SHPËRNDAJE

Partia për Veprim Demokratik e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e udhëhequr nga Riza Halimi, ka vendosur të jetë pjesë e procesit zgjedhor, në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, më 16 Mars.
Pavarësisht se shumica e partive refuzuan pas një mbledhjeje, në të cilën ishte edhe Halimi, deri tani deputet në Kuvendin e Serbisë, partia si tërësi vendosi të marrë pjesë, gjë që ishte sugjerim edhe i qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës.

“Prej vitit 1990, atëherë kur kemi dalë për herë të parë si parti e parë politike dhe e vetmja rajonale, kemi pasur për orientim zgjidhjen e problemeve, duke marrë parasysh edhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejt në proceset zgjedhore. Në këtë drejtim, do të ishte gabim i pafalshëm, po të merrnim vendim të kundërt”, tha Riza Halimi, PVD Preshevë, raporton TCH.

Halimi tha se partitë e tjera janë të pavarura dhe se shpreson që shqiptarët të jenë në Parlamentin serb, në mënyrë që të lobojnë për të drejtat e tyre.

“Presim një përkrahje të shumicës së shqiptarëve, që t’i arrijmë kriteret e nevojshme së paku për një deputet”, shtoi më tej Riza Halimi.

Shqiptarët në jug të Serbisë do të mund të merrnin dy deputetë me një angazhim më të madh, por në rrethana përçarjesh, vështirë se votat do të jenë edhe për një.