SHPËRNDAJE

Arrestimet e kohëve të fundit në Shqipëri dhe proceset gjyqësore që kanë nisur ndaj personave të akuzuar për lidhje me krimin e organizuar, sipas Bashkimit Europian duhet të çohen deri në fund nga drejtësia.

Kjo thuhet në një njoftim që Zyra e Delegacionit Europian në Tiranë shpërndau pas takimit që komisioneri Hahn pati me Kryeministrin Rama pasditen e së enjtes.

“Veprimet e kohëve të fundit kundër krimit të organizuar si një shenjë pozitive në këtë drejtim, që megjithatë duhet të bëhet pjesë e një vazhdimësie arritjesh solide dhe të pasohet me ndjekje penale dhe dënime përfundimtare. Lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, mbeten prioritete në marrëdhëniet BE-Shqipëri”.

Komisioneri kërkoi që ristrukturimi i gjyqësorit duhet të përfundojë brenda javëve të ardhshme, ndërsa në takim u diskutua edhe çështja e azilkërkuesve shqiptarë, ku numri i aplikimeve vijon të mbetet i lartë.

“Komisioneri shprehu shqetësim rreth numrit ende të lartë të aplikimeve të pabazuara për azil nga qytetarë shqiptarë në disa shtete anëtare të BE-së. Shkaqet themelore duhet të trajtohen dhe bashkëpunimi me qeveritë e shteteve anëtare të BE-së, të prekura nga ky fenomen, duhet të intensifikohet më tej”.

Komisioneri përsëriti se dialogu konstruktiv politik midis të gjitha partive politike është thelbësore për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe se një marrëveshje ndërpartiake për reformën zgjedhore bazuar në rekomandimet nga OSBE-ODIHR, do të ishte një mundësi e mirë për ta treguar një gatishmëri të tillë.