SHPËRNDAJE

Gjermania e ka mposhtur Holandën me rezultat 3-2 në ndeshjen e vlefshme për Grupin C në kuadër të kualifikimeve për ‘Euro 2020’, e cila u zhvillua në ‘Johan Cruyff Arena’ të Amsterdamit.

Zhvillohej minuta e 15-të e takimit kur Nico Schulz dërgoi një top në zonë për Leroy Sanen e pamarkuar, i cili e dërgoi topin në rrjetë.

Pas dy rasteve të Ryan Babel që i ndali Manuel Neuer, erdhi goli i dytë i mysafirëve. Serge Gnabry e mposhti portierin Jasper Cillessen pas një solo aksioni (34′).

Në pjesën e dytë, vendasit i ndryshuan gjërat. Memphis Depay dërgoi një harkim të bukur në zonë, të cilin e priti Matthijs de Ligt për ta mposhtur me kokë Neuerin (48′).

Në vazhdim erdhi edhe goli i barazimit për Tulipanët. Georginio Wijnaldum dhuroi një pasim të thjeshtë për Memphis Depay që e dërgoi në rrjetë (63′).

Por, kjo ndeshje ishte një tjetër dëshmi se gjermanët luajnë deri në fishkëllimën e fundit. Nico Schulz priti një asistim preciz nga Marco Reus dhe e shënoi golin e fitores në fund të ndeshjes (90′).

Për Gjermaninë kjo ishte ndeshja e parë dhe fitorja e parë, ashtu që ka arkëtuar tri pikë dhe mban vendin e dytë në grup pas Irlandës së Veriut që ka regjistruar dy fitore. Holanda ka po ashtu tri pikë nga fitorja e arritur kundër Bjellorusisë me rezultat 4-0.