SHPËRNDAJE

Hamilton

Lewis Hamilton qëllon lart, dhe këtë herë nuk bëhet fjalë për ambiciet në aspektin sportiv, por dhe në pretendimet e tij ekonomike.

70 milionë euro në sezon, është kjo kërkesa e pilotit britanik për të rinovuar kontratën që i skadon në fund të këtij sezoni me Mercedes.

Kampioni aktual i botës në Formula 1 po ushtron presion për një rritje të jashtëzakonshme të pagës, dhe shifrat i përcjell e përditshmja angleze “The Times”: 1.4 milionë euro në javë.

Problemi i rinovimit të kontratës së kampionit ishte shfaqur edhe vitin e kaluar menjëherë pas fitores së Botërorit në Abu Dhabi. Mercedes kërkonte që të mbyllte gjithçka me nxitim, por gjatë gjithë dimrit nuk ja doli që të gjente një akord.

Tani çështja është bërë akoma më e mprehtë dhe Lewis vështirë se do të hedhë firmën në kontratën e re para fillimit të Çmimit të Madh të Melbourne që do të hapë sezonin e ri në 15 mars.

Bosi i skuadrës, Toto Wolf u përpoq të qetësonte gjakrat duke deklaruar: “Duam ta rinovojmë kontratën sa më shpejt, por pa vendosur afate skadimi pasi ato krijojnë tension. Të jeni të sigurt se Hamilton dëshiron të qëndrojë me ne”