SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova është pjesë e kombeve euroatlantike, pjesë e koalicionit që lufton ekstremizmin.

Këtë deklaratë Haradinaj e dha në Konferencën “Të bashkuar në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm – Partneriteti për sukses”, në Tiranë. Aty ishin të pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov, si dhe princi i Jordanisë, Ghazi bin Muhammad.

Duke folur para ekspertëve të antiterrorizmit, përfaqësuesve të shumtë politikë e fetarë, Haradinaj tha se ideja e ekstremistëve është të përdorin rrjete të ndryshme, rrjete të bamirësisë apo edhe rrjete tjera fetare dhe fatkeqësisht kanë rekrutuar njerëz brenda rrjeteve në secilin vend.

“Kosova është e ndërgjegjshme sa i përket rrezikut të ekstremizmit. Ne si vend i vogël kemi pasur shkuarje në luftëra të huaja, por po ashtu ne kemi parandaluar udhëtimin e disa personave që të shkojnë atje. Problemet dhe lajmet që vijnë nga lufta atje i kanë bërë qytetarët të kuptojnë rrezikun” tha Haradinaj.

Duke qenë se Kosova është shtet i ri, Haradinaj tha se alternativa që ekziston është të shihet se familja është e rëndësishme dhe hapi i parë që duhet të merret në parandalimin e ekstremizmit, është ruajtja e familjes.

“Ne mbështetemi shumë në familje sepse ajo është instituti i parë që duhet të veprojë”, tha Haradinaj.

Megjithatë, ai tha se në Kosovë ka ende punë për t’u bërë.

“Duam të jemi një ekip, të bashkëpunojmë dhe shpresoj që çelësi për sukses është bashkëpunimi brenda shtetit, bashkëpunimi në mes të kombeve”, tha më tej ai.

Haradinaj tha se të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se mund të jenë të përdorur nga terroristët, andaj “interesi është që të gjithë së bashku të punojmë edhe me organizatat botërore”.

Në njoftimin e kryeministrisë thuhet se Haradinaj ka theksuar interesimin e Kosovës që në nëntor të bëhet pjesë e Interpolit.

Po ashtu, Haradinaj tha se “mizoritë në luftërat e ISIS-it kanë ndihmuar botën që të kuptojë se sa e rrezikshme është kjo ideologji e kamufluar nën petkun fetar, kështu që ndërgjegjësimi tani për tani është shumë i mirë dhe çdo kush është i vetëdijshëm nga rreziku i terrorizmit”./Koha