|
Kanuni
i Lekë Dukagjinit
Nga gojëdhënat
popullore të Shqipërisë së veriut dhe të
Kosovës, emri i Kanunit të Lekë Dukagjinit lidhet
personalitetet e fisnikut dhe udhëheqësit shqiptarë
të kohës së Gjergj Kastriotit - Skënderbeut,
Lekë Dukagjinit. Mirëpo, historia shqiptare njeh disa
personalitete me këtë emër. Kështu një
grup shkencetarësh supozojnë se Leka III Dukagjini (1410-1481)
e ka dhënë dhe e ka kodifikuar këtë Kanun.
Këta shkencatë përpiqeshin gjatë shumë
viteve që ta gjejnë tekstin e shkruar të këtij
Kanuni. Shkenctari i njohur Shqiptarë Fan S. Noli konsideron
se Kanuni është fryt i veprimtarisë dhe i qeverisjes
së urtë të Pal Dukagjinit, vdekja e të cilit
ishte humbje e madhe për Gjergj Kastriotin - Skënderbeun,
ngase ai kishte dhënë kontributin më të çmueshëm
në krijimin dhe ruajtjen e Lidhjës së Lezhës.
Sot mbizotron mendimi shkencor se Kanuni i Lekë Dukagjinit
as nuk është shkruar e as nuk është shpallur
nga ndonjë personalitet i caktuar apo organ ligjdhënës,
por paraqet të drejtën zakonore të shqiptarëve,
e cila u krijua me kohë, në praktikë gjatë
shekujve. Rregullat që përmban Kanuni u përkasin
periodeve dhe kohëve të ndryshme historike. Si i tillë
ky Kanun ka vlerë dhe rëndësi të posaçme
jo vetëm për historinë e shtetit dhe të së
drejtës shqiptare, por edhe për kulturën e përgjithshme
kombëtare shqiptare.
Si e drejtë e pashkruar dhe zakonore në vetëdijën
e popullit shqiptarë, kanuni i Lekë Dukagjinit gjatë
shumë shekujve konsiderohej si Ligj mbi Ligje, ngase pavarësisht
nga rregullat e sjelljes shtetrore, ky Kanun ishte dhe mbeti për
një kohë të gjatë rregullatori kryesorë
i raporteve shoqërore shqiptare.
Përmbledhja e thesarit të kulturës shqiptare e
kishin vënë detyrë të posaçme priftërinjtë
katolikë. Kështu Dom Lazër Mjeda dhe Dom Nikollë
Ashta shumë vjetë ishin përpjekur të mblidhnin
folklorin e në kuadër të tij edhe normat e kanunit
të Lekë Dukagjinit. Vend të dalluar në mbledhjen
e rregullave të kanunit zë studiuesi i mirënjohur
Atë Shtefën Gjeçovi, i cili la në trashigim
veprën më të kompletuar dhe shumë të
rëndësishme të Kanunit të Lekë Dukagjinit.
Kanuni i Lekë Dukagjinit përmban rregulla stautore,
familjare juridike, civilo-juridike, penalo-juridike si dhe rregulla
konkrete mbi procedurën penale dhe civile. Në disa rregulla
kanunore vërejmë ndryshime rajonale apo edhe variante,
mirëpo kryesisht në dispozitat që rregullonin pozitën
e kishës, mikpritjen, besën dhe gjakmarrjen vërejmë
rregulla të njejta për të gjitha viset shqiptare,
ku vlente kanuni i Lekë Dukagjinit. Rregullat konunore të
karakterit penalo-juridik, në mënyrë të veçantë
trajtonin konceptin e veprës penale, çështjen
e paramendimit, përkujdesinë, bashkëpjesëmarrjen
etj.
Kanuni i Lekë Dukagjinit njeh këto sanksione penale:
dënimin me vdekje, gjakmarrjen, dëbimin nga bashkësia,
bojkotin - leçitjen etj. të cilat shqiptoheshin ndaj
kryesit të veprës penale e në raste të caktuara
edhe ndaj familjes së tij. Përpos këtyre dënimeve
kanuni rregullonte në mënyrë precize edhe dënimet
pronësore si gjobitjen, dënimin me të holla, konfiskimin
e pasurisë, asgjësimin e pasurisë, rrëzimin
e shtëpisë, prerjen e pemëve etj. Dënimet
i shqiptonte gjyqi i pleqëve, kuvendi i vllazërisë
apo ai i fisit. Dënimet e rënda shqiptoheshin ngaj kryesve
të veprave të tradhëtisë, kryësve të
veprave kundër Besës (fjalës së nderit), kryesve
të veprave kundër moralit, atyre të mikpritjes,
kundër kishes etj. Kanuni njihte dhe rregullonte në
mënyrë të posaçme institucionin e strehimit.
Sipas këtyre rregullave familjet, bashkësitë dhe
fiset janë të detyruara t`u sigurojnë përherë
strehim individëve apo familjeve që këtë e
kërkonin në raste rreziku apo rreziqe të tjera
të jetës pa marrë parasyesh se kush i kërkonte.
|
|