SHPËRNDAJE

ʺGruaja që nuk bënë dashuri me një burrë edhe kur atë nuk e ka pranë fizikisht, nuk është e dashuruar. Dashuri, hakmarrje, frikë duel dhe vrasje. Histori sistemesh me revansh politik vrasës. Sisteme ku ngatërrohet fundi i shtetit dhe fillimi i individit. Krimi i vrasjes ka dalë në rrugë me të njëjtin intensitet dhe forcë që për dyzet vjet ka qenë në shtet. Dashuri gruaje dhe hakmarrje gruaje, bukuri gruaje që do të vrasin shëmtinë shqiptareʺ – citat nga libri.

 

Spartak Ngjela vjen para lexuesit me librin e tij të ri ʺHakmarrja e një gruajeʺ, botuar nga shtëpia botuese “Dritëro” me gjithsejt 480 faqe.

Libri, me një fjalë, është çaste çlodhjeje në mendim, çaste përjetimi të një ankthi të vazhdueshëm që shikohet sa larg dhe afër si një peizazh natyrorë ku befas lindin shtrëngatat e moralitetit të pavendosur në shtetin shqiptarë.

Përshkrimi, shpjegimi, i një abstraksioni të dëshirës për pushtet që vret nga instinkti ʺi një amalgame, orientalo ̵ primitiveʺ. Pushtete me padituri i kundërvihen dhunshëm individit e po ashtu edhe gruas.

Këtij libri nuk i mungon kadifeja e dashurisë së gruas, ʺkullimi i bukurisë femëroreʺ  në çdo lëvizje të sajë. Ajo është një mësim dashurie, një dije krenarie, një syrgjyn i imoralitetit dhe dhunës së burrit.

Depersonaliteti i burrit nga tirania e vazhdueshme e ka zbrazur atë nga erosi artistik. Mungesa e virtytit te burri; gruas nuk ia humb toruan, por ajo vazhdon ta dashurojë  edhe më etshëm të bukurën.

Libri  ka një rëndësi të veçantë për lexuesin dhe kryesisht për lexuesin e brezit të ri në të gjithë ligjërimin shqiptarë, pasi i dhurohet këtij dashamiri, dije mbi sistemet e pushtetit dhunues në Shqipëri, që nga dyzetvjeçari komunist e deri në zgjatimin e sotëm në shumë hallka të së përditshmes.

Dhe, jo vetëm kaq, por edhe përcjelljen e kumtimit të dashurisë së gruas, do ndjejë përmes rreshtash shkëlqimin femërorë të shfaqur në çdo shikim të saj. Një libër i domosdoshëm për bibliotekën e mendjes.