SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shprehur këmbëngulësi se nuk do të ndryshoj asnjëherë qëndrimin për kufijtë edhe nëse bëhet kiameti.

Ai ka thënë se nuk i ka borxh askujt që të pranoj një marrëveshje që do të shkonte në dëm të vendit.

“Presidenti është zgjedhur para koalicionit qeverisës. Marrja e përgjegjësisë së kryeministrit nuk më obligon mua të pajtohem me një ide që rrezikon territorin dhe kufijtë e vendit tim. Ata që e kanë zgjedh presidentin, duhet të bëhen bashkë 80 veta dhe ta shkarkojnë. Unë e respektoj kontratën që kam me ta, por nuk i kam borxh as Kadris, Hashimit, Behgjetit, Fatmirit apo kujtdo tjetër që të pajtohem me idetë e tyre që rrezikojnë territorin”, ka theksur Haradinaj.

Sipas tij, dialogu është obligues, ndërsa pjesa që i takon qeverisë ka shumë obligime brenda.

“Dikur kam qenë dakord që dialogun ta udhëheq presidenti sepse kam shumë punë tjera me të cilat po merrem, s’mund ti bëj të gjitha punët e Kosovës. Nuk kam paraparë zgjedhje, kurrë s’kam qenë i pari që ka kërkuar zgjedhje, por nëse vendoset atëherë shkojmë s’ka problem. Nuk e kam obligim të respektoj opsionin e një marrëveshje që nënkupton lëvizjen e territorit, apo ndryshimin e kufijve. Të shkojmë në zgjedhje sot, nesër apo kurdo , le të bëhet kiameti por nuk e ndryshoj qëndrimin për kufijtë”, ka thënë tutje Haradinaj.