SHPËRNDAJE

Kryeministri Ramush Haradinaj i është përgjigjur deklaratave të presidentit Hashim Thaci se ai duhet të tregohet më i mençur dhe jo komod në pozitën që e ka.

Haradinaj ka thënë se gabon kushdo që mendon se mund ta disiplinoj atë me pushtet.

“Unë ky jam, edhe i hequr edhe në detyrë, nuk ndërroj. Ne e kemi dhënë një jetë për ato që kemi besu, nëse dikush mendon që mundet me më disiplinu me një karrige, gabim e ka, kushdo qoftë”, ka thënë ai.

“Unë asnjëherë nuk kam bërë një dakordim që Kosova e Serbia të njihen reciprokisht përmes territoreve apo kufijve, kjo le të harrohet, nga çdokush”, ka thënë Haradinaj.

“Nuk është rruga deri të zgjidhja, por te telashet tjera”, ka thënë kryeministri Haradinaj për idenë e korrigjimit të kufijve të shpalosur tashmë nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Kryeministri Haradinaj në Rubikon të KTV-së ka përsëritur se kjo ide është gabim dhe është kategorikisht kundër.

“Mendoj se kjo është kuptuar nga vendimmarrësit që nuk ka terren për një opsion të këtillë dhe ajo që kishte thënë presidenti që kush ka alternativë, unë jam i gatshëm. Mendoj që alternativa ekziston dhe ajo është që me jetu në paqe të dy popujt, po jo me e hap Kosova vetveten sepse kjo nuk është paqe, kjo është destabilizim”, ka thënë Haradinaj.

“Ka alternativë, konsolidimi i vetvetes, me jetu në paqe me ta, ndoshta kjo nuk i kënaq apetitet e Beogradit zyrtar por as ata nuk po i kënaqin apetitet tona. Duhet mu ndalë diku, mendoj se respektimi në këta kufij, në këtë territor dhe njohja është alternativa, kjo është sepse na tash nuk mund të shpikim alternativa”, ka shtuar ai.

“Ka vdekur si opsion. Askush nuk është i gatshëm të hyjë në eksperimente të tilla. Nuk besoj se do të pranonte dikush të luante me ato veprime në aspektin global”, ka thënë Haradinaj.