SHPËRNDAJE

Ministrat e brendshëm të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë si dhe zv/kryeministri për çështje evropiane i Maqedonisë, Bujar Osmani nënshkruan sot marrëveshjen për hapjen e pikës kufitare Llojan – Miratoc, që lidh vendbanimet e rajonit të Kumanovës dhe në anën tjetër të Luginës së Preshevës.

Marrëveshja pritet të ratifikohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe atë të Serbisë deri në fund të vitit, ndërsa hapja e tij nuk do të dihet se kur do të ndodhë, për shkak të rregullimit të infrastrukturës kufitare në të dyja anët e kufirit.

Ministri i brendshëm Oliver Spasovski tha se ky vendkalim kufitar është problem me të cilin qytetarët e të dyja vendeve ballafaqohen për gati 20 vite.

“Puna jonë fillon me hapjen e vendkalimit të përbashkët i cili në fillim do të jetë lokal, ndërsa pas plotësimit të projektit do të shndërrohet në vendkalim për qarkullim ndërkombëtar”, theksoi Spasovski.

Ministri i brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq theksoi se shpreson që së shpejti ky vendkalim të jetë i llojit edhe për mallra.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani thotë se vendkalimi kufitar Llojan-Miratoc është produkt i “mini Shengenit” Ballkanik.

Pika kufitare  Llojan-Miratoc në fillim do të shërbej si vendkalim lokal për nevojat e qytetarëve të atij rajoni, ku fillimisht do të ketë lëvizje të kufizuar, gjatë sezonit veror nga ora 6 deri në orën 22 ndërsa gjatë dimrit nga ora 6 deri në orën 18./presheva.com/