SHPËRNDAJE

Kam frikë, i nderuar, se edhe ti, si shumë shqiptarë tjerë, e ke marrë Aidën për një zemërzezë që s’ kishte dhembshuri as për djalin e saj, jo më për Fadil Cfilakën, që ishte mendjefyell dhe shumë i kënaqur mevetëveten. Po ta dëgjoja Ajetin, Hysen Kajën, Demir Likovën e ca potrogjela tjerë, do të duhej ta nxirja atë gruanga lista e personazheve që kam njohur dhe të mos e përmendja egzistencën e saj. Një veprim i tillë do t’ ishte shumë i lig, aq më tepër që e lartpërmendura është shëndosh e mirë dhe nesër pasnesër do më quaj gënjeshtar e hipokrit. Unë, si krijues, e kam për detyrë ta gdhend e ta përsos këtë rrëfim, por kurrsesi t’i bëj bisht të vërtetës. Njeriu që vete në mulli doemos do të përmiellet. Kjo vlen edhe për të lartpërmendurit. Ata që e shkojnë jetën me zënka, sharje e poshtrime, nuk e duan as veten, jo më njerëzit që kanë rreth e përqark.

Unë s’ e njihja mirë Fadil Cfilagën. Kisha dëgjuar mbi arratisjen e kushërinjëve të tij në Itali, qëndrimin e tyre në kampin e refugjatëve në Latina, pritjen e tyre të gjatë për strehim politik dhe njohjen e tyre me refugjatin shqiptar Hasim Ceraja, por fare pak mbi njohjen dhe martesën e tij me Aidën. Tani që mora vesh se do të ndaheshin, nuk m’ erdhi mirë aspak, por s’ e pashë me vend të gërmoja në jetën e tyre private. Përkundrazi, atë ditë që erdhi me Kadriun dhe kërkoi leje t’ i lente plaçkat në ”Shkollën e pasditës” nuk e ngava me asnjë fjalë. Pak para se të hynte në makinën e tij, më tha se prapë do të shiheshim në Malme, po unë s’ e mora seriozisht. Unë kisha parë edhe ndarje tjera dhe e gënjeva veten që lotët e tij ishin rezultat i një keqkuptimi dhe ai do të pajtohej mebashkëshorten e tij. Jo një herë, po shumë herë e kisha parë në Malme dhe kisha përshtypje se ai e donte gruan e tij. Mjerisht, lumturia e tyre kishte marrë erë dhe priste thikën e kirurgut.
Aida s’ ishte ndonjë qenie e papërballueshme, por ishte hirëmadhe dhe e sjellshme si të gjitha motrat shqiptare. Një pjesë të bukurisë duhej ta kishte nga Hasimi, babai i saj, por tjetrën e kishte nga e jëma. Ky tipar s’ pasqyrohej vetëm në flokët e zinj si katrani, sytë e mëdhenj e të qeshur, vetullat e holla, por edhe në lëkurën e saj që më shumë iu përngjante gështenjave, se sa flluskave të borës që bien në janar. Kushdo që do ta takonte në sallën e ndonjë aeroporti oriental do ta merte për arabe, edhe pse Aida, atë çast që e hapte gojën, vetëtimthi shndërrohej në një femër shqiptare. Shqipja e saj ishte e thjeshtë, e natyrshme, ashtu siç e kish mësuar nga i jati, Hasim Ceraja. Unë e kisha takuar nja tri katër herë me Fadilin, e kisha përshëndetur siç bëja me gratë tjera – si jeni, si e keni zotin Hasim, si e keni vëllanë, si i keni motrat – dhe me aq kishte mbaruar takimi ynë. Megjithate, duke u nisur pikërisht nga shqipja e saj, kisha përshtypje se e kisha njohur me vite dhe ajo ishte shqiptare e vërtetë.
Shtrohet pyetja: si ndodhi që ajo grua e re, e rritur në kampin e refugjatëve të Latinës, e kishte mësuar shqipen, arabishtën e italishten në të njejtën kohë, ndërsa motrat tona, edhe pse jetonin në një lagje që ziente nga shqiptarët, me zor i lidhnin dy fjalë të gjuhës shqipe? Pyetje e lehtë dhe shumë e ndërlikuar.
E tërë kjo histori fillon me ëndrrën e Hasim Cerajës për arsim dhe dinjitet kombëtar. Ai jetonte në një fshat malor dhe kishte shumë dëshirë të shkonte në shkollë, të lexonte libra dhe t’ i shërbente Kosovës, por atdheun e tij e kishte pushtuar Krali. Ditë për ditë, deri sa i kulloste delet, ai dëgjonte për përleshjet e çetave shqiptare meushtrinë serbe, për vrasjet, djegjet dhe shkatërrimet që bëheshin nëpër Kosovë, si dhe shkollat që ndiqnin disa shokë të tij në Shkodër, Tiranë e Elbasan.
Një ditë edhe ai e mbushi trastën me bukë, u fal me anëtarët e familjes dhe mori rrugën për në Tiranë. Ashtu quhej kryeqyteti i Shqipërisë, të cilin s’ e kish parë kurrë në jetë. Ec e ec dhe, pasi kaloi shumë përroska e lumenj, shumë fshatra e qytete, hyri në një qytet që atbotë s’ ishte më i madh se Mitrovica dhe kërkoi mbrojtje nga përfaqësuesit e qeverisë shqiptare.
Atje flisnin të gjithë shqip. Askush, as xhandarët e mbretit Zot, as nëpunësit e lartë të qeverisë, as dyqanxhinjtë që shisnin mallëra, nuk e qortonin që ishte shqiptar. Kjo e nxiti Hasimin të mësonte më shumë se tjerët, ta mbaronte shkollën dhe të regjistrohej në Liceun Ushtarak, të cilin e mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm. Më shumë se kaq s’ mundej të bënte, andaj u punësua si oficer i Ushtrisë Shqiptare. Detyra e tij ishte ta mbronte atdheun dhe një ditë, nëse do të vinte ajo ditë, të kthehej e t’ i shërbente Kosovës së Lirë.
Pak para se të hynte Italia, Lartmadhëria, Ahmet Zogu i Parë, mori lekët që gjeti në Bankën Kombëtare dhe, me lejen e qeverisë greke, u vendos në Follorinë. Mbreti i Greqisë, duke mos dashur të ketë ngatrresa me Italinë, i sugjeroi të shkonte pak më tutje, eventualisht në Turqi, dhe q’ atej të kërkonte strehim në një vend perendimor. Në prill të vitit 1939, Lartmadhëria, mekrejt ”oborrin” e tij mbretëror dhe dymijë besnikë tjerë, iku nga Greqia për në Turqi. Ai, me gjithë mbështetjen që gjeti te shqiptarët e Turqisë, vendosi të vazhdonte për në Francë, sepse kjo i kishte premtuar strehim politik edhe atij, edhe suitës që e shoqëronte.
Kështu nuk veproi Hasimi. Ai, bashk me Hamit Dollanin, Haxhi Tabakun, Isak Metaliun, Mujo Ulqinakun, Hysen Kocin, Ibrahim Osmanin, Ramazan Veliun, Ismail Recin e shumë durrsakë të tjerë, e rroku pushkën dhe provoi ta mbronte Shqipërinë me aq sa mundej, por ushtria fashiste ishtë tepër e madhe. Oficerët shqiptarë, duarthatë e të tradhëtuar nga eprorët e tyre, zhveshën uniformat dhe ikën nëpër fshatrat e qytetet ku ishin lindur. Ashtu veproi dhe Hasimi. Se sa kohë qëndroi në Kosovë, si erdhi në kontakt me shokët e vjetër dhe cilin rol e ka luajtur gjatë luftimeve që u zhvilluan midis forcave të Shaban Polluzhës dhe atyre partizane, s’ kam të dhëna të sigurta. Megjithate, edhe ai, si shumë luftëtarë të Shaban Polluzhës, Idriz Gjilanit, Sylë Hotlës e Xhem Gostivarit, pas hyrjes së brigadave shqiptare në Kosovë, e kaloi kufirin greko-shqiptar dhe përfundoi në kampet e refugjatëve të Greqi. Aty priti gjatë kohë, më shumë i vdekur se i gjallë, deri sa Ushtria e Kuqe hyri në Berlin dhe Aleatët Anglo – Amerikanë i dhanë fund Luftës së Dytë Botërore. Duke marrë parasysh se Kosovën e kishte pushtuar Jugosllavia, edhe ate,me ndihmën e partizanëve shqiptarë, refugjatët s’ kishin rrugëdalje tjetër pos të shkonin në Egjipt, ku ishte shpërngulur edhe Ahmet Zogu i Parë. Rrjedhimisht, të gjithë ata shqiptarë që ndienin afërsi me Zogun e Parë dhe dëshironin t’ i bashkangjiteshin suitës së tij, me ndërhyrjen e Kryqit të Kuq anglez, u nisën për në Kairo. Të tjerët si Ibrahim Kelmendi, Hysen Çelaj, Ditar Kurteshi e Abaz Ermenji ikënn’ Angli, Australi apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai bëri lloj lloj punësh në Kairo. Pas një periudhe relativisht të gjatë, kur e mësoi edhe arabishten, Hasimi,me ndihmën e njerëzve të Oborrit Mbretëror, u martua me një vajzë të pasur arabe dhe hapi një restorant të vogël në Abu El Sid. Gjatë kësaj kohe, gjegjësisht gjatë kohës që Ahmet Zogu ishte n’ Egjipt, ai erdhi përsëri në kontakt me shokët e vjetër, por ëndrrat e tyre për t’ u kthyer në Shqipëri mbetën vetëm ëndrra. Tani Shqipëria lëngonte nën zgjedhën e stalinistëve të Enver Hoxhës, Kosova nën zgjedhën e udbashëve të Josip Broz Titos, ndërsa gjysma tjetër e Evropës, që nga Bresti e deri në Berlin, shpurdhej nën tanksat e Ushtrisë së Kuqe.
Në këtë kohë numri i shqiptarëve të Kairos ishte goxha i madh. Ca prej tyre kishin ardhur në kohën e Mehmet Ali Pashë Kavallës, që ishte strateg i madh dhe kishte nevojë për bashibozukë shqiptarë. Me ata mendjekrisur ai e pushtoi Sirinë, Irakun, Arabinë Saudite, Jemenin dhe një pjesë të mirë të Sudanit. Shqiptarët tjerë shkuan më vonë, pas ndarjes së Egjiptit nga Perandoria Osmane, dhe merreshin me tregtinë e duhanit, pambukut e artikujve tjerë që prodhoheshin në Austri, Itali dhe Francë.
Hasim Ceraja kishte obligime. Me ato pak të holla që kishte huazuar nga vjehrri, ai duhej të paguante qira dhe ta mbante familjen. Ai ishte i ndershëm dhe përpiqej për kafshatën e gojës. Kjo cilësi e karakterit të tij, me sa duket, i siguroi shumë miq, jo vetëm shqiptarë, por edhe arabë, anglezë, françezë e amerikanë. Kush s’ hante drekë apo darkë te abu Hasimi? Aty hanin e pinin tregtarët shqiptarë, arkeologët françezë e anglezë, gërmuesit italianë, turistët gjermanë, oficerët e lartë të shtetit, si dhe profesorët e Univerzitetit Al Azhar. Fatlumnisht, as e shoqja s’ i mbetej prapa. Ajo ishte nikoqire dhe mjaft e këndshme në krevat, se vit për vit ia bënte nga një rrapaçuk. Sëpari e lindi Aidën, pastaj Kujtimin, pastaj edhe dy goca tjera. Ajo ishte një zonjë e arsimuar dhe, sa herë që kishte kohë, shkonte e pinte çaj meprinceshën Rukije, motrën e mbretit.
Pas vendimit të Lartmadhërisë që të shkonte në Francë dhe ikjes së Abaz Kupit nga veprimtaria politike, Hasimi duhej ta korrigjonte jetën e tij dhe të merrej me diçka që do t’ i jepte domethënie jetës së tij. Po çka ishte më qenësore se të vazhdonte me veprimtarinë e filluar? Shqipëria ishte e mbyllur për te, kurse Kosova, ku ai kishte marrë pjesë aktive në ndjekjen e partizanëve të Fadil Hoxhës, mundej ta dënonte me burg të përjetshëm. Jo, më e mira që mund të bënte ishte të mblidhte edhe ca lekë dhe të shkonte në Alepo ose Bejrut dhe të hapte një kasino. Ai ishte i lindur për biznes dhe çkado që prekteme dorë shndërrohej në flori. Jeta e tij s’ dallonte shumë nga jeta e pasanikëve arabë. Ai arabishtën e fliste mirë dhe lekët rridhnin si kokrrat e grurit në mulli. Ç’ të keqe kishte se shpërngulej në Bejrut dhe hapte një lokal ku bota mundeshin të hanin, të pinin e të shikonin ”beli dans”? Herë pas here mundej të angazhonte edhe ndonjë këngëtare të shquar dhe t’ i tranonte sauditët e pasur. Një ditë – dhe ajo s’ kishte nevojë të jetë e largët – ai mund të kthehej në Kosovë si miljarder.
Paçka se fati i tij ishte i lidhur me fatin e tjerëve. Dikur, kur ia ktheu shpinën Kosovës dhe doli në Shqipëri, fati i tij ishte i lidhur me fatin e Lartmadhërisë, Zogut të Parë. Atë ditë që Lartmadhëria iku në mërgim, ai e mori tatëpjetën. Tani fati i tij ishte i lidhur me fatin e pasardhësve të Mehmed Ali Pashës. Mehmet Ali Pashë Kavalla ishte shqiptar. Djemt e tij, Abazi dhe Ibrahimi, ishin poashtu shqiptarë. Nipërit e stërnipërit e tij, Ismaili, Tefiku, Abazi e Fuadi ishin poashtu shqiptarë. Edhe Faruku, pasardhësi i fundit i Mehmet Ali Pashës, ishte shqiptar dhe tmerrësisht i pasur. Mjerisht, ai kishte mbetur qind për qind çifligar shqiptar. Mjerisht, ai s’ kishte ndonjë djalë që ta zëvendësonte në fronin mbretëror. Për ta zgjidhur atë çeshtje, Lartmadhëria e Tij, edhe pse haremin e kishte plot me gra të bukura, u martua me një grua të dytë. Kjo proçkë e mbretit i nxiti oficerët e tij arabë t’ i shtrëngojnë radhët dhe ta përzënë nga Egjipti. Një ditë, deri sa Lartmadhëria ishte gjithnjë në gjumë, ata hynë në godinën e Radiotelevizionit Egjiptian dhe deklaruan se ” mbretëria e ardhacakëve arnavudë” kishte marrë fund dhe të gjitha pasuritë mbitokësore e nëntokësore të vendit do të nacionalizoheshin. Dita e hakmarrjes arabe kishte ardhur.
N’ ato çaste dramatike, kur varfanjakët filluan t’ i thejnë shitoret e tregtarëve të huaj dhe t’ i qëllojnë me grushta ata që s’ ishin arabë, jo vetëm Faruku i Parë, por edhe tjerët që s’ ishin të pasur si ai, ua mbathën këmbëve në drejtim të Aleksandrisë. Ca ikën në drejtim të Gazës, të tjerët në drejtim të Bejrutit, ndërsa të tretët në drejtim të Amanit. Vetëm Hasimi që e ndoqi një drejtim të katërt. Duke qenë se e shoqja ishte arabe dhe s’ donte ta lëshonte Kajron, ai, pa dijeninë e saj, i mori dy fëmijët më të mëdhenj dhe iku në drejtim të Triestes. Të dy fëmijët, Aida dhe Kujtimi, ishin tepër të vegjël për të kuptuar se ku po i çonte babai. Aida sapo kishte mbushur pesë, ndërsa Kujtimi ishte edhe dy vjet më i vogël.
Askush në botë, përpos asaj vetë, s’ e di se si e përjetoi ajo fëmijë vetminë e madhe. Si çdo vajzë e moshës saj, ajo kishte mallë për shtëpinë ku ishte rritur, oborrin ku kishte luajtur, nënën që e kishte larë e e kishte veshur, si dhe gjyshin e gjyshen që e kishin llastuar. Italia e viteve të 50-ta ishte një shtet i varfër dhe kampet e saj ishin plot me të arratisur bullgarë, rusë e jugosllavë. Në mesin tyre kishte edhe shqiptarë që kishin ikur nga Jugosllavia dhe përpiqeshin ta mbanin afër Hasim Cerajën. Shumica dërmuese ishin meshkuj dhe në hyqmin e shoqatave bëmirëse. Gjithçka varej nga shteti që kishte nevojë për krah pune. Ata që kishin ndonjë vëlla apo kushëri në Shtetet e Bashkuara, i merte ambasada amerikane. Ata që kishin ndonjë djalë halle apo tezak n’ Australi, i merte ambasada angleze. Kosovarët e ngratë s’ kishin farefis veçse në Turqi dhe Turqia s’ i donte fare. Ajo edhe ashtu kishte marrë shumë shqiptarë para lufte dhe s’ kishte vend as për banorët e saj.
I ashpër ishte fati i Aidës. I përhimtë si guna e vdekjes. I pamëshirshëm si një prind që e kish hipur në traget dhe e kish sjellë në një botë që s’ ligjëronte në gjuhën e saj. Aty e tutje ajo duhej të jetonte si ajo Hirushja e përrallave, me një nënë që ishte gjallë po papandehur kish mbetur prapa, përtej asaj oshtimës që la trageti pas vete, në një ambient që ziente nga meshkujt dhe askush, askush pos babait të saj, s’ e pyeste a kishte uri, a kishte etje, a kishte frikë, a kishte mallë për ata që i kish ditur si njerëz të saj.
S’ kam mëdyshje se babai e donte Aidën dhe zemra i pikonte gjak, por ai ishte burrë dhe s’ kishte dëgjuar për ca emocione që shkenca i quante ankth, vetëmi, depresion. E vetmja gjë që mundej të bënte ishte ta merte për dore dhe ta çonte në një shkollë të murgeshave katolike, ku ajo filloi të mësonte shkrim lexim dhe, përpos arabishtës, që e kishte gjuhë të nënës, të komunikonte edhe në dy gjuhë të tjera: në gjuhën shqipe dhe italishte.
Kësisoj, ajo herët u shndërrua në motër dhe grua të madhe. Rëndom, Hasimi rrinte me fëmijët në një dhomë që ia kishte miratuar udhëheqja e Kampit, por herë pas here ulej edhe me miqët e tij shqiptarë. Ishte ajo, Aida, që e lante Kujtimin e vogël, i dëftonte përralla dhe e vente në gjumë. Kujtimi ishte e vetmja hallkë që e lidhte me dritën, nënën, motrat dhe vendlindjen. Të jesh fëmijë dhe ta shkosh jetën me dy qenie që ishin aq të kundërta me njëra tjetrën, njëra e madhe dhe e arsyeshme, tjetra e vogël dhe kryeneçe, ishte si të jetoje në përrallat e vëllezërve Grim, të cilat ende s’ i kishte lexuar. E keqja më e madhe ishte se ajo ishte tepër e vogël, tepër e brishtë, për të kuptuar pse babi i saj, të cilin e donte më shumë se gjithçka në botë, kishte ikur nga Egjipti dhe e kishte lënë nënën të vetme? A s’ mundej të ikte vetë i ta lente ate dhe Kujtimin te shtëpia?
Dhe koha, njësoj si lumi, e ndiqte rrugën e saj. Më ne fund Aida e mbaroi tetëvjeçaren dhe u regjistrua në gjimnaz. Tani ajo s’ ishte e vogël dhe kishte shumë shoqe italiane, por gjithnjë jetonte në një ambient ku flitej shqipja, serbishtja, bullgarishtja, polonishtja dhe, aty këtu, arabishtja. Herë-herë, kur babai kishte punë në shtëpi, ajo dilte me shoqet e saj, blente akullore, bisedonte me djem, por ishte shumë e kujdesshme. Motrat murgesha i kishin thënë se Djalli ishte një engjull i prapë dhe mundej të të hynte në trup. Jo vetëm në sy e në mendje.
Atë vit që ndiqte mësimet e vitit të parë, në kampin e refugjatëve mbërritën edhe tre shqiptarë, të gjithë nga një vend që quhej Kosova. Nga mosha ishin pak më të mëdhenj se Aida, por gjykuar nga sjelljet e tyre dukeshin leshko e të padjallëzuar. Dauti, që ishte më i madh në moshë, ishte i gjatë dhe serioz, ndërsa kushërinjtë Cfilaga, Jakupi dhe Fadili, dukeshin naivë e të papjekur. Veçanërisht Fadili, që gjoja kishte mësuar për muzikë, por s’ dinte t’ i binte as fyellit. Duke qenë se Hasimi kishte kërkuar të shkonin në Suedi, edhe ata, që fillimisht donin të shkonin në Australi, ndërruan mendje. Mos tjetër, Suedia ishte shumë më afër Kosovës, se sa Australia.
Ai që shquante për sjellje të mira ishte Jakup Cfilaga. Sikur mos t’ ishte ai djalë i këndshëm, miqësor, me sy të kaltër e buzëqeshje të rrallë, të tjerët do të vdisnin nga uria. Jakupi ishte një natyrë e butë, një natyrë e përzemërt, dhe askujt s’ ia prishte qejfin. Ai në të vërtet ishte mekanik, por tani që e kish lënë punën dhe ishte shndërruar në ”refugiato”, ditë për ditë shkonte në treg dhe blente sallatë, domate, tranguj, groshë, patate dhe bukë të freskët. Edhe ai, njësoj si Aida, kishte një barrë të rëndë mbi shpinë. Ai ziente gjellën, ai rregullonte krevatët dhe ai e shtronte bukën. Dhe ai ishte më zemërbardhë se tjerët. Sa herë që vinte kohae drekës apo darkës, ai s’ i ftonte vetëm kushërinjtë e tij, por edhe Kujtimin e ri, që tani ishte rritur dhe po e harronte arabishtën. Pasi hanin darkë, ata luanin letra me zotëri Hasimin ose shfletonin revistat që ua dërgonte ambasada nga Roma. Suedia dukej mjaft e bukur dhe të gjithë, pa e përjashtuar Aidën, gëzoheshin që një ditë do t’ iknin nga Italia dhe do të jetonin si njerëz të rëdomtë, pa i quajtur kush refugjatë ekokëdusha.
Ajo kurrë s’e kish menduar se do të vinte një ditë dhe do të martohej me Fadilin. Ja që dashuria s’ kishte sy. Ajo ishte e verbër në të dy sytë dhe – mjerë ai që e prekte shtatin e saj. Një ditë, e kjo ndodhi në agun e muajit maj, ata u rrasën në dhomën e Hasim Cerajës dhe kërkuan leje të fejoheshin.
Hasimit iu mbushën sytë me lotë. Ai s’ e fshehu gëzimin e tij që Aida, të cilën e kishte ndarë nga e jëma dhe e kishte zvarritur nëpër botë, më në fund e kishte gjetur fatin e saj.Mos tjetër, ai djalë ishte nga vendlindja e tij. Duke qenë se Kujtimi ishte prore i ri dhe ata po prisnin të shkonin në Suedi, Hasimi, si më i madh që ishte, i porositi të jenë të kujdesshëm e të mos bënin ndonjë gabim, pasi që asnjëri prej tyre s’ kishte një zanat të hajrit. Sa për fillim duhej t’ i prisnin letrat, pastaj ta mësonin suedishtën, pastaj të gjenin punë e ta fusnin kokën diku dhe, në fund, pasi të mblidhnin lekë e ta rregullonin jeteën e tyre, të mendonin për fëmij. Ai e uli kokën, ndërsa Aida u skuq në fytyrë. Kjo ishte hera e parë që Hasimi fliste për gjëra të tilla.
Përgjigja që duhej të vinte nga Suedia mori katër muaj. Ajo i përfshinte të gjashtë kërkuesit shqiptarë dhe, nëse merren parasysh ndjenjat e të fejuarve, që ishin çdo ditë me njëri tjetrin, ajo ishte vendimtare për ardhmërinë e tyre.Sa për fillim, ata do të zbarkonin në një qytet që quhej Geteborg, pastaj Aida me të sajët do të jetonte në Lerum, ndërsa Jakupi, Dauti e Fadili në Vetlanda. Kjo distancë ishte fare e vogël, po për të fejuarit, që ishin mësuar me njëri tjetrin, ishte jashtzakonsiht e madhe. Edhe pse s’ e thonte hapur, Fadili e ndiente veten të zhgënjyer. Ai ende s’ ishte martuar me Aidën, por tek se ishte fejuar me te, s’ donte ta lente tebabai. Thuajse natë për natë e merte në telefon dhe herë qante si fëmijë, herë e quante shpirtferrë dhe tradhtare.
Ec e bjeri në fie dashurisë së tij!.. Qysh dreqin ishte tradhëtare, kur tërë jetën kishte jetuar me babanë dhe Kujtimin? Ajo kurrë s’ ishte ndarë prej “burrave” dhe çdo javë ua lante rrobat, ua hekuroste këmishat, ua fshinte këpucët dhe ua përgadiste gjellën. Ata s’ ishin vetëm familja e saj, ata ishin njerëzit e vetëm që s’ do ta lenin në baltë. Njëri më t’ afërm se Hasimin dhe njeri më të dashur se Kujtimin s’ gjente në botë.Tani që kishte nevojë të koncentrohej në mësime, ajo duhej ta pajtonte edhe Fadilin, që s’ kishte tjetër hall pos t’ i jepte dhembje të ndërgjegjes.Ai kishte filluar të punonte në fabrikëdhe donte me çdo kusht të martoheshin.
Kështu iku viti i parë. N’ agun e vitit të dytë, Fadili bleu makinë dhe filloi të vinte rregullisht në Lerum. Ndonjëherë vinte vetë, ndonjëherë i merte dhe kushërinjtë e tij. Hasim Ceraja, që i kuptonte hallet e tyre, e merte Kujtimin dhe shkonte në Liseberg. Ashtu quhej një park i madh argëtimi, ku njerëzit mundeshin të rrinin deri vonë pas mesnatës. Nja dy tri herë, madje, kishin shkuar edhe në Oslo, vetëm e vetëm për t’ i lënë ”dashnorët” të qetë. Ata e dinin se Aida ishte vajzë serioze. Jo se do ta vrisnin, por sepse duhej të kujdesej për veten e saj dhe të merte një zanat. Përderisa ishte fejuar me Fadil Cfilagën, ajo duhej të mbaronte një shkollë, se jeta ishte e gjatë dhe qejfet mund të vinin kur të bëhej e arsimuar dhe pavarur.
Një natë, deri sa po ktheheshin nga Torslanda, ku e kishin lënë Asimin dhe zonjën Marta, Fadili i propozoi të shkonin në Lysekil. Atje mundeshin ta kalonin natën dhe të kuvendonin për të ardhmen. Pse jo? Edhe Aida, si të gjitha gratë e moshës saj, kishte nevojë të shtrihej në një divan dhe të kuvendonte për martesën e saj, pa patur frikë se do t’ i pengonte babai apo Kujtimi. Çuditërisht, sapo ngjitën shkallët dhe shkelën n’ atë dhomë që kundërmonte peshk e ujë deti, asaj iu kujtuan fjalët e babait.Hasim Ceraja kishte të drejtë. Ajo sapo i kishte mbaruar kurset themelore dhe donte të vazhdonte me studime të larta. Nëse donte të bëhej diçka, fjala vjen dentiste apo motër medicinale, s’ duhej të ngutej. Para së gjithash, duhej të shkonte rregullisht në shkollë, t’ i ndiqte të gjitha ligjëratat,dhe të merte pjesë në ushtrimet praktike. Fadili, pra, e kishte mendjen gjetiu. Ai e kishte marrë patentin dhe donte të bëhej si taksist. Mjerisht, në vend se të rrinte urtë, ajo harroi këshillat e babait dhe, po atë natë, mbeti me barrë.
Kështu filloi tatëpjeta e saj. Pa marrë parasysh se mundej të shkonte në cilëndo qendër shëndetsore dhe ta dështonte frytin e saj, Aida bëri të kundërtën. Ajo lidhi kurorë metë fejuarin e saj dhe, me të ardhur vera,e luti Fadilin ta çonte në Kosovë. Kishte dëshirë të njihej meprindërit dhe kushërinjtë e tij, me gjuhën që flitej atje dheme doket dhe zakonet që praktikoheshin n’ a to treva. Gjatë kohës që ai endej nëpër Pejë, Prishtinë e Prizren ajo përpiqej t’ iu sherbente prindërve të tij tamam siç e kishte mësuar i jati. Të gjithë, ama të gjithë e pëlqyen atë vajzë.Edhe pastaj, pasi u kthyen në Suedi, ishte ajo që e nxiste burrin e saj të vinin në Malme dhe të rrininme kushërinjtë e tij.
Ai filloi si taksist, ndërsa Aida e ndiqte Gjimnazin Latin, ku kishte zgjedhur profilin e shëndetsisë. Ishte relativisht e lumtur sepse Fadili punonte natën dhe s’ e pengonte njeri. Tani ata ishin shpërngulur në Halmstad dhe banonin në një dydhomësh të madh, memobilje të rënda, dhe sa herë që Fadili ishte i lirë, shkonin dhe i vizitonin njerëzit e saj.Koha kishte ndjekur ritmin e vet dhe Hasimi ishte njohur me një grua serioze. Marta s’ ishte ndonjë bukuroshe, por e donte Kujtimin si djalin e saj. Çuditërisht, në vend se të gëzohej që i jati e kish gjetur një grua që bënte çmos për mirëqenien e tij, Kujtimi u mbyll në vete, lëshoi mustaqe dhe veshi hijen e atij Naserit të mallkuar, që e kishte shembur mbretërinë e ”ardhacakëve arnavudë”. Tani ai mbahej sinacionalist arab dhe shkëmbente letra menënën dhe motrat që jetonin në Kairo.
Papandehur erdhën të vjellat. Aida s’ ishte ndonjë femër e fortë si skandinavet. Ngjyra e zbehtë e lëkurës, barku që po i rritej si vozë, dhembjet e mesit, era e gojës dhe një pagjumësi që s’ e kishte përjetuar më parë, e gremisën në një trishtim të pafund.I shoqi punonte natën dhe mbaronte në mëngjes. Në vend se të bisedonte me të, ta pyeste si i kishte hallet, ta trimëronte siç bënteHasimi, ai flinte gjithë ditë e lume dhe,kur zgjohej e s’ e gjente ”bukën gati”, e quante shoshone dhe plloskë të lazdruar.Pak që s’ ishte në gjendje ta mbante një fëmijë, po donte të bëhej edhe dentiste. Ç’ i duhej ai dreq zanati tani që po bëhej nënë? A s’ kishin të hanin? A s’ kishin të pinin? Kushërinjtë e tij gjallëronin edhe me asistencë sociale. Fundi i fundit, ajo ishte myslimane. Pse doemos duhej të punonte e t’ iu zgërdhihej atyre qafirave grekë, italianë e jugosllavë?
Ironitë e tij digjnin si spec meksikan. Sado që orvatej ta mbante veten, lotët i shkonin çurg.Ah, sa shumë që kishte gabuar! Ta dinte që ishte aq i lig dhe zemërkatran, ajo kurrë s’ do t’ i shkonte pranë. Tani ishte vonë për gjithçka. Kjo ishte arsyeja pse nuk iu dilte para as Hasimit, as Kujtimit.
Gjatë kësaj kohe, që ishte e gjatë si amshiumi dhe askush s’ e pyeste për hallet e saj, Aida ia dhe vetes një premtim të madh: do ta lindte atë fëmijë dhe do ta ruante si sytë e ballit, por vetëm deri sa të ecte me këmbët e veta; pastaj do t’ ia lente Fadil Cfilagës.Asgjë, asnjë plaçkë, s’ do ta merte prej tij:as kolltuqet e rëndë, as qilimat e butë kinez, as pikturën që e kishin varur mbi krevat, as jorganat që i kishin blerë në Ikea, as atë makinën e pshurttë me të cilën e kishte shpënë në Kosovë, as të hollat që kishin kursyer sëbashku. Ajopo matej madje t’ ia lente edhe rrobat e trupit që kish blerë pas martesës së tyre.
Të gjitha këto ia kishte thënë atë ditë që ky ia kishte zënë rrugën para shkollës.
” Ik e mos t’ i shoh sytë,” i kish thënë. ” Merre djalin dhe çoe te kushërinjtë, se atje do ta ketë më lehtë. ”Por kur të kthehesh prapa, nuk do më gjesh te shtëpia.Bash edhe sikur të ma falësh atë apartament – dhe ato mobilje që kemi blerë sëbashku – dhe ata lekë që kemi huazuar për t’i blerë mobiljet… Pas atyre që kam përjetuar këto vite, s’ dua të vazhdoj asnjë ditë me ty. Ja tek e ke djalin dhe përpiqu ta rritësh si vetveten… Po i thua vetes shqiptar… Atëherë, përpiqu ta bësh shqiptar dhe, inshallah, të del me yll në ballë… Unë jam plloskë, hallabajkë dhe përtace arabe… Mu për ate arsye s’ dua të ma sjellësh përpara, se unë jam e vdekur për juve.”
Të gjitha këto ishin thënë. Tani që Fadili do t’ i mblidhte plaçkat e do t’ i sillte në ”Shkollën e pasditës”,Suedinë e mbërtheu një acar i madh. Deti u vesh me akull dhe anijet s’ shkonin as deri në Smolandë.Të gjitha hurmat, zarzavatet, bananet, qitrot e artikujt që duhen për Krishtlindje duheshin të shpërndaheshin me maune.Sikur kjo të ishte pak, Evropën Juglindore e prekën termetet.Njëherë Turqinë, pastaj Rumaninë. Me qindra të vdekur e të lënduar nën gërmadhat e shtëpive…
Shi n’ ato ditë dhjetori erdhën edhe pesë familjera të reja shqiptare. Ndryshe nga tarakaçët tjerë, që rëndom ishin të zinj e të shëmtuar si arixhinjtë e Pargës, Zhutajt ishin të gjatë e të pashëm si gjermanët.Ata ishin nga Veleshta dhe, pa marrë parasysh pozitën gjeografike të atij fshati, flisnin një gegnishte të qartë e të kuptueshme.Ata ishin rritur pa nënë dhe që nga vegjëlia ishin mbajtur me njëri tjetrin.Nënë e motër e kishin Belqizare Vincën, motrën e tyre të madhe, që gjithmonë u kishte ndenjur afër dhe i kishte mbajtur tok.
Vëllau më i madh i Zhutajve ishte Adili. Nuk kam të dhëna se kush u bë shkak që ai të vinte në Suedi, por gjykuar nga rasti i shqiptarëve tjerë, duket se rekrutuesit suedezë, duke kërkuar krah të lirë punë, e kishin gjetur edhe Veleshtën. Adili ishte i martuar dhe kishte gjashtë fëmij.Një vit më vonë iu kishin bashkangjitur edhe Qemali me Nurijetin. Qemali kishte pesë djem, Nurieti sapo ishte martuar. Pak vite më vonë kishte mbërritur edhe Selatini me Qani Vincën, burrin e motrës së tyre.Të gjithë u mblodhën në Kalmar, në një vile që ua kishte miratuar Zyra për Mirëqenie Sociale, dhe kishin vetëm një dëshirë: të hanin, të pinin dhe të jetonin sëbashku. Pas një periudhe goxha të gjatë, kur ata u shtuan aq shumë sas’ jetonin dot sëbashku, ata pranuan të “shprishen pak” por jo më larg se në të njejtin pallat.Atëbotë Zyra e Inkuadrimit i dërgoi në Malme dhe të katër vëllezërit, bashk me Belqizaren, lëshuan rrënjë në Lindängen, ku kishte plot apartamente të zbrazëta.
Ardhja e Zhutajve në Malme e riaktualizoi çeshtjen e orëve të “gjuhës shqipe”.Ishim në fund të semestrit të parë dhe, pa marrë parasysh dëshirën tonë t’ i përfshijmë në aktivitetet që kishim zhvilluar gjatë vjeshtës,kjo ishte e pamundur; aq më tepër që ishim në prag të Krishtlindjeve dhe askush s’ na kish autorizuar për një punë të tillë. Vlen të shtoj se fëmijët Zhuta ishin të shumë dhe kishin nevojë për një mësues që mundej t’ i ndihmonte jo vetëm me suedishte, po dhe matematikë, gjeografi, histori, botanikë e dituri të besimeve fetare. Adili kishte gjashtë, Qemali pesë, Selatini tre… Ata, bashk më kushërinjtë Vinca, bëheshin sady ekipe futbolli… E vetmja gjë që mundëshim të bënim ishte t’ i ftonim në “Shkollën e pasditës”, por distanca midis lagjeve ishte tepër e madhe.
Edhe pse numri i vocrrakëve shqiptarë po rritej për çdo ditë, t’ ardhurat tona ekonomike ishin barazi me zero. Kjo situate më detyroi ta bëj një shkresë të re dhe të kërkoj ndihmë për vazhdimin e projektit që e kishim emërtuar “Dituria”. Ata të Drejtoratit Shtetëror, pasi do ta studjonin kërkesën time, do ta vazhdonin edhe për dy termine tjerë. Ato të holla, që s’ ishin më shumë serroga mujore e një mësuesi, s’ ishin të mjaftueshme, por na mundësonin të blenim lapsa, fletore, libra, revista, disqe dhe dy qilima sintetikë për t’ i veshur sallat nëpër të cilat lodronin të vegjëlit.
Një të enjte, e kjo ishte enjtja para kreshmes së katërt, tamam kur po vishesha për të shkuar në Zyrën e Arsimit, më merr në telefon Kadriu dhe më njofton se Fadili, pas shumë peripecish, kishte mbërritur në Malme.
” Krejt në rregull,” i thash.“Atje do ta gjeni Arsimin, se sapo fola me te. Parkironi maunen përballë lëndinës ku biseduam atë ditë dhe vendosni plaçkat në njërën nga klasat që gjenden në krahun e majtë të hyrjes. Mos i bllokoni hyrjet, se helbete na duhet ndonjë bangë.”
” Hiç mos u mërzit, se këtu e kam Jakupin, Samiun, Ibrahimin dhe Hajdarin. Saora e mbarojmë atë punë.”
“ Ani mirupafshim, se shkova,” i thash.
Përndryshe, ajo enjte s’ qish qenë e e mbarë.Kisha dalë gjoja të punoja, por më mbytën telefonatat. E para që m’ u lajmërua ishte Martina Xhela. Ajo më njoftoi se Ismeti kishte marrë një shkresë nga drejtori, Hans Persson, dhe ai e kishte njoftuar se vendimi për tetë orët që kish mbajtur Ismeti binte poshtë dhe s’ ishte aktual për semestrin e dytë. Ajo ishte e dëshpëruar dhe e mllefosur, por kështu funkciononte Suedia.Legata Jugosllave s’ ishte pa influencë.
Pak minuta më vonë më moriedhe drejtoresha Bauth.Ajo s’ hyri njëherë në temë, por erdhi rrotull e rrotull, me ç’ kemi, si po shkojnë punët, ça po thonë motra gra,ça po thonë vëllezërit burra por, më në fund, doli aty ku e prisja. Tani që shkolla do mbyllej, ajo, me shumë keqardhje,duhej të më njoftonte se vitin e ardhshëm motrat gra s’ mundeshin ta përdornin sallën e punëdores.Kishte ankesa.
“ Jam e gatshmet të bëj gjithçka për juve, por assesi të armiqsohem me kolegët arsimtarë,” tha drejtoresha.” Sipas tyre, ajo që pret e qep në sallën e punëdorës është mësuesja, zonja Xhejlane, ndërsa nxënëset e saj pinë kafe e kuvendojnë.Kjo do t’ ishte në rregull sikur ato të mos i merrnin edhe fëmijët e tyre në shkollë dhe ata të mos lodronin nëpër klasa e të mos i bënin banjot helaq.Mjerisht, të njejtat m’ i tha edhe kujdestari i shkollës…”
M’ u deshtën disa çaste që ta mblidhja veten, por ato që m’ i tha zonja Bauth tingëllonin të vërteta.
” Më vjen keq,” i thash.” Jashtzakonsiht keq.”
Drejtori i Zyrës së Arsimit,zoti Hans Persson, më priti në një dhomë të madhe, të paisur me shumë mobilje.Ai ishte një burrë i gjatë, simpatik, dhe ma kujtonte Arsim Fehmiun, ish arsimtarin e edukatës fizike. Dikur, në vitet e para të shërbimit, mendoja se funkcionarët e lartë i shfletonin ato libra që kishin nëpër vitrine, por me ecjen e kohës e kisha kuptuar se prania e librave e kishte një funkcion të thjeshtë dekorativ: ato duhej të lenin përshtypjen se kishe të bëjë me njerëz të rëndësishëm. Zoti Persson mbante një mjekërr të shkurtër, bojë kafe, dhe ishte gjithnjë i qeshur.
” Ani, ç’ kemi të re në sektorin e ”gjuhëve të shtëpisë”, më pyeti.
” Gjithëçka e vjetër,” i thash. ” Te ju duket se ka shumë të reja, përndryshe s’ do më ftonit deri këtu.”
Ai brofi në këmbë dhe i mbushi dy filxhana me kafe. Njërin ma vuri përpara, tjetrin e mbajti në dorë.
” Jo, arsyeja e ftesës time s’ ka të bëjë me zotrote,” tha ai dhe, pasi m’ i numëroi nja dy tri shkaqe që e kishin nxitur të më ftonte,vazhdoi me një seriozitet të madh.” Sipas kërkesave që na kanë ardhur nga terreni, Shkolla Lindengen do ketë afro tetëmbëdhjetë nxënës të rinj shqiptarë… Atje duhen sëpaku tetë orë gjuhë shqipe dhe katërfish më shumë për mësim plotësues. Para se ta çojdikë tjetër, desha të di mos je i interesuar të punosh ti n’ atë shkollë?”
” Unë jam mirëaty ku jam,” i thash.Ato orë mund t’ i marrë kolegu Ismet Xhela, që s’ e ka as çerekun e orëve të mia.”
Aie zuri mjekrrën me dorë dhe, para se ta hapte gojën, i ra dhomës rreth e rrotull.
” Ajo s’ është e sigurtë,” tha. ” Tani për tani kemi edhe një kandidat tjetër dhe kyka më shumë poena se Xhela. Unë e njoh zonjën Xhela dhe s’ kam gjë kundër burrit të saj po Zyra jonë, gjatë punësimit të kadrove, ndjekë një praktikë që s’ aplikohet nëSheshin e Mbretëreshës.Të punosh me fëmijë s’ është të paketosh kanaçe…”
” Ate e di,”i thash, se e kuptova ku do të dilte.” Po ai tjetri mos është doktorand i shkencave pedagogjike?”
Atij s’ i pëlqeu toni i pyetjes që ia shtrova.
” Aq larg s’ ka mbërritur, por është regjistruar në Shkollën e Lartë Pedagogjike dhe ka dhënë dyprovime. Ka rekomandime nga prindërit shqiptarë dhe Lidhjae Arsimtarëve Jugosllav.”
A ishte, vallë, e mundur? Replika e zotit Drejtor ma kujtoi ate që na kishte qerasur mua dhe Xhemalin me “llozovaçë” dhe që e kishte paguar profesorin e tij me tri javë pushime.
“ Mos ma merni për të madhe, por dua t’ ua shtroj një pyetje,” i thash drejtorit. “ Mos qofsha gabim, gjatë punësimit të kuadrove arsimore, Ministria e Arsimit ndjek rregulla të sakta dhe s’ lejon të shkilen sipas qejfit.Pyes veten: cilat rregulla po i ndiqni ju? Ju keni punësuar për mësues të fëmijve shqiptarë një matrapaz që kurrë s’ e ka lexuar një libër në gjuhën tone.Tani dashki ta punësoni një tjetër që blen provimet memarka.Dhe ç’lidhje ka Shoqata e Arsimtarëve Jugosllavë këtu?”
Ai e ndeju veten të ofenduar, se e pash që u skuq në fytyrë.
” Ajo shoqatë përbëhet nga arsimtarët serbë, kroatë, sllovenë, boshnjakë e maqedonas dhe mbron interesat e fëmijve jugosllavë, pa marrë parasysh kombësinë e tyre,” ma ktheu me inatë.” Po më vjen keq që dola i keqkuptuar, veçse ne jemi institucion publik dhe respektojmë të gjitha palët.Dashur e padashur, duhet t’ i marrim parasysh dëshirat e të gjithëve. Ja ku e kam letrën dhe mundeni ta lexoni vetë. Urdhëroni!..”
Unë e mora letrën që ma dha dhe, pasi ia hodha një sy, ia ktheva prapa.
“ Letra të këtilla kam parë edhe në të shkuarën,” i thash. ” Merreni se ju duhet juve.”
“ Ajo është kopje.Por edhe vetë jam në hall, se s’ jam shqiptarë. Unë s’ disponoj me instrumentet që duhen për t’ i verifikuar disa punë.Nejse, do të mendohem para se të veproj,” tha ai.
” Bëni mirë, se mbani përgjegjësi të madhe,” i thash. ” Unë, për vete, jam i kënaqur me shkollat që kam dhe atij që do ta çoni në Lindengen i dëshiroj punë të mbarë. Si thoni, të iki tani?”
” Gjithësesi, gjithsesi,” tha ai dhe më përcolli deri te dera. ” Paç një vikend të qetë dhe – nëse s’ shihemi – gëzuar Krishtlindjet.”
Gëzuar edhe ty, zoti Drejtor, mendova. Unë jam mysliman dhe s’ i kremtoj Krishtlindjet, por e kremtoj paqën, e kremtoj mirësinë. Po çka t’ iu bëj dreqërve që më kanë hyrë në kokë dhe s’ po më lënë të qetë? Pse dreqin duhet ta vras mendjen me ligësitë e një matrapazi që, me ndihmën e shovenëve sllavë, po na i prishë gjakërat?
Nja dhjetë minuta më vonë, deri sa treni çante perden e hollë të mjegullës, nxora kopjen që ma kishte dhënë drejtori dhe lexova edhe një herë. Edhe ajo iu kishte nisur Drejtoratit Shtetëror, por tani me listën e fëmijve dhe grave që shkonin në kursin e rrobaqepësisë.
… ne, anëtarët e Shoqatës Kulturo-artistike ”Vëllazërimi” jemi në dijeni se lutja e qytetarit jugosllav, Selman Patoku, është hedhur poshtë nga ana juaj – thonte letra. Vendimi i marrë prej jush na duket i padrejtë si për zotin Patoku, ashtu dhe për komunitetin e vogël shqiptar që jeton në Malme… Kjo po na nxitë ta kompletojmë opinionin sa i përket të lartpërmendurit Patoku dhe ju lusim të keni parasysh sa vijon:
Selman Patoku është mësues. Ai ka mbaruar Shkollën Normale dhe ka fituar të drejtën të punojë si mësues i ciklit të ulët në shkollat tetëvjeçare të Kosovës dhe Metohisë. Për ta fituar të drejtën e tij, i lartpërmenduri ka bërë katër vjet studime, të cilat i ka paguar me mjetet e veta materiale. Kjo që i lartpërmenduri do të punojë më fëmijët e qytetarëve shqiptarë nga Jugosllavia nuk është gabim, posaçërisht nëse merret parasysh se ata janë të vegjël dhe kanë nevojë për ndihma të natyrës së ndryshme. Në pritje të lejeqendrimit, i lartpërmenduri na ka ndihmuar jashtzakonisht shumë.
Momentalisht po flitet shumë për ruajtjen e gjuhës që flitet në shtëpi. Sipas informatave zyrtare, shkollat duhet të bëjnë gjithçka që t’ ua mundësojnë ardhacakëve të vegjël mësimin e gjuhës amtare. Mjerisht, organet e këtushme, përkundër dëshirës së mirë, nuk kanë mjete të mjaftueshme për grupe të vogla etnike siç është komuniteti shqiptar.
Një pyetje e rëndësishme për neve, anëtarët e Shoqatës Kulturo-artistike ”Vëllazërimi” është si ta mundësojmë realizimin e kësaj reforme kur s’ kemi kuadro profesionale. A s’ mundej të bënte diçka edhe zoti Patoku?
Në një kërkesë tonën kemi deklaruar se i lartpërmenduri mundej të angazhohej në ndonjë parashkollore ose në ndonjë kurs me analfabetët shqiptarë. Me sa dimë ne, asnjë arsimtar s’ ështe angazhuar me fëmijët e moshës parashkollore dhe gjendja po na duket e zymtë. Sa për dijeninë tuaj, Zyra e Arsimit edhe këtë vit ka anonsuar katër orë të gjuhës shqipe dhe katër orë mësim plotësues, por ato po i mbanë një mësues i pakualifikuar për atë punë.
Zotërinj,
I lartpërmenduri Patoku ka një fëmijë në Suedi. Marrëdhëniet e tij me nënën e fëmisë duken të mira, edhe pse palët s’e kanë ndërmend të bëjnë kurorë. Do t’ ishte mirë që edhe këjo rrethanë të merret parasysh, sepse i lartpërmenduri na duket prind i dashur dhe ka nevojë të shihet mevajzën e tij. Duke qenë se e jëma banon në Suedi, po na duket krejt e natyrshme që ai dëshiron të jetojë këtu. Në të kundërtën, vajza e tij do të rritet pa i njohur të dy prindët. Aq e çuditshme ju duket dëshira e tij?
Ne, të nëshkruarit, dëshirojmë t’ ua kujtojmë se Sh. K. A. ” Vëllazërimi” është shoqatë kulturore. Të merresh me kulturë, s’ do të thotë të merrësh me vendime. Mu për këtë arsye ju lusim t’ ia miratoni një lejeqendrim qoftë edhe për shkaqe humanitare… Me nderimet më të thella…. Ejera, etjera…
E futa kopjen e letrës në xhep dhe, për ta shuajtur mllefin që më kishte mbërthyer n’ atë çast, shikova në drejtim të rrafshit që kisha përpara: edhe ajo ditë e enjte, si të gjitha enjtet para saj, ishte duke dhënë shpirt. Mjegulla ishte gjithnjë e hollë e e tejdukshme, por shumë shpejt do të trashej si balta. Treni ecte me vrap, herë pas here ndërronte binaret, por unë s’ isha atypari, sepse përtej krizmës së rrotave po e dëgjoja fushën, po e dëgjoja qiellin, dhe po i dëgjoja frymëmarrjet e atij që na kishte krijuar shqiptarë.
O, i Madhi Zot, e pyeta ate që ishte përtej të mjegullës. Çfarë populli jemi ne? Ti ia zgjat dorën, e fton brenda në shtëpi, ia ve bukën përpara, ndërsa ai ta këput krahun me thikë dhe e flakë në grope të plehrave…

 

Shkruan: Ramadan Rexhepi