SHPËRNDAJE

Të shtunën ka nisur manifestimi me karakter kombëtar “Flaka e Janarit 2014” që mbahet në nderim të 30 vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit, Rexhep Mala e Nuhi Berisha. Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, fillimisht ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve të kombit, duke vënë kurora lulesh, shkruan Koha.

Me këtë rast, Haziri është shprehur se gjunjëzohet para veprave të dëshmorëve që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës.

“Ne gjunjëzohemi para atyre që kanë dhënë jetën për lirinë, që kanë dhënë më të shtrenjtën, dhe falë sakrificës së tyre, martirizimit dhe heroizimit të dëshmorëve, ne sot jemi këtu në këtë ditë të bardhë, në këtë liri që Kosova po e gëzon”, ka thënë Haziri.

Më pas, ai ka bërë homazhe edhe para lapidarit të dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, për të vazhduar te busti i dëshmorit Agim Ramadani.

Më pas, Haziri ka pritur familjarët e dëshmorëve në sallën e Kuvendit Komunal, për t’i falënderuar për sakrificën dhe qëndresën e tyre gjatë gjithë këtyre viteve.

“Jam i vogël sot të flas para familjet e mëdha dhe mbi të gjitha para veprës së madhe të dëshmorëve. Të gjithë dëshmorët para Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, por edhe ata pas tyre, kanë vazhduar të njëjtën rrugë për liri dhe të njëjtën rrugë për të drejtat e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë ata. Kjo sot është më e plotë por jo aq sa ishte aspirata dhe ideali i tyre. Natyrisht ne të gjallët e kemi për detyrë ta vazhdojmë rrugën drejt realizimit të plot të aspiratave të tyre”, ka thënë në fjalën e rastit kryetari Haziri.

“Duke qenë kryetar i ri i zgjedhur vetëm para disa javësh, jam i nderuar dhe shumë i lumtur që po kthehem në Komunë dhe në “Flakën e Janarit”. “Flaka e Janarit” është sinonim i respektit dhe i nderit për familjet e dëshmorëve dhe për veprat e mëdha të dëshmorëve. Ky vit i përkushtohet veprave të tyre, si çdo vit por në ballë të tyre janë dy dëshmorë të mëdhenj që 30 vjet më parë bënë veprën e madhe dhe bënë thirrjen e madhe, sepse thirrja e madhe pas rënies së tyre ishte se lufta duhet të vazhdoj dhe se përpjekjet duhet të vazhdojnë dhe ecjet tona nuk duhet të ndalen deri në realizimin e plotë”, tha Haziri.