SHPËRNDAJE

“Dikur kur kemi qenë në kohë të okupimit e kemi dëshiruar, e kemi menduar dhe kemi ëndërruar se ku do të arrijë. Atëherë janë kërkuar idealistët më të mëdhenj të mundshëm, të cilët e kanë ëndërruar, e kanë imagjinuar se ku do të jemi. Tani në Kosovë ne jetojmë dhe e shohim se ku duhet të jemi, por nuk e kemi arritur. Pra është një sfidë sikur kur i afrohesh majës për të cilën ke rrugëtuar gjatë, e je shumë afër, por ende nuk e ke arritur”, kështu tha Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në ligjëratën e mbajtur sot në  Universitetin Europian të Tiranës.

Haradinaj është njoftuar nga udhëheqësia e këtij Universiteti, për punën dhe sfidat me të cilat përballet ky universitet, në të cilin ndjekin studimet edhe studentë nga Kosova, duke thënë se sfidë e çdo shoqërie është ta konsolidojë rendin dhe ligjin, ndërsa shtoi se nuk po bëhet rend dhe ligj vetëm sa për të jetuar të qetë në Kosovë, por po bëhet rend e ligj për ta kundërshtuar një palë tjetër që nuk dëshiron që ne ta përmbyllim një rend dhe ligj të një shteti sovran.

“Nëse ne punojmë për një zhvillim ekonomik, ne punojmë kundër një teze se Kosova është e paqëndrueshme, se ekonomia e saj dikur ishte e lidhur me një ekonomi tjetër, se resurset e saj nuk janë të gjenerueshme nga po këta njerëz. Kësisoj lista është e gjatë”, tha kryeministri Haradinaj, para udhëheqësve dhe studentëve të këtij institucioni arsimor.

Ai theksoi se që nga koha kur ka marrë të udhëheqë me qeverinë, një vit më parë, qëllimi i tij nuk ka qenë që të kritikojë dhe të humb kohë që të flas për pararendësit e tij, por që në çdo kohë të përballet me tema të mëdha e të vogla, për të cilat janë arritur rezultate.

Haradinaj përmendi se në disa qendra vendimmarrëse me rëndësi për kombin tonë është kthyer një besim i caktuar, nuk është ai që na nevojitet, por është një besim i caktuar.