nëse disiplina e popullatës që ka të bëjë me higjienën, maskat dhe distancimin social, vazhdon, dhe pavarësisht masave të aplikuara në pjesën më të madhe të vendeve evropiane, ne mund të imagjinojmë që do të kemi lirinë e lëvizjes sërish më 15 qershor”.

Edhe Austria më herët, tha se kufiri i saj me Gjermaninë do të rihapej plotësisht në një muaj. Vendi alpin, ka këmbëngulur që kufiri të rihapet me qëllim çlirimin e industrisë së turizmit.

“Ne jemi në një mendje me Gjermaninë se duam të hapen plotësisht kufijtë mes Austrisë dhe Gjermanisë duke filluar nga 15 qershori, nëse numri i infektimeve do ta lejojë këtë”.

Kufijtë e Gjermanisë me Luksemburgun do të hapen tërësisht dhe Seehofer thotë se ai ishte i gatshëm ti hapte ato edhe me Danimarkën, nga 15 maji, por një marrëveshje zyrtare nuk është arritur ende. Kontrollet në kufijtë e jashtëm të BE do të qëndrojnë në fuqi deri më 15 qershor – tha Seehofer duke shtuar se është ende herët të zbuten kontrollet me Italinë dhe se nuk mund të lejohen as udhëtimet drejt Shteteve të Bashkuara.