SHPËRNDAJE

Shkruan: Ramadan Rexhepi

Atë ditë që mësova se kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës më kishte nderuar me çmimin ”Esat Mekuli” për krijimtari të përgjithshme, mendimi im i parë ishte ky:
Çka t’ u them miqëve për një krijimtari që ka dalë larg nga trualli ku mësova shkronjat e para të gjuhës shqipe? Çka t’ u them shokëve që pritën 60 e sa vjet për ta parë Kosovën të lirë e të pavarur dhe s’ kanë aq të ardhura as për ta nxjerrë muajin deri në fund? Çka t’ u them të rinjëve e të rejave që rrokën armët për ta çliruar vendlindjen dhe tani që ajo është shtet më vete, s’ po shohin rrugëdalje tjetër veçse t’ ia kthejnë shpinën e të ikin drejt Perëndimit? A po vete në Prishtinë për ta ngrënë një drekë me shokët e mi apo po vete për ta hapur gojën kundër kësaj dukurie që na ka shndërruar në sherbëtorë të botës?
E ndjeva veten keq. Të shastisur. Çka do të thonte Esad Mekuli, që na mësonte se jemi shqiptarë dhe jo bij të një pakice kombtare, të cilën serbët gjithënjë po e quajnë ”shiftari”? Përse arrestoheshin, rriheshin e torturoheshin shokët tanë nëpër burgjet jugosllave? Përse u çua Kosova në këmbë? Përse ndodhi ai egzodi i madh, biblik, kur me mijëra gra e burra e fëmij ia mësyen Bllacës e Qafë Morinës? Përse derdhën gjakun e tyre djemt dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? Mos e bënë vallë që dhe sot, kur Kosova është e pavarur, ta furnizojnë tregun evropjan me bojaxhinj, pjatalarës, narkotrafikanë e prostituta? A po e kuptojnë djemt e vajzat tona domethënien e fjalës ”mërgim” apo e kanë ngatërruar me mitet e Lëvizjes Serbomadhe, që na mëson se ”Kosova është Serbi” dhe shqiptarët duhet të mbyten në detë?
Të hështësh apo të flasësh, kjo është pyetja.
Misioni ynë s’ është i lehtë, sepse jemi duarthatë dhe s’ kemi armë tjera përpos lapsave dhe gomave. T’ i sfidosh ata që kanë në dispozicion policë, ushtarë, tanksa, gjykata, burgje e një varg instrumentesh tjera për shtypjen e njeriut – është njësoj si ta sfidosh të pamundurën. Të jesh sot shkrimtar është një pikëllim i madh sepse nga ta kthesh kokën, të pret një realitet i vurratur me axhaminj, gënjeshtarë e politikanë që s’ kanë mbaruar as klasat e para të gjimnnazit.
Sikur Esadi të jetonte nja njëqind vjet më parë, shqetësimi im do t’ ishte më i vogël, sepse Naim Frashëri, Vaso Pasha e Filip Shiroka jetonin në një perandori që fillonte nga Bosna dhe mbaronte në Jemen. N’ atë perandori shqiptarët s’ kishin nevojë për “minishengene” e viza evropjane dhe mundeshin të kërkonin punë kudo që kishte nevojë për te. Ata ishin shtetas të Perandorisë Osmane dhe askush s’ ua merte të drejtën e lëvizjes. Sot, kur shqiptarët kanë dy shtete të lirë e të pavarur, dy kryeqytete, dy akademi të shkencave e dy qeveri, ikja e tyre nga atdheu është një dukuri sa tragjike, aq edhe vetëvrasëse, dhe ajo duhet luftuar me çdo mjet që kemi në dispozicion.
Ky është shkaku pse dua t’i shkruaj ca fjalë mbi mërgimin dhe mërgatën shqiptare. Kjo s’ do të thotë se jam ”ekspert” si këshilltarët e zotit Ramush apo zotit Hashim, por sepse këtë dukuri e kam trajtuar disa herë në tregimet dhe novelat e mia.
Do filloj me fjalën “mërgim”.
Fjalori i gjuhës shqipe na mëson se fjala ”mërgim” ka kuptimin e “shpërnguljes në dhê të huaj.” Shpërngulja ndodhë për shkaqe të ndryshme, por ato më kryesoret janë ekonomike dhe politike. Rrjedhimisht, duke qenë se mërgimi “politik” i shqiptarëve të Kosovës , Maqedonisë, Serbisë e Çamërisë është realizuar me dhunë, ai s’ duhet ngatërruar me mërgimin që po ndodhë pas çlirimit të Shqipërisë dhe Kosovës. Të paktën, jo në takime si këta që po zhvillohen në Bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani”.
Po vazhdoj. Shqiptarët dilnin në kurbet për të gjetur punë dhe, me të hollat që fitonin, i mbanin familjet e tyre gjallë. Që kështu është na mësojnë si këngët popullore, ashtu dhe doket që praktikoheshin kur ata iknin në ”kurbet”. Po ta ndjekim vazhdën e kësaj logjike, do të shohim se ata s’ kërkonin punë vetëm në Greqi, Bullgari, Rumani e Turqi, po dhe në Liban, Egjipt e vende tjera të Lindjes së Afërme. Më vonë do të shkonin edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada e Australi… Ajo që duhet nënvizuar është se – ata kërkues të punës fizike ishin burra të ndershëm e të respektuar në cilindo nga shtatë kontinentet që ka Rruzulli.
Kjo, pra, s’ duhet ngatërruar me mërgimin e vëllezërve arbëresh, të cilët ikën nga vendlindja menjëherë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skenderbeut. S’ duhet ngatërruar as me shqiptarët që dolën në Greqi pas rënjes së Komunizmit. S’ duhet ngatërruar as me shqiptarët që grupe grupe ikën pas Demonstratave të Kosovës dhe u vendosën në Zvicër, Gjermani e shtetet skandinave. Ato shpërngulje janë ”politike” dhe Organizata e Kombete të Bashkuara i konsideron spastrime etnike. Sikur të mos ishin të ndaluara, anëtarët e Natos nuk do ta bombardonin Serbinë dyzet e ca ditë me radhë.
Po vazhdoj me mërgatën.
Ata që iknin nga fshatrat e tyre dhe dilnin në dhê të huaj për bukën e gojës quheshin “kurbetqarë.” Ishin pjatalarës, rrobaqepës, muratorë, ikonografë, parukierë, argjendarë, bukëpjekës, hamaj, pastrues të rrugëve, rojtarë, policë, etjera, etjera, por kishte në mesin e tyre edhe tregtarë të vegjël e zejtarë të profileve të ndryshme.
Me përjashtim të arbëreshëve, që i ruajtën këngët, vallet dhe doket e të parëve, dimë fare pak mbi të përditshmen e tyre. Falë veprimtarisë së Naim e Sami Frashërit, Nikolla Naços, Shahin Kolonjës, Thimi Mitkos e Vaso Pashë Shkodranit e marrim me mend se jeta e tyre ka qenë plot vuajtje e peripeci. Aq më e vështirë do ketë qenë jeta e grave dhe fëmijve të tyre, që duhej t’ i ruanin shtëpitë dhe të kujdesen për mirëqenien e atdheut.
Se si ndodhi që tani gjuhtarët filluan ta quajnë atë pjesë të shkëputur nga trungu i kombit “diasporë”, nuk e di. Mendoj se ai term hyri në fjalorin e Shqipes nga shkrimtarët arbëresh, që ishin nga Morea. Fjala ”diasporë” ka prejardhje nga greqishtja dhe përdoret për grupe etnike që e lëshojnë atdheun e tyre tradicional dhe vendosen në treva tjera. Vetë arbëreshët, që janë mërgimtarët të vjetër, e përdorin fjalën “gjak i shprishur” dhe ky term më duket më i përshtatshëm për ata që sot jetojnë në Austri, Zvicër, Gjermani, Francë, Belgjikë, Holandë e shtetet skandinave. Ndërkohë, duke qenë se fjala “diasporë” po përdoret edhe për ata që jetojnë në Australi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Amerikën Latine, do ta përdor edhe unë aty ku është e nevojshme.
Më lejoni ta cekë atë më të rëndësishmen.
Kontributi i diasporës për çlirimin e atdheut është i pamohueshëm. Kur flas për atdheun, flas për Shqipërinë dhe të gjitha trevat e shkëputura prej saj. Askush në botë s’ mundet t’i mohojë përpjekjet e Arbëreshve të Italisë dhe shqiptarëve të Turqisë, Egjiptit, Rumanisë, Bullgarisë, Greqisë e Amerikës. Ai kontribut moral e shpirtëror ka shërbyer si metafore e qëndresës dhe luftës së shqiptarëve për liri e pavarsi.
Është një fat i madh, pra, një fat i gërvishtur në qiell, që Italia në kohën e Gjergj Kastriotit ishte e coptuar në principata dhe Kalabria e Sicilia qeveriseshin nga Burbonet e Spanjës; se t’ ishte e kundërta, arbereshët e Kalabrisë dhe Sicilisë do të shkriheshin me vendasit italianë njësoj siç u shkrinë shqiptarët me vendasit turq, grekë e amerikanë. Pa marrë parasysh se ç’ thonë faqet elektronike mbi shqiptarët e Turqisë, Sirisë, Egjiptit, Rumanisë apo Bullgarisë, fakt është se 95% e asaj popullate janë bërë turq, arabë, rumunë e bullgarë. Gabojmë shumë nëse mendojmë se arbëreshët bëjnë përjashtim nga ky rregull. Sikur t’ ishte Italia e bashkuar në kohën e egzodit arbëresh, edhe ata do të shprisheshin si gjaku në ujë.
Fatlumnisht, kjo nuk ndodhi sepse katundet arbereshe ishin të izoluara dhe populli i asaj zone s’ kishte opcion më të mirë se të fliste arbërisht. Falë atij izolimi dhe falë armiqsisë së përhershme midis principatave italiane, arbëreshët i ruajtën doket dhe zakonet e tyre. Veprat që na kanë lënë Jul Variboba, Lekë Matrënga, Nikollë Keta, Françesk Santori, Dhimitër Kamarda, Jeronim de Rada, Zef Serembe, Zef Skiroi, etj. etj. dëshmojnë se qëndresa e tyre ishte në përputhje me parimet shkencore dhe jo me parimet e vetëmashtrimit tonë zyrtar. Ky vetëmashtrim i ka zaptuar të gjitha faqet elektronike dhe po i josh shqiptarët të ikin sa më shpejt ngavendlindja e tyre. Me fjalë tjera, është meritë e komunitetit arbëresh dhe intelektualëve që dolën nga ai ambient i izoluar, që emri ”arberesh” u shkrua me shkronja te arta dhe sot mund ta studjojmë gjuhën që flisnin të parët tanë. Mjerisht, shqipja e mërgimtarve të sotëm është plot me greqizma, italizma, gjermanizma e suedizma.
Ndërkohë, duhet cekur se qëndresa arbëreshe ndodhi vetëm një herë. Më vonë, arbëreshët që shkuan në Argjentinë u bënë argjentinas, arbëreshët që shkuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë amerikanë dhe arbëreshët që shkuan në Kanada u bënë kanadezë. E njejta ka ndodhur me shqiptarët tjerë; shqiptarët që u shpërngulën në Turqi u bënë turq; shqiptaret që shpërngulën në Greqi u bënë grekë dhe shqiptarët që tani do të shkojnë në Gjermani do bëhen gjermanë.
U bë shkas, pra, vendimi i Lidhjes së Shkrimtarëve që unë, themelues i disa shoqatave kulturore shqiptare, pas një heshtjeje relativisht të gjatë, dua ta hap gojën dhe të nënvizoj se – falë katrahurës që po mbretëron në Shqipëri e Kosovë – edhe diaspora është përçarë në klane dhe jazi midis tyre nuk është më i cekët se Ngushtica e Tarantos. Kjo, për fatin e keq të popullit tonë, po ndodhë në një kohë kur fatin e Kosovës s’ e kanë në dorë radikalët e Sheshelit apo nacionalistët e Vuçiqit, por ata, që dje mblidhnin marka, frangë e euro për çlirimin e Kosovës, ndërsa sot po tregtojnë me gjakun e saj. Kushdo që arsyeton ndryshe duhet të jetë ja hipokrit ja me të meta mendore.
E kam prekur këtë plagë qysh në vitin 1991, kur fillova t’ i shkruaj kapitujt e parë të romanit “Dilemat e Emrush Dokos”. E kam prekur edhe në çdo emision që e përgadisja për mërgimtarët e Suedisë Jugore me kolegun Zeqir Rama.
Ishim te diaspora.
Sot diaspora mund të krahasohet me Lëmshin gordian. Ajo ka lëshuar rrënjë në një territor që shtrihet nga Kiruna e Suedisë e deri në Gran Kanaria të Spanjës. Deri dje ajo ishte në thonjtë e Lëvizjes Popullore, sot ajo është nën kontrollin e klaneve mafioze, të cilat s’ e kanë as hallin e Kosovës, as hallin e Shqipërisë, por e kanë hallin e xhepave të tyre.
Ndal pak, do thoni. Diaspora po merret me mësim plotsues, me shkolla shqipe, me qendra të kulturës, me përvjetore, me argëtime, me disko, argëtime…
Jam plotësisht dakort me juve. Sot, pas shtypjes që Kosova përjetoi 60 vjet me radhë, diaspora është mbyllur në një kështjellë të flidishtë dhe po e kuron ndërgjegjen e saj me ndonjë artikull vetadmirimi dhe me lëmoshat që po ia falin danezët, suedezët apo norvegjezët si ngushllim për përpjekjes e saj të integrohet ( lexo: asimilohet) në shoqërinë evropjane. Ata pak askusha, që vit për vit e zgjedhin njëri tjetrin në poste “të larta” dhe sigurojnë ca para të pista, janë si Shën Jovani që endej rreth e përqark shkretirave të Jordanisë dhe i pagëzonte ca barinj injorantë që s’ dinin veçse t’ u shkojnë deleve prapa.
Historia shqiptare njeh dy diaspora: diasporën e hershme dhe diasporën e tashme.
Nëse diaspora e djeshme përbëhej nga pjatalarësit, rrobaqepësit, sharraxhinjtë e zejtarët e vegjël, kjo e sotmja përbëhet nga aktorë tjerë, shqiptarë e jo shqiptarë, që secili për hesap të vetin, donë t’ i mbushin xhepat me gjak. Shfletoni faqet elektronike dhe do shihni për çka e kam fjalën. Në gjirin e saj kanë depërtuar narkotrafikantë italianë, prostituta moldave, ambasadorë të huaj, ish gjyjatës të Enver Hoxhës, priftërinj serbë, hoxhallarë arabë, prifterinj grekë, përfaqsues të Bashkimit Evropjan, arixhinj suedezë dhe, kuptohet vetvetiu, miq të ngushtë të pushtetarëve të djeshëm. Më lehtë është të ngjitesh në maje të Tomorrit, se ta bësh autopsinë e kësaj të dytës. Kush s’ ka hyrë në radhët e saj? Që ta përshkruash ata armatë dallkaukësh , të cilët po e përçajnë, copëtojnë dhe rjepin diasporën duhet një ekip i gjatë gazetarësh e shkrimtarësh të sinqertë.
Kryesorja: asnjë popull tjetër s’ ka paguar tatim kaq të lartë për një pavarësi kaq të vogël. Asnjë popull tjetër s’ ka mbledhur aq marka, franga e euro për t’ ua mbushur xhepat ca pushtetarëve injorantë që ia vodhën armët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ua bënë peshqesh ca grekofilëve të qelbur. Ishin po këta servilë që sot po shiten atdhetarë të flakët, që e luftonin diasporën shqiptare me të gjitha armët që kishin në dispozicion.
Fjala del nga gjuha, thotë proverbi popullor. Misioni i fjalës është ta pasqyrojë realitetin objektiv ashtu siç është, e jo siç ua kanda pushtetarëve çifligarë. Fjalës i pëlqejnë rrobat e pastra. Atë çast që ajo vishet me rroba të pista, shndërrohet në gënjeshtër dhe na hakmerret keq. Sot me qindra e mijëra shqiptarë po flasin turqisht, greqisht, italisht, suedisht e gjermanisht – por jo shqip – dhe asnjërit s’ po na duket e çuditshme. Po heshtim. Dhe kjo do të thotë se po pajtohemi me vetëvrasjen tonë, të cilën po na imponojnë argatët e Lëvizjes Serbomadhe.
S’ di pse s’ e themi hapur që pushtetarët tanë, si nga gjenet, ashtu dhe nga prirja, kanë mbetur bolshevikë. Si të tillë, ata gjithnjë po flenë me drepër e çekana nën kokë dhe po e gënjejnë veten se proletarët shqiptarë, si ata të Shqipërisë, ashtu dhe kosovarë, s’ kanë nevojë për vendlindje. Shqiptarët, sipas tyre, janë vetëm krah pune dhe vendlindja e tyre është atje ku ka ndonjë restaurant për të larë enë, ndonjë fermë për t’ i mjelë lopët apo ndonjë fabrikë çorapash për ta nxjerrë kafshatën e bukës. Për ata burra mjafton që egzistojnë dy pashalluqe të vegjël, Shqipëria Socialiste dhe Autonomna Pokraina ”Kosovo”, plus haraçi që ua dërgon diaspora muaj pas muaji. Ata pashalluqe s’ kanë asgjë të keqe sepse me ndihmën strategut gjenial Edi Rama, në një ardhmëri të largët do bëhen pjesë të ”minishengenit” jugosllav. Pyet njeriu veten: Çka bënë Edi Rama për diasporën?
Një kohë, deri sa timonin e Shqipërisë e kishte Ramiz Alia, komisarët e Lëvizjes Popullore për Republikën Socialiste të Kosovës duhej të krijonin ”treshe” e ”pesëshe” ilegale për t’ i luftuar ballistët shqiptarë. Si për inatin e tyre, Muri i Berlinit u rrëzua, popujt e zhgulën perden e hekurt, dhe Bashkimi Sovjetik u katandis në greminë. Pak më vonë iku dhe Ramizi në Greqi, ndërsa bashkpunëtorët e tij dolën në Evropë. Kush në Zvicër, kush në Gjermani, kush në Angli, por të gjithë kërkuan strehim politik. Po për çka kërkuan se? Për ate se kishin qenë gardianë në burgjet e shumta të Shqipërissë dhe pesëdhjetë vjet me radhë i kishin rrahur, keqtrajtuar e torturuar vëllezërit e tyre.
Tani që Kosova u pavarsua, pushtetarët tanë po bëjnë çmos që të na mbushin mendjen se integrimi evropjan është ideale për ngërçin tonë kombëtar. Ajo që po e reklamon me shumë bujë këtë “zgjidhje” është – e Majta; po ajo e majtë që dje e hyjnizonte Enver Hoxhën, Visarionoviç Stalinin dhe Mao Ce Dunin, ndërsa sot po vallëzon faqe më faqe me “imperialistët” amerikanë. Dhe pse të mos vallëzojë? Në rast se është normale që kurdët, afganët e turqit e Anadollit ta quajnë veten evropjanë, pse të mos shtiren edhe këta?!
Sa për shembull do t’ i marr marrëdhëniet e të Majtës me mërgimtarët shqiptarë. Një kohë, kur edhe vetë ishin kurbetqarë, pushtetarët tanë s’ pushonin duke krijuar fonde të ndryshme për çlirimin e popullit tonë nga robëria sllave, por me të hyrë forcat e Natos në Kosovë, i hëngrën premtimet e tyre dhe e lanë popullin atje ku ishte. Serbët, që dogjën e vranë me mijëra të pafajshëm, duhet të kthehen e të rrojnë në Kosovë. Evgjitët, që hapën gropa e kallën shqiptarë në varreza kolektive, duhet të kthehen e të rrojnë në Kosovë. Shqiptarët, pra, ata heronj që ndanin bukën e gojës për vendlindjen e tyre, s’ ka nevojë të kthehen. Ata duhet të rrinë në Evropë dhe t’ i paguajnë shalakatjet e konzujve, ambasadorve e ndërlidhësve kosovarë nëpër emiratet arabe.
Vetë i keni fajet, do thotë populli.
Edhe kjo është e vërtetë. Mergata e soçme nuk është si mërgata e hershme. Paraardhësit tanë dilnin në kurbet për ta nxjerrë bukën e gojës, por gratë dhe fëmijët i lenin në vendlindje. Ata i shmangeshin varfërisë, por jo dhe detyrimeve që kishin kundrejt atdheut. Sot po ndodhë e kundërta. Pas ngërçit që ka ndodhur në Kosovë e në Shqipëri, mërgata sikur është përcaktuar ta ndjekë rrugën e bolshevikëve dhe njëherë e përgjithmonë të shprishet nëpër botë. Andaj dhe po i joshë të rinjtë e të rejat shqiptare të ikin nga Kosova e Shqipëria sepse atje s’ paska ardhmëri.
Dhe kjo fushatë është shumë e lehtë.
Kush s’ e do jetën e rehatshme? Ata që jetojnë në mërgim s’ kanë nevojë të gdhihen me natë për ta nxjerrë kafshatën e gojës. Ata kanë punë që paguhen mirë, kanë banesa të mëdha, kanë sigurime sociale, kanë celularë të shtrenjtë, kanë qendra shëndetsore, kanë shkolla në gjuhën shqipe, kanë shoqata, dhe – kryesorja – kanë klube ku mund të eglendisen gjithë natën. Shqiptarët dhe shqiptaret s’ duhet të humbin kohë. Mjafton ta kalojnë kyfirin – s’ ka lidhje se qysh – dhe me të mbërritur në Austri apo Gjermani, gjermanët u japin punë, banesa të mira dhe kredi për të blerë mobilje të shtrenjta. Të gjithë kanë të drejtë të hanë, të pijnë e të studjojnë falas. Po edhe nëse s’ donë të studjojnë, s’ bëhet kiameti, se rrogat e tyre, në krahasim me rrogat e vërsnikëve shqiptarë, janë tmerrsisht të larta.
E keqja është se përrallat që shohin dritë nëpër kafiqat e dallanguzve shqiptarë janë mite të Lëvizjes Serbomadhe. Ato s’ janë të vërteta dhe kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve. Heshtja ynë është ndjellakeqe.
Tani që Shqipëria ka veshur fustanin e kuq, dashuria e saj për diasporën shqiptare ka hyrë në një fazë të re. Për herë të parë, pas kushedi se sa puçesh e kundërpuçesh, e Majta shqiptare, me Edi Ramën në ballë, po organizon samite e konferenca të rregullta me përfaqsuesit e diasporës. Ajo e ka nuhatur se ish gardianët e burgjeve shqiptare janë stabilizuar në Francë, Angli e Holandë dhe kokaina po shkon si buka e grynjtë. Përse të mos bashkëpunojë edhe ajo me bosat e kokainës dhe prostitucionit? Për herë të parë, pas kushedi sa puçesh e antipuçesh, ajo hordhi kriminelësh që s’ lanë gurë pa luajtur deri sa e greqizoi Shqipërinë e Jugut, do ta bëjë edhe një ministry të përbashkët me “vëllezërit” kosovarë.

Përse bash me vëllezërit kosovarë, do pyeste Nasradini.
Sepse “vëllezërit” e Lëvizjes kanë përvojë të madhe në plaçkitjen e popullit. Falë asaj përvoje, të cilën e shfrytëzonin sa herë që Kosova ishte në hall, ata mblodhen miliona e miliona marka, me të cilat e kanë blerë gjysmën e Durrësit dhe krejt Kosovën. Do t’ ishte mëkatë sikur ajo përvojë të lihej pasdore, edhe ate pikërisht tani që mund të blejnë godina të vjetra dhe ta “kultivojnë” gjuhën shqipe në mërgim. E vërtetë është se Evropa s’ do të ketë punë me Edi Ramën dhe shokët e tij, por Edi do të ketë punë me Evropën. Evropa ia mbylli derën dhe e la të merret me Serbinë, por ai do të hyjë nëpër dritare. Duke e bërë kurban Shqipërinë bashk me Kosovën.
Mërgata është lodhur nga mafiozët shqiptarë. Organizata që duhej ta mbante mërgatën afër dhe ta mobilizonte në një front nacional – çlirimtar ishte Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, por ajo përbëhej nga grupacione e frakcione që s’ bënin tjetër pos t’ i mbanin shqiptarët të përçarë. Ato pak shoqata “kulturore” që egzistonin në Belgjikë, Zvicër e Suedi s’ kishin veçse dy opcione: të hynin nën ombrellën e saj ose të pushonin së vepruari. Me çfaqjen e Lidhjes Demokratike në Evropë, përçarja veshi rrobat e luftës qytetare. Anëtarët e Lëvizjes Popullore mundeshin ta shanin, ta fyenin e ta keqtrajtonin cilindo shqiptar që gabonte t’ iu kundërvihej. Për të qenë tragjedia edhe më e madhe, ata silleshin edhe më keq se “poreznikët” serbë dhe tërë talentin e tyre e përdornin për t’ i mbushur xhepat personalë. Të gjitha këto i di mërgata më mirë se unë.
Ta merr mendja që mërgata është e zhgënjyer. Përderisa vendlindja ishte e pushtuar, zënkat mbase haheshin me pak kripë, por tani që Kosova është e lirë, ka prezidentin e saj, ka qeverinë e saj, ka parlamentin e saj, ka ministrat e saj, çdo dredhi është e pafalshme. Me ato shpresa mërgata doli në demonstrata, derdhi marka në fondet e tyre, nisi bijt e saj në luftë, por Kosova ishte dhe gjithnjë gjendet në midis të një moçalishte. Kosova ( bashk me Shqipërinë) vazhdojnë të jenë vendet më të varfëra të Evropës dhe burime të pashterrshme të krimit, prostitucionit dhe pushtetarëve kapriçozë.
Pyes veten: Kur do ta shikojmë të vërtetën në sy?! Edhe sa vjet duhet ta mbulojmë ndërgjegjen tonë me gjethe fiku? A është në rregull që ne, kohë e pa kohë, i fajsojmë të tjerët? A ishin apo s’ ishin shqiptarë ata burra që, bashk me mafiozët serbë, ia nisnin Evropës nga njëzet autobusa me kurbetqarë në ditë? A janë apo s’ janë shqiptarë ata burra që e kanë mbushur Holandën me kokainë? A janë apo s’ janë shqiptarë ata që po e furnizojnë Francën, Italinë e Anglinë me vajza të mitura? Ku është diaspora? Përse s’ po e hap gojën?
E qelbur, shumë kontraditore, ështe buzqeshja e realitetit objektiv. Shqiptarë ishin edhe ata që dikur dolën me pasaporta jugosllavë dhe për çdo javë e njoftonin Ambasadën jugosllave mbi veprimtarinë tonë politike. Shqiptarë ishin edhe tjerët, që dolën pa pasaporta jugosllave dhe për çdo javë e njoftonin Ambasadën Shqiptare mbi veprimtarinë tonë “armiqsore” kundër regjimit të Enver Hoxhës. Shqiptarë ishin edhe ata, që na vinin natën nëpër banesa dhe insistonin me ngulm t’ i dënojmë Demonstratat e Kosovës.
Kontradiktore është buzëqeshja e realitetit objektiv. A e di Kosova se ata që dje i dënonin demonstratat e Kosovës kurrë s’ kërkuan falje për qëndrimin e tyre antishqiptar? A e di Kosova se ata që sot po i joshin djemt e saj me “shkolla” shqipe, rroga të larta, shoqata kulturore, koncerte muzikore e festivale të këngës janë parasitë dhe ushqehen me dromcat që ua falin qeveritë e huaja për veprimtarinë e tyre suspekte? A mund të quhen kosovarë ca delenxhinj që – me t’i marrë letrat – e bekonin Millosheviqin që u bë shkas i daljes së tyre në “Botën e lirë?” Çka thotë Evropa për ata matrapazë? Dhe çka thonë nënat e baballarët e atyre që ranë në luftë?
As këte s’ ka nevojë ta them unë.
Po dhe sikur t’ ua thoshja, s’ do të kishte kuptim. Shqiptarët e Kosovës e panë se partitë e tyre e nxorën Kosovën në ankand. Kosova edhe sot po gdhihet e ngryset me skandale, padrejtësi e korrupcion. Populli dhe prijësit e tij janë larg njëri tjetrit. Populli ka mbetur pa punë, pa të ardhura ditore dhe mezi po e mbush barkun me bukë, ndërsa pushtetarët e tij s’po dinë ku t’ i harxhojnë eurot. Kosova po e mbanë shpirtin me shpresa, ndërsa pushtetarët e saj kanë nga tri katër shtëpi dhe, kurdo që ta kenë punën pisk, ia mbathin në Shqipëri, Turqi apo Zvicer.
Shtrohet pyetja: Kush jemi ne dhe cili është misioni ynë si poetë, shkrimtarë dhe krijues? A do të gjallërojmë si ndërgjegje e një populli që është më i varfëri në Evropë apo do vazhdojmë si oborrtarë të atyre që e ropën Kosovën njëzet vjet me radhë?
Më duket se ka ardhur koha të jemi të sinqertë dhe ta mbrojmë ardhmërinë e atyre që luftuan për lirinë e saj. Përderisa nje pjesë e rehatshme ia ktheu shpinën Kosovës, barra e luftës mbeti në duart e atyre që s’ pranuan të largohen. Janë ata djem dhe ato vajza që e ndoqën shembullin e familjes Jashari dhe me gjakun e tyre e shkruan epopenë e Kosovës së Lirë. Të çohesh sot e t’ i joshesh me “rroga” të Zyrës për Mirëqenje Sociale, me radacë e kova për fshirjen e nevojtereve, me festivale e klube të natës – më duket pacipësi e madhe.
Unë po jetoj n’ Evropë qe pesëdhjetë e sa vjet. Ato që po lexoj nëpër disa faqe elektronike nuk shiten as në pazarin e gabelëve të Durrësit. Ku është parë që vajzat pesëvjeçare të disa poetëve e shkrimtarëve suedezë ”me prejardhje shqiptare” të shkruajnë vjersha në gjuhën shqipe? Ku është parë që disa koka gjeniale të cilat s’ e dinin se ç’ është subjekti e predimati sot të figurojnë si ”lokomotiva” të një veprimtarie të ngjethshme kombëtare? Ku është parë që një gazetar i cili s’ e ka shkruar kurrë një artikull në gjuhën suedishte të jetë – jo gazetar – por gazetari shumë i njohur suedez?
Dilema për të cilën harxhova kaq kohë mund të formulohet edhe kështu: A mund të quhen qeveri kombëtare ato qeveri që bëjnë çmos për t’ i nxjerrë shtetasit e tyre në mërgim? Dhe a e dinë ato qeveri se ata që dalin në mërgim kurrë s’ kthehen në vendlindjen e tyre për të jetuar atje?
Me rrezik të dal i keqkuptuar, po e cek se gjatë veprimtarisë time 36 vjeçare si pedagog nëpër gjimnazet e kurbetit, përpos fëmijve grekë, turq, jugosllavë e arabë, kam patur nderin ta përcjell edhe shkollimin e nxënësve shqiptarë që shkonin n’ ato dy orët vullnetare të cilat ua kishte miratuar qeveria suedeze. Tani që kam jam i lirë dhe thuajse çdo ditë kaloj nëpër qendër të qytetit, tërë kohën mbaj vesh se do ta dëgjoj një fjalë të gjuhës shqipe. Mjerisht, kjo ndodhë rrallë e për mallë, edhe ate, sepse rinia shqiptare s’ do të flasë shqip. Të rinjtë e të rejat shqiptare s’ e ndiejnë veten shqiptarë, por suedezë – me prejardhje shqiptare.
Një qeveri që njëmend do të jetë kombëtare s’ guxon të bëj tregti me identitetin, gjuhën dhe mishin e populli të saj.
Pikërisht për këtë arsye, njëra nga detyrat e para të Qeverisë Kurti duhet të jetë natyra destruktive e këtij projekti. Ajo s’ guxon të harrojë se mafiozët serbë, në bashkëpunim me sherbëtorët e tyre shqiptarë, e zhgulën çerekun e popullatës shqiptare nga atdheu i tyre. Ministrat e rinj kosovarë s’ guxojnë të harrojnë se mafiozët grekë, me ndihmën e sherbëtorëve të tyre shqiptarë, e zhgulën gjysmën e Toskërisë dhe e degdisën n’ Itali e Greqi. Ndërsa ne, si shqiptarë dhe krijues të Kosovës së Lirë, s’ guxojmë ta gënjejmë veten se ikja është zgjidhje e problemeve tona sociale e ekonomike. Heshtja ynë para kësaj dukurie është destruktive dhe nuk na falet. As nga ata që dhanë jetën e tyre për çlirimin e Kosovës, as nga nipat e nipat e stërnipat tanë.