|
28
Nëntori- Dita e Flamurit
Në dhjetë vjetëshin
e parë te shek. XX. shqiptarët organizuan kryengritje
të shumta, duke përfshirë qytete të ndryshme,
pra edhe Preshevën. Edhe përkundër rrethanave të
ndërlikuara ndërkombëtare, luftën për
çlirim dhe pavarësi populli shqiptar nuk e ndali.
Hasan Prishtina, deputeti i Kosovës në dhomën e
deputetëve në Parlamentin osman më 11 janar 1912,
bëri një diskutim të fuqishëm në favor
të çështjes kombëtare shqiptare. Nga ky
diskutim, lindi takimi në lagjën Taksim, i deputetëve
shqiptarë, që paraqet marrëveshjen se “për
Shqipërin nuk ka tjetër mjet vetëm të fitojë
me një kryengritje të përgjithëshme”.
Në këtë mbledhje, si e quajti Hasan Prishtina
“Komplot i Taksimit”, rol vendimtarë luajtën
dy figura të shquara të Kombit, Ismajl Qemali dhe Hasan
Prishtina. Nga marrëveshja e Taksimit, me punën e patriotëve
shqiptarë, në trojet shqiptare dolën besëlidhjet
e krahinave, si e Lezhës, Bregut te Matit, Dibrës e
tjera, deri te Kuvendi i Junikut (21-25 maj 1912).
Me inisiativën e Hasan Prishitnës aprovohet programi
i kryengritjes e që parashihej 1. Caktimi i kufijëve,
2. Krijimi i një administrate shqiptare, 3. Ngritja e flamurit
kombëtarë, 4. Njohja e gjuhës shqipe si gjuhë
zyrtare, 5. Në Shqipëri të sundojë guvernori
shqiptare i zgjedhur nga përfaqësuesit e popullit, etj.
Si dhe për zbatimin e këtyre kërkesave të
jenë garantues fuqitë e mëdha. Këto kërkesa,
de facto, ishin për pavarësinë e Shqipërisë.
Mirëpo ato nuk u aprovuan nga Porta e Lartë e Stambollit,
prandaj kryengritja e përgjithshme shqiptare vazhdoi në
të gjitha trojet shqiptare.
Aleanca e shteteve ballkanike që u krijua dhe u zgjerua
gjatë periudhës mars-shtator 1912 në lidhje me
Perandorinë Osmane, kishte karakter çlirimtar, por
në krahasim me trojet shqiptare kishte karakter pushtues-
grabitqar. Secili fqi ballkanik, kishte bërë planet
që të shkëpuste nga një pjesë të
Shqipërisë. Pas mobilizimit të ushtrisë të
Aleancës Ballkanike në fund të shtatorit edhe Porta
e Lartë e mobilizoi ushtrine e vet. Më 8 tetor 1912,
Mali i zi i pari shpalli luftë Turqisë, më 17 tetor
Serbia dhe Bullgaria, ndërsa një ditë me vonë
edhe Greqia.
Kështu filloi Lufta e Parë Ballkanike, ndërsa
për shqiptarët filloi një nga periudhat më
të vështira të historisë. Pjesa lindore e
Vilajetit të Kosovës (Presheva, Bujanoci si dhe viset
tjera) u detyruan t`i lënë vatrat e tyre shekullore
nga depërtimi i ushtrisë serbe. Përzënia nga
Sanxhaku i Nishit kishte mbjellur frikë tek shqiptarët
me masakrat e egra. Prandaj pjesa dërmuese e tyre u vendos
në Shkup e rrethinë, ku qëndroi disa javë.
Pas “qetësisë” së krijuar, ata u kthyen
në shtëpitë e tyre, por pyetja ishte çka
gjetën nga pasuritë e tyre dhe si e kaluan dimrin. Njerëzit
me bindje se nuk do të ndodhë asgjë me ta , pësuan
humbje njerëzish, djegje të shtëpive, plaçkitje
të pasurive, e shumë çka tjetër.
Kur në rrethanat diplomatike dhe shtypin evropian filloi
të flitet për nevojën e ndryshimeve territoriale
në Ballkan, patriotët shqiptarë vendosën që
të marrin një veprim të ri politik, qëllimi
i të cilit ishte të ruhej tërësia e tokave
shqiptare dhe të mblidhej një kuvend kombëtarë
që do të vendoste për fatin e saj. Inisiativën
për këtë veprim të ri e morën Ismajl
Qemali e Luigj Gurakuqi.
Kuvendi i Vlorës
Duke mos marrë parasyshë rrethanat, se edhe në
mos arrinin të gjithë përfaqësuesit e krahinave
të ndryshme shqiptare, më 28 nëntorë 1912,
në orën 14.30, u hap Kuvendi Kombëtarë i Vlorës,
në të cilin morën pjesë përfaqësues
të shtresave të ndryshme të popullit shqiptarë.
Në seancën e parë të këtij Kuvendi, fjalën
hyrëse e paraqiti Ismajl Qemali në të cilën
e paraqiti gjendjen e Shqipërisë dhe i përcaktoi
masat e ngutshme që duhej të ndërrmerren. Shqiptarët
tha ai, nuk harruan as gjuhën e as kombësinë e
tyre dhe prova më e mirë janë përpjekjet dhe
kryengritjet që bënë pa ndërprerë, e
sidomos në katër vitet e fundit për të ruajtur
të drejtat dhe zakonet e tyre. Në vazhdim, ai tha se:
populli na zgjodhi dhe na dërgoi në këtë tubim
historik që të ndërmerret shpëtimin e atdheut,
e shpëtimi i vetëm është liria. Prandaj, duke
mbështetur mbi dëshirat e shenjëta dhe me vullnetin
e patundur të gjithë popullit, dhe me përfaqësuesit
e tij e shpallim Shqipërin të mëvetësuar,
të lirë dhe të pavarur.
Në vazhdimin e punës së Kuvendit të Vlorës,
më 4 dhjetor 1912, u bë zgjedhja e plotë e qeverisë,
ku bënin pjesë: Ismajl Qemali, kryeministër dhe
ministër i punëve të jashtme, Dom Nikollë
Kaçori, nënkryetar, Myfit Bej Libhova, ministër
i i punëve të brenshmë, Abdi Bej Toptani, ministër
i finansave, Mehmet Pashë Dërralla, ministër i
mbrojtjes kombëtare, Petro Poga, ministër i arsimit,
Mit`hat Frashëri, ministër i punëve botërore,
Pandeli Cale, ministër i PTT-së.
Në Kuvendin e shpalljes së Pavarësisë nuk
morën pjesë: Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Nexhip Draga,
Sahit Hoxha, e të tjerë përshkak se u internuan
në burgun e Kalasë së Beogradit (në Kalemegdan)
dhe u mbajtën deri në prill të vitit 1913.
Shpallja e Pavarësis së Shqipërisë është
një nga ngjarjet më të rëndësishme në
historinë tonë kombëtare. Ajo shënoi jo vetëm
çlirimin nga zgjedhja shumëshekullore turke-osmane,
por iu dha grusht vendimtarë pretendimeve territoriale të
shteteve fqinje, edhe pse fatëkeqsishtë nga ajo ditë
e deri më sot më se gjysma e trojeve shqiptare mbetën
jashtë kufirit të shtetit.
|
|