SHPËRNDAJE

Greta Thunberg, themeluese e lëvizjes “Youth Strike for Climate”, është nominuar për çmimin Nobel për Paqe, vetëm një ditë para aksionit më të madh global për ndryshimet klimatike.

Thunberg e nisi e vetme një protestë në muajin gusht në Suedi, por që prej atëherë ajo ka inspiruar nxënës e studentë në të gjithë botën. Greva e të Rinjve për Klimën fton nxënësit që çdo të premte të bojkotojnë mësimin dhe të protestojnë për ndryshimet klimatike. Deputeti socialist norvegjez, Freddy Andre Ovstegard, deklaroi se veprimi i Thunberg është një kontribut i madh për paqen.

“Ne e kemi nominuar Greta Thunberg sepse nëse ne bëjmë asgjë për ndryshimet klimatike, kjo do të bëhet shkaktare për luftë, konflikte dhe refugjatë”, tha ai. Përmes Twitter, Greta u shpreh falënderuese për këtë nominimin e saj.

“Jam shumë e nderuar dhe mirënjohëse për këtë kandidimin. Nesër ne do të bojkotojmë mësimin për të ardhmen tonë. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë derisa të jetë nevoja”, shkroi ajo.

Bojkotimi i mësimit, ndryshe si greva apo protesta për ndryshimet klimatike, pritet të ndodhë në 1,659 qytete në 105 vende të ndryshme të botës, duke përfshirë qindra mijë nxënës e studentë.