SHPËRNDAJE

Greqia ka raportuar rastin e saj të parë të konfirmuar nga coronavirusi, sipas agjencisë së lajmeve franceze AFP.

Një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në Greqi është deklaruar se personi i infektuar është një grua 38 vjeçare, e cila kishte udhëtuar së fundmi në veri të Italisë.

Sipas tij, e prekura nga ky virus, momenatalisht gjendet në një spital të Selanikut dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, autoritetet greke kanë deklaruar se në rast të ndonjë shpërthimi masiv, vendi do të detyrohet të mbyllë hapësirat publike, si dhe do të ketë kufizime të udhëtimeve.

Këto masa përfshijnë ndalime të udhëtimeve të përkohshme në vendet që kanë një numër të madh të infektuarve nga coronavirusi.

Raportohet se dekreti parashikon gjithashtu mbylljen e përkohshme të “zonave publike”, siç janë shkollat, kinematë, teatrot, sallat e sporteve dhe bizneset.

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur shëndetin publik”, tha zëdhënësi i qeverisë Stelios Petsas.