SHPËRNDAJE

I duhej vendi i 5-të, për t’u shpallur kampion, por Lewis Hamilton e ka fituar titullin Kampion Bote në Formula 1 nga vendi i 9-të.
Ka nisur ashtu siç nuk mund të pritej kurrë gara për Çmimin e Madh të Meksikës, me dy pretendentët Sebastian Vettel dhe Lewis Hamilton që pa mbaruar xhiroja e parë e kanë parë veten në dy vendet e fundit.

Vettel tentoi gjithçka për t’ia dalë mbanë duke e përfunduar garën në vendin e katërt, por nuk ka marrë pikët e nevojshme për të qenë akoma në garë me pilotin britanik.

Ndërsa janë edhe 2 gara për t’u zhvilluar, diferenca mes 2 pilotëve është 56 pikë nga 50 që janë akoma në lojë.

Vettel nisej i pari, por Verstappen e ka parakaluar duke pasur edhe një kontakt mes tyre, piloti i Ferrarit është parakaluar menjëherë edhe nga Hamilton.

Në kthesë ka pasur një tjetër kontakt, këtë herë mes Vettel dhe Hamilton, ku pjesa e përparme e Ferrarit është shpërbërë kur ka kapur në gomën e Mercedesit të Hamilton.

Sido që të jetë, në fund Hamilton arriti që nga vendi i nëntë të shpallej kampion.

“Mercedesi ka qenë fantastik në pesë vitet e fundit. Faleminderit të gjithëve që ishit këtu sot dhe që më mbështet”, ishin fjalët e para të Hamilton.