SHPËRNDAJE

Kosova pret nga Komisioni Evropian që të mërkurën të vlerësojë se janë përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe i njëjti të hapë procesin pozitiv për këtë gjë, ka thënë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai i ka bërë këto deklarata një ditë para nisjes së delegacionit të Kosovës në Bruksel, me ç’rast do të takojnë zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Pjesë e delegacionit të Kosovës do të jenë, presidenti, Hashim Thaçi, kryeministri, Ramush Haradinaj, ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, si dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.

“Qytetarët e Kosovës, ata nga të cilët ne politikanët varemi, e presin liberalizimin. Pra, është bukur vështirë për Kosovën, ta zëmë, që të mos e presin liberalizimin dhe të mos ndodhë liberalizimi. Kjo është kryesorja sipas meje”, tha Haradinaj.

Megjithatë, Haradinaj ka theksuar se një vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian për Kosovën, do të jetë vetëm realizim i hapit të parë drejt liberalizimit të vizave.