SHPËRNDAJE

Rrënojat e luftërave të ashpra vodhën më shumë se vetëm ambiciet, qetësinë, lumturinë, lirinë… dhe jetën e shumë viktimave. Ata pa dyshim nuk mund të arsyetohen në asnjë mënyrë. Por ecja e akrepave të orës sjell me vete ndryshime.

Po mendoja sa bukur do të ishte sikur një ndeshje futbolli të argumentonte se armiqësia shekullore mes dy popujve tashmë i takon historisë. Kështu, po këta dy popuj të dëshmojnë se nëse do të kishin një makinë kohe e të ktheheshin prapa në vite, do ta respektonin njëri-tjetrin-  populli serb duke mos e cenuar atë që popullit shqiptar veçmë i takonte, ndërsa populli shqiptar duke e mirëpritur atë si fqinj të parë. Po imagjinoja sa bukur do të ishte sikur një ndeshje e thjeshtë futbolli të prezantonte një vetëdije tashmë të formuar, e të mos mbaronte brenda asaj thjeshtësie prej lojeje… Se shqiptarët janë të sigurtë pranë serbëve dhe anasjelltas… Se tashmë secili mund ta shfaq dashurinë për kombin e vetë, pranë vetëdijes se pikërisht nga atdhedashuria nuk mund të fyesh të tjerët. Po besoja që ndryshimet më të mëdha fillojnë me punë të vogla, që punët më serioze fillojnë me lojëra. Pra sa rast i mirë ky, që të penduar për të kaluarën e përgjakur, të tregohet se nga gabimet nxorrën mësim dhe se është koha t’i ndreqin marrëdhëniet e prishura. Por sa njerëz të tjerë menduan sikur unë?! Fatkeqësisht, ata nuk e ditën sa dobi mund të sillte pendimi! E si rezultat i promovimit të urrejtjes tërë botës i shfaqën vetëm një dramë të turpshme, e të poshtër. Po a ka turp më të madh se të rrahësh mysafirin në shtëpinë tënde?! A ka më poshtërsi se sa të dalësh i pabesë ndaj atyre që të besuan?!

Dua të them se një aktivitet i përbashkët si ky, mund të rrënonte murin e kamotshëm të ndarjes, në vend se të shfaqej si një hije e të kaluarës. Për shumë injorantë ky qe një ushqim i shijshëm, por për njerëz që shofin përtej hundës së tyre pos dëmit kjo nuk solli ndonjë dobi për askend.


Shkruan: Anesa Aliti,
(studente në Fakultetin Shkenca politike, diplomaci e gazetari, FON, Shkup)