SHPËRNDAJE

Triumfi përballë Hertha Berlin do të ishte mëse i mjaftueshëm që Bayerni i Mynihut të kurorëzohet kampion i këtij sezoni, kur mbeten edhe 7 ndeshje të tjera për t’u luajtur deri në fund të kampionatit. Edhe vetë Pep Guardiola, në sezonin debutues me kampionët në fuqi të Gjermanisë, ka mbetur i surprizuar me potencialin e skuadrës që drejton.

“Jam i habitur me arritjet e lojtarëve të mi. 18 fitore radhazi është një rekord mbresëlënës. Sa më shpejt ta fitonim titullin, aq më mirë do të ishte, por nuk duhet të harrojmë se do të luajmë përballë një kundërshtari të vështirë. Do të ishte një festë e madhe nëse mbyllim hesapet në kampionat që në javën e 27-të. Për mua trofeu i Bundesligës është më i rëndësishmi sepse duhet të tregosh formën më të mirë javë pas jave”.

Thiago Alcantara është i vetmi në dyshim nga radhët e bavarezëve, ndërkohë që trajneri spanjoll nuk e përjashtoi mundësinë e rotacionit për sfidën në kryeqytetin gjerman.

“Thiago do t’i nënshtrohet disa testeve të tjera, megjithatë të gjithë lojtarët e tjerë janë në formë. Në këto kushte, kemi mundësinë të aplikojmë sa rotacione të duam”.