Newsletter
Forumi
Sondazh
e-mail presheva.com
Lexo POP3 email
Oferta
Ju për ne ...
Interna

     
 

Dëshmi për rastin e fshatit Isiuk

Ajaz Memishi lindi më 1931 në fshatin Isiuk. Si fëmijë përjetoi masakrat që Brigada XVI serbo- maqedonase kreu në këtë fshat në dhjetor të vitit 1944. Tani jeton në Preshevë me familjen shumëantarëshe dhe pa kurrfarë të ardhurash.

Ishte dhjetor i vitit 1944, rrëfen baca Ajaz, si fëmijë me fëmijët e tjerë isha duke luajtur në oborrin tonë. Në çast u dëgjuan zëra nga perendimi dhe pas pak pamë edhe partizanët që si milingona po na rrethonin fshatin. Them si milingona, ngase ishin në numë të shumtë.

Më kujtohet një farë Luba i Leranit, që atëherë ishte komandant i tyre, i cili pasi pa se nuk ka kurrfarë rreziku ngase shtëpitë i patën lëshuar të gjithë burrat e fshatit, meqë kishin marrë vesh se do të rrethoheshim e në fshat patën mbetur vetëm gratë, pleqtë dhe femijët, ai u thirri personave të vet: “Dodjite, slobodno, slobodno...” (Ejani lirisht, lirisht) S`vonoi dhe dhanë urdhërin e parë: Asnjë fshatarë të mos dalë në oborr të gjithë në shtëpi! Më vonë pasoi edhe kontrollimi dhe burgosja e pleqve dhe fëmijëve më të moshuar ( të gjithë të gjinisë mashkullore). Familjes sonë i urdhëruan që ta lëshonte shtëpinë se aty do të vendosej Komanda.
Dhe ashtu u bë. Komanda u vendos në katin e parë të shtëpisë, kurse në atë përdhesë u vendosën të burgosurit (kishte edhe nga ata që i kishin zënë nëpër male duke ikur). Ne u detyruam të shkonim bashkë me familjet e Bajramit, Selimit dhe Brahimit në shtëpinë e Hajrizit.

Afër shtëpisë sonë gjendeshin edhe shtëpitë e Bajramit dhe Zulfiut që shërbenin për torturimin e burgosurve para ekzekutimit. Ne nuk guxonim të dilnim për asnjë çastë nga shtëpia, nga frika se do të na ekzekutonin. Mirëpo, qysh natën e parë me të dëgjuar muzikën dhe krismat e pushkëve, unë si fëmijë kureshtar u përvodha disi prej shtëpisë dhe dola në oborr. Më kujtohet si sot, se si partizanët i shtinin përdhunisht të burgosurit të hidhnin vallë me muzikën që bënin ca romë nga radhët e partizanëve dhe arrita t`i dalloja edhe ca të burgosur, e këta ishin: Abdi Zuba, të cilin një natë e vranë bashkë më gjyshin tim Ramiz Hajdarin, Shefki Hafizin dhe axhen tim, Qamil Nuhiun. Këta kufoma unë i pashë vetë një natë kur përsëri u përvodha prej shtëpisë, e pasi nuk guxoja të eci në këmbë, ngase identifikimi i siluetës ishte më lehtë, u detyrova të ecja barkas dhe në një livadh hasa në katër kufoma. Njërën prej tyre arrita ta identifikoja, ky ishte gjyshi im, ndërsa të tjerat, nga masakrimet që u kishin bërë, nuk i njoha.

Kufomat më shtuan frikën se do të më zinin dhe do të më vritnin edhe mua. Atë natë u ktheva në shtëpi më i shqetësuar se kurrë më parë. Këtë e vërejti nëna dhe më pyeti se ç`ka kisha. Unë i tregova realitetin, por ajo për të më ngushëlluar më tha se nuk kam mundur t`i njoha në atë natë kufomat. Një herë tjetër, kur dola nga shtëpia më zunë dhe më detyruan që t`u mbushja ujë nga kroi. Kjo turturë për mua zgjati dy ditë rreshtë. Torturë nuk ishte vetëm bartja e ujit, por frika se do të më vrisnin dhe për këta mundohesha që kjo të mos më gjejë në befasi, por të jem i përgaditur, mendoja që në momentin kur ndonjë partizan të ma drejtonte pushkën, unë të merrja vrapin dhe të humbja gjurmë nëpër mal. Mirëpo kjo, üër fatin timë nuk ndodhi dhe unë mbeta i gjallë.
Gjatë dymbëdhjetë ditëve, sa qëndruan, vinin rregullisht në shtëpinë tonë ( kështu ndodhi edhe me shtëpitë e tjera) dhe urdhëronin t`u ziejm kaçamak, e pastaj kërkonin bukë e ujë të vluar kinse për t`u përgatitur “ushqim” të burgosurve. Nja dy-tri ditë para se të tërhiqeshin prej fshatit, partizanët i morën të gjithë të burgosurit dhe i dërguan në Preshevë. Ndër të burgosurit ishin edhe dy dajallarët e mi, Rrustemi e Bajrami, të cilët pasi u liruan (pas gjashtë javësh) së pari erdhën në shtëpinë tonë e pastaj shkuan nëpër shtëpitë e veta. Sipas tregimit të tyre, të burgosurit që ishin 300 – 400 veta, u dërguan në barakat e monopolit (vendgrumbullimi i duhanit) të Preshevës. Këta u mbajtën të burgosur pa kurrfarë vendimi e procedure gjyqësore.

Brigada u tërhoq pas 12 ditësh duke plaçkitur çdo gjë të vlefshme. Më kujtohet se ne kishim 30 lopë e disa dhi, prej të cilave na kishte mbetur vetë një dhi e çalë, kurse të tjerat (lopat dhe dhitë) na i kishin grabitur. Ata kishin lënë pas vetes ta masakruan fshatin e tërë. Me të shkuar ata, ne filluam t`i kërkonim kufomat e njerëzve të vrarë. Diku rreth 30 metra afër shtëpisë se Zylfiut në dy gropa kishin qenë të mbuluar me pak dhe të masakruarit.

Njëherë as që guxuam t`i preknim kufomat, ngase partizanët kishin urdhëruar të mos prekeshin. Pas disa ditësh na dhanë lejë për t`i nxjerrur kufomat. Leja është marrë në Zhegër. Në nxjerrjen e kufomave kam marrë pjesë edhe unë dhe disa fëmijë të tjerë, sepse burra nuk kishte. Në nxerrjen e kufomave shquhej sidomos nëna e Hazirit, Qazimja, së cilës i ndihmonin Ismaili, Rexha, por edhe unë, Naip Shabani, Sadriu e pas ditës së dytë filluan të vinin edhe prej fshatrave të tjera për të na ndihmuar. Ishte vështirë t`i nxjerrë kufomat, sepse ato ditë pat rënë shi e gropat sihin të mbushura me ujë e lloç. Dikush nga ne hynte në gropë dhe teshat e kufomës i kapte të mbushura për mullarë dhe ata që ishin lart e ngrinin kufomën dhe kështu të gjitha kufomat i radhitnim në livadh. Kufomat ishte vështirë të identifikoheshin, pasi ato ishin të masakruara.

Më kujtohet se Nuhiu i Caravajkës ia kishin pas nxjerrë trutë, Sahit Asllanit ia kishin prerë pjesën e epërme të kokës dhe ia kishin nxjerrë njërin sy. Në kufomat e tjera vërehej rrebeshi i plumbave, fyturat e deformuara, prerja e organeve gjenitale, djegia me ujë valë etj. Këto skena kanë qenë rrëqethëse sidomos për ne fëmijët., unë për vete kurrë nuk mund t`i harroj, bile shpesh i shoh edhe në ëndërr.

Kufomat që ishin nga fshatrat tjera, ata që kishin mundësi, i merrnin dhe i varrosnin në fshatrat e tyre, pra në vendëlindje, ndërsa kufomat që mbetën i varrosën aty në fshat, një pjesë në një livadh e një pjesë ndër një dardhë. Varrimi nuk ishte si zakonisht, i varrosnim nga tre – katër veta në një varr dhe pa dërrasa e zakone tjera. Kufomat e gjyshit, Avdi Zukës, Ramiz Hajdarit, Shefki Hafizit e të mixhes Qamil i varrosëm në vendin e vrasjes. Ishte prekës rasti kur pamë se Rexha ishte vrarë me katër fëmijët e tij e këso rastesh kishe edhe nga fshatrat e tjera, si psh. rasti i Lutfiut nga Gruahalia. Nga këto grupe nxorëm mëtepër se shtatëdhjetë veta. Ndër ta dhjetë ishin nga fshati Isiuk. Këta janë:

1. Rexhep Dalipi

2. Rifat Dalipi

3. Mustafë Dalipi

4. Rashit Dalipi

5. Ramadan Dalipi (Rexhepi, Rifat, Mustafa, Rashiti dhe Dalipi ishin babë e bij.)

6. Murat Avdyli

7. Adem Sylejmani

8. Aziz Sylejmani

9. Memish Nuhiu

10. Qamil Nuhiu

Pasi përfunduam varrimin, filluan të rrëfenin secili ç`kishte parë dhe dëgjuar. Nga rrëfimet e bacës Riza dhe bacës Arif, të cilët kishin shpëtuar nga vdekja e sigurt, kuptuam se ndaj të burgosurve ishte ushtruar një dhunë e paparë. Nxerrja e të burgosurve prej shtëpive për te gropat, ku ishte vendi i vrasjes ishte ndrekur me muzikë e këngë. Ngaj të burgosurve bëheshin tortura të ndryshme: rraheshin me drurë, përvëloheshin me ujë valë, mbyteshin me sëpatë, u nxirrnin sytë me kunja, i lyenin me kaçamak valë etj.
Të gjitha këto mundime e tortura ndaj të burgosurve, ne nuk i kishim dëgjuar as parë, sepse ato kryheshin natën dhe me muzikë. Ato, siç thashë na i patën rrëfyer baca Riza dhe baca Arif.

 
   
 
 

© 1997-2003 Presheva.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.