SHPËRNDAJE

UCK

Grupe të armatosura vazhdojnë të sillen dhe grumbullohen sërish në fshatrat e rrethinës së Kumanovës. Siç mëson ekskluzivisht agjencia e lajmeve “Zhurnal”, grupe të armatosura ekzistojnë e lëvizin në Malësinë e Karadakut të Kumanovës.
Jo zyrtarisht mësohet se këta persona po bëhen gati të kryejnë ndonjë sulm më serioz sesa incidenti që kishte ndodhur ditë më parë në Gushincë.

Policia e Maqedonisë nuk ka konfirmuar e as mohuar një gjë të tillë.

Por a ka nevojë për një konflikt të ri nga shqiptarët?

Të gjithë miqtë ndërkombëtarë të shqiptarëve, duke përfshirë SHBA-të, BE-në dhe vendet anëtare të NATO-s janë kundër një dhune dhe nxitje të ndonjë konflikti nga shqiptarët në Maqedoni.

Porosia e të gjithë diplomatëve të huaj që vizituan Maqedoninë gjatë ditëve të krizës politike ishte se nuk ka nevojë për konflikt të armatosur dhe se pushteti duhet të bie me mjete demokratike.

“Të gjitha palët duhet të sillen me përgjegjësi, të tentojnë të gjejnë mënyra që ta zgjidhin krizën. Maqedonia të përparojë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO. Fuqimisht besojmë se ka mundësi për integrim të mëtejshëm të Maqedonisë në institucionet evropiane dhe euroatlantike dhe ky duhet të jetë qëllimi primar edhe i opozitës dhe partisë qeveritare dhe Qeverisë”, theksoi zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Jee gjatë qëndrimit të tij në Shkup.

Në Maqedoni qëndruan edhe ambasadorë të pesë shteteve më me ndikim në qendrën e misionit të OSBE-së në Vjenë, të cilët gjithashtu theksuan se duhet të ruhet paqja dhe stabiliteti i këtij shteti.

Edhe politika zyrtare e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, si dy shtete të shqiptarëve thanë në mënyrë të prerë se një konflikt i ri nuk është në interes të shqiptarëve.

Shqipëria akuzoi dhe i kërkoi llogari Rusisë për veprimet e fundit pas rastit të Gushincës, ndërsa Kosova tha se në asnjë mënyrë nuk do të lejojë që çfarëdo grupe të prishin imazhin e Kosovës për të cilin shtet u dhanë me qindra mijë jetë të shqiptarëve.

Banorët e fshatrave të Karadakut të Kumanovës thanë se s’ka nevojë askush të vijë e të bëjë luftë në vatrat e tyre, pasi ende nuk i kanë shëruar plagët e luftës së vitit 2001. Ata qartë thanë se çdo kush që tenton për çfarëdo interesi të dëmtojë banorët e kësaj ane, nuk do të gjejë përkrahjen e banorëve.

Edhe ish komandantë të UÇK-së qartë thanë se nuk është koha të ketë luftë pasi ajo tani shkon vetëm në dobi të maqedonasve dhe interesave sllave. /Zhurnal/