SHPËRNDAJE

Zgjedhjet

Deputeti popullor dhe kryetari i PVD-së Riza Halimi ka thënë se ai beson që në zgjedhjet e ardhshme nuk do të përsëritet problemi me listat zgjedhore, pasi shqiptarët në alfabetin qirilik janë shkruar në mënyrë jo adekuate.

Halimi ka thënë se PVD ka dërguar propozim të gjitha partive që veprojnë në Luginë që të kërkojnë nga administrata lokale në Preshevë që të rregullojë listat zgjedhore.

“Në listat zgjedhore janë vetëm gjysma e emrave të shqiptarëve të shkruara në gjuhën shqipe. Ky problem ka qenë edhe para katër viteve, andaj edhe votimi është dashur të vazhdoj edhe pas orës 20, pasi njerëzit që kanë pasë të drejtë vote nuk kanë mund të gjenden në listat zgjedhore” ka thënë Halimi, transmeton presheva.com.

Halimi ka thënë se aktivistët e partisë kanë vërtetuar se ende nuk është evituar ky problem me listat zgjedhore në Preshevë.

“Me qirilicë nuk mund të shkruhen në mënyrë precize emrat dhe mbiemrat e gjuhës shqipe. Në zgjedhjet lokale para katër vite disa shifra dhe shenja kanë shkaktuar edhe më shumë konfuzion dhe qytetarëve iu është pamundësuar që të votojnë edhe pse kanë pasë të drejtë vote” ka shtuar ai.

Kryetari i PVD-së ka thënë se partitë politike ende nuk kanë diskutuar seriozisht rreth pjesmarrjes së mundshme në mënyrë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare.