Newsletter
Forumi
Sondazh
e-mail presheva.com
Lexo POP3 email
Oferta
Ju për ne ...
Interna

     
 

Masakra në komunën e Preshevës


Pozita gjeografike e Preshevës është e volitshme, meqë shtrihet rrëzë malit Karadak, në fushëgropën e Preshevës dhe është në lindje të Republikës së Kosovës, prandaj territori në të cilën gjendet ajo quhet Kosova Lindore.

Pas Kongresit të Berlinit (1878) kufiri midis Vilajetit të Kosovës dhe Serbisë kalonte nëpër Ristovs, midis Bujanocit e Vranjës. Njohja e kufirit të Serbisë në këtë kohë mbi trojet shqiptare të Toplicës në veri të Kosovës së sotme dhe në lindje deri në afërsi të Nishit pati për pasojë gjenocidin e vërtetë mbi shqiptarët e këtyre anëve nga shteti serb me ç`rast u shpërngulën më se 700 fshatra shqiptare, u shpronësuan, u vranë dhe u ndoqën familjet. Përpara dhe pas vitit 1878 Presheva ka qenë qendër e kazasë në administratën osmane, duke përfshirë edhe territorin e Bujanocit. Në luftrat ballkanike, ashtu edhe si popullata tjetër shqiptare e Kosovës, shqiptarët e këtij regjioni pësuan nga gjenocidi i përgjithshëm serbosllav deri në shpërnguljen e tërë popullatës në fushëgropën e Shkupit, për t`u kthyer përsëri në trojet e veta pas disa muajsh.

Në Preshevë nuk harrohet masakra që u bë më 7 dhjetor 1977 mbi hafëz Jusuf Halitin. Jusufin e morën disa agjentë të OZN`ës dhe e futën në kafenenë e Toza Popoviqit, të cilën uniformistë kriminelë e shëndrruan në kasaphane të vërtetë në të cilën i likuidonin shqiptarët e pafajshëm.

Që në çastin që e morën ne nuk e pamë më, thonë bijtë Sadulla Haliti ( i lindur më 8 qershorë 1927 në Preshevë) dhe Dilaver Haliti. Ne e kërkonim në UDB`ë dhe në OZN`ë, por ata veçse na sorolatnin. Më vonë na tregoi Abdurrahman Çukarka që punonte në OZN`ë. Ai tha: Shkoni të lagja e Alimetëve, te shpella aty do ta gjeni varrin. (Sipas kujtesës së Sadulla Halitit, i lindur më 8 qershor 1927 në Preshevë, ku edhe jeton, i cili rrëfen për masakrimin e babait të vet në kafenenë e Toza Popoviqit).

Shkuam dhe e nxorrem kufomën. Por ç`të shihnim: në varr ishte vetëm gjysma e trupit, vetëm pjesa e poshtme. Babanë, në fakt, e kishin sharruar. Masakrën e kishin shoqëruar me muzikë që të mos dëgjoheshin këlithjet. Hafëz Jusuf Haliti lindi më 1888 në fshatin Dobroçan, rrethi i Gjilanit dhe në Preshevë jetonte nga viti 1908. Ai e kreu shkollën teologjike në Gjilan dhe mori titullin hafëz. Shumë vjetë më parë, më 1912 te fshati Ranullik fatin e Jusufit e kishin përjetuar dy vëllezërit e tij: Isa aga Haliti dhe Jahja aga Haliti. Xhelatët më të egër që morën jetën e shumë njerëzve dhe bënë dëme në Preshevë dhe në rrethinat e saj ishin kapiten Luba Radulloviq, nga fshati Serniq, rrobaqepës, malazias nga Mali i Zi i Shkupit, Zora Miniq nga Presheva, Demirali Maxhupi, rom nga Presheva, Iliaz maxhupi, rom nga Presheva dhe Ismail maxhupi, rom farkëtar nga Presheva.

Hafëz Nuredini u masakrua më 7 dhjetor 1944. Hafëz Nuredini kishte lindur më 1905 në fshatin Kurbali. I biri, Ganiu, thotë se babanë e morën nga shtëpia e dërguan te kafja e Tozës dhe nuk e pamë më. E gjetëm krye shtatë ditësh, të masakruar. Kufomën shkoi dhe e mori e motra, halla ime Xhevrija. Babanë e kishin therrur me thika, ia kishin prerë shumë gjymturë dhe trupin e kishte të zi nga rrahja. E varrosëm në varrezat e Preshevës.

Masakra në xhaminë e poshtme në Preshevë

Më 15 shtator 1943 në xhaminë e poshtme në Preshevë u bë një masakër e madhe. Atë e organizuan serbët dhe bullgarët, me popin bullgarë që kishte ardhur me shërbim në Preshevë në krye dhe Jagosh Jovanoviqin e Rekës së Tërnavës. Ata vendosën që masakrën ta bënin te kjo xhami dhe jo në xhaminë e çarshisë, sepse në të parën kishte më shumë njerëz, prandaj do të kishte më shumë viktima. Sa kohë që shqiptarët faleshin në xhaminë e poshtme, serbët u mbyllën dyertë e xhamisë dhe i mbërthyen me tela që të mos dilte kush dhe nga dritarët hodhën bomba dhe gjuajtën me armë të tjera.

Nga kriminelët e kësaj masakre ishin:

1. Jagosh Jovanoviq, kryesori me moshën 45 vjeç,
2. Zafir Tërnava, ndihmës i Jagoshit, po edhe ky nga Reka e Tërnavës,
3. Sazda i Preshevës, 40 vjeç,
4. Stanimir Gërnçar Presheva në shtëpinë e tij përballë xhamisë u bë plani i masakrës dhe.
5. Dushan Presheva, 39 vjeç.

Qytetarët e Preshevës thonë se bombën e parë e hodhi Sazda i Preshevës. Ramiz Agush Doda shkoi dhe e kapi bombën dhe bëri t`ua kthente serbëve ende para se të shpërthente, por për fat të keq, ajo shpërtheu në dorën e Ramizit dhe gjysma e saj u ngjit në tavanin e xhamisë.

Në këtë masakër humbën jetën:

1. Rexhep Sherifi, lagja Derri në moshën 50 vjeç
2. Rifat Kamberi, 42 vjeç,
3. Ramiz Agushi, 30 vjeç (vdiq në spitalin e Kumanovës, thotë Rexhep Sali Hoxha, që ka shpënë vetë Ramizin) dhe
4. Lutfi Mehmeti, i njohur Lutë Tuxhari, 49 vjeç. Vdiq në spitalin e Kumanovës.

Në xhamin e poshtme u plagosën 38 veta, por më rëndë.

1. Idriz Aliu, 40 vjeç
2. Mahmut Kurtishi, 32 vjeç
3. Ibrahim kamberi, 38 vjeç
4. Arif Rushiti, 26 vjeç
5. Jonuz Aliu, 54 vjeç
6. Qamil Kurtishi, 44 vjeç
7. Shefqet Agushi, 23 vjeç
8. Beqir Ahmeti, 54 vjeç
9. Jahja Veliu, 27 vjeç
10. Mehmet Boshnjaku, 25 vjeç
11. Hamdi Jonuzi, 34 vjeç dhe
12. Alisahit Sadiku, 41 vjeç

Bomba në xhami

Ishin mbledhë o, shtat tet shkie
Kishin marr pes litra rakie
N`kafe Tozës jan ul me pi
Kshyr çka thot Jagoshi i zi`e
Ngoni shok e ngoni vllaznie
N`xhami t`eperm na s`guxojm me hie
Aty kan lon disa devrie
N`xhamie të poshtme na me shkue
N`katër on xhamin o, me rrethue
Nga dy bomba more m`i lishue
Njo për t`gjall mos me lon me pshtue
Se çashtu shkit kan veprue
N`xhamie t`poshtme jan drejtue
N`katër on e kan rrethue
Nga dy bomba i kan lshue
Ramiz Doda djal i ri
Deshti bombën me ja kthye
Bomba n`dorë djalit m`i krisi
Të pes gishtat n`tavan ja nxhiti

Kur u dëgjuan shpërthimet dhe të shtënat nga shtëpia e vet doli Zymber Kurbalia me pushkën në dorë dhe hapi zjarr mbi serbosllavet. Në çast ata ikën, vërtet duke lënë të vrarë e shumë të plagosur, por pa e realizuar planin sipas të cilit duhej të vritëshin të gjithë sa ishin në xhami.

Shaip Mustafë Krashnica, ka lindur më 1913 në fshatin Bukuroc të Preshevës. Ka qenë nxënës i jashar Hallaçit të Preshevës, nxënës i Medresesë së madhe në Shkup dhe jurist (diplomoi më 1939). Shaipi ishte organizatori që ngriti "Besën rinore", organizatë ilegale nacionale shqiptare në vitin 1938. Në vitin 1941 Shaipi, me një grupë nacionalistësh Shqiptarë, ndër të cilët Jahja Osmani, Abdulla Musliu etj. organizuan në Shkup demonstrata kundër okupatorit bullgarë. Shqiptarët, kësulat e të cilëve zbardhën sheshin e madh të Shkupit dhe tmerruan okupatorin bullgarë, ngritën flamurin kombëtarë shqiptar te Ura e Gurit, pikërisht në zemrën e qytetit, në pikën e tij më nevralgjike dhe më sfiduese. Këtë guxim do ta paguajnë shumë shtrejtë dy nga organizatorët kryesorë të demonstratave. Shaip Mustafa dhe Jahja Osmani të cilët burgosen dhe internohen në Bullgari.

Më vonë për këtë çështje Shaipi u hodh në gjyq (sipas Hasan Emërllahut, Gjurmeve të fejtonit "Tmerret e luftës në karadak", 1 Rilindja, fq. 14). U dënua me vdekje, por pas ankesës denimi iu shëndrrua në 20 vjet burg ( u gjykua në Prishtinë). Vuajti 14 vjet burg dhe u lirua si i sëmurë i pashërueshëm një vit para vdekjes. Ditën që u lirua Shaip Krashnicën dolën dhe e pritën mijëra shqiptarë preshevarë dhe të tjerë në stacionin hekurudhor të Preshevës, tek ai u drejtua me fjalë të ngrohta. Në liri ai përjetoi edhe një tronditje të madhe shpirtërore. Dy vajzat e tij, që i kishte lënë fare të vogla, të edukuara në një frymë tjetër nga shoqja Lubica Antevska Krashnica - për 14 vjet burg ato nuk e kishin vizituar asnjëherë e kishin harruar gjuhën shqipe. Shaipi ndiente të kishtë bërë gabim të pafalshëm që ishte martuar me një joshqiptare (Sipas kujtesës së Sadri Imerit, i lindur më 5 maj 1925 në Preshevë i cili rrëfen për jetën e veprimtarinë e Shaip Mustafë Krashnicës).

Abdullah Krashnica (Presheva) - Rrugën patriotike të Shaip Mustafës e vazhdoi bashkëvendasi i tij Abdullah Krashnica, i njohur edhe si Abdullah Presheva. Sipas kujtesës së Shinasi Hallaçit ( i lindur më 11 gusht 1922 në Preshëvë) si shqiptarë në aradhat e Pçinjës, Abdullahu nuk është parë me sy të mirë nga ana e sllavëve. Atë e ndiqnin vazhdimisht. Ky person ishte emër i njohur dhe me autoritet të madh. Funksioni i tij i fundit ishte sekretar politik i Komitetit të rrethit të Preshevës (Sipas kujtesës së Sami Jusufit, i lindur më 1 janar 1924 në Preshevë, tani jeton në Kumanovë që nga viti 1950, i cili rrëfen për helmimin misterioz të Abdullah Krashnicës dhe thotë se atë e helmoi Zhika Deviriq nga Vranja). Ai vdiq në spitalin e Shkupit më 15 mars 1945. Ka shumë të dhëna që flasin se Abdullah Krashnica (Presheva) është helmuar nga Zhika Deviriqi, bashkëluftëtar i Abdullahut në aradhat partizane.

Të likuiduar

1. Hafëz Jusuf Haliti, lindur më 1888, u masakrua( u pre me sharrë) më 7 dhjetor 1944 në kafenenë e Tozës në Preshevë nga njerëzit e OZN`ës dhe shërbëtorët e tyre, romë të Preshevës.
2. Adem Kamberi, i njohur Adem aga, u vra më 22 nëntorë 1944 të Dushku i Tabanovcit, te ura e Haxhisë në moshën 60 vjeçare. Varri nuk i dihet.
3. Jakup Musa Zhunica, u vra më 22 nëntor 1944 të Dushku i Tabanovcit të ura e Haxhisë në moshën 50 vjeçare. Varri nuk i dihet.
4. Vehbi Jakupi, lagja Derri, u vra më 22 nëntorë 1944 të Dushku i Tabanovcit, të ura e Haxhisë, në moshën 35 vjeçare. Varri nuk i dihet.
5. Qahil Hajrulla Shabani nga fshati Corroticë, u vra më 22 nëntorë 1944 të dushku i Tabanovcit, të ura e Haxhisë në moshën 30 vjeçare. Varri nuk i dihet,
6. Haki Rexhepi u vra më 22 nëntorë 1944 të dushku i Tabanovcit të ura e Haxhisë në moshën 29 vjeçare. Varri nuk i dihet.
7. Haki Liça u vra më 12 prill 1945 në Viroviticë. Ka qenë komandant batalioni i Brigadës së Parë shqiptare vullnetare të Preshevës. E likuiduan (35 vjeç) që komandanti të mos ishte shqiptarë.
8. Qemal Keka u vra më 25 nëntorë 1944 në Vranjë në moshën 20 vjeçare. Varri nuk i dihet.
9. Nejazi Fejzullahu u vra më 25 nëntorë 1944 në Vranjë në moshën 22 vjeçare. Varri nuk i dihet.
10. Hebib Doda u dënua në nëntorë të vitit 1945 në Gjykatën e qarkut në Vranjë 15 vjet burg. Vdiq nga torturat në moshën 60 vjeçare në burgun e Sremska Mitrovicës.
11. Nijazi Ibrahimi u vra në mënyrë barbare në nëntorë të vitit 1944 në Vranjë, në moshën 28 vjeçare. Varri nuk i dihet.
12. Selami Jashar Hallaçi, i lindur më 3 prill 1919 në Preshevë, u var në gushtë 1944 në Landovicë të Prizrenit. Ka qenë sekretar i arsimit fillor për Kosovën.
13. Sinan Abedin Vitia, nga fshati Konjuh afër Lipjanit, kapiten në ish APJ, ligjerues në Akademinë e Aviacionit në Zarë. Më 28 nëntorë 1993, Sinan Abedini ka ardhur në Shkup. E mori policia duke e larguar të vëllanë dhe taksistin. Prej asaj dite ka humbur fare.

Të vrarë

1. Shahin Alimetaj u vra në janar të vitit 1945 në vendin Vaçkë mbi Preshevë, në moshën 40 vjeç.
2. Shukri Junuzi u bra në janar të vitit 1945 në vendin Vaçkë mbi Preshevë, në moshën 30 vjeç.
3. Vehbi Bilalli u vra në shtator të vitit 1944 te rruga e trenit afër Preshevës, 35 vjeç.
4. Musa Rufati u vra në shtator të vitit 1944 nën fshatin Zhunicë, 28 vjeç.
5. Hanife Selimin në nëntorë të vitit 1943 bullgarët e hodhën në pus te varret e Norçes, në moshën 58 vjeç. Bullgarët masakruan Hanifen, nënën e Tefik Selimit, Jasharin, babën e tij dhe Musanë, vëllanë e tij për shkak se Tefiku merrte pjesë në aradhat partizane.
6. Jashar Selimi, baba i Tefikut u vra në nëntor të vitit 1943, në moshën 60 vjeç.
7. Musa Selimi, vëlla i Tefikut, u vra në nëntorë të vitit 1943, në moshën 35 vjeç.
8. Gjykmen Fuat Halili, i lindur më 22 janar 1977 në fshatin Gere të Preshevës, u vra më 1 shkurt 1996 në Nish, ku studionte stomatologjinë, nga organizata terroriste "Cërna ruka" (dora e zezë). Varri nuk i dihet.

Të rënë në njësitë partizane

1. Qemal Shehu u vra në shtator të vitit 1944 në malin e Surdulicës në moshën 19 vjeç.
2. Tefik Selimi u vra në nëntor të vitit 1944 në Bujanoc në moshën 19 vjeç. U vra si partizan. Bullgarët ia masakruan nënën, babanë dhe vëllanë.

Të plagosur

1. Jahja Shabani u plagos në shtator të vitit 1944 afër Zhunicës, në moshën 20 vjeç.

Të burgosurit politikë

1. Shaip Mustafa - Krashnica i lindur më 1913 në fshati Bukuroc të Preshevës. Në vitin 1950 u dënua me vdekje, por pas ankesës dënimi iu shndrrua në 20 vjet burg. U gjykua në Prishtinë dhe dënimin e vuajti në burgun e Nishit (14 vjet). Ka qenë organizator i organizatës "Besa rinore" që u formuamë 1938. Në vitin 1939 kishe diplomuar në fakultetin juridik në Beograd. Si i tillë ishte ndër të shkolluarit e parë në këto anë. Shaip Mustafa - Krashnica u dënua në vitin 1950 ngaqë në vitin 1941 kishte ngritur flamurin shqiptar të ura e gurit në Shkup dhe kishte organizuar demonstratën e shqiptarëve të cilat me kësula të bardha merrnin pjesë në ngritjen e flamurit. Në këtë kohë, para se të dënohet nga Jugosllavija, Shaipi qendroi 3 vjet burg në qytetin Tetoven. Por organizata shqiptare me Abdullah Preshevën avokat në Shkup, në krye, mblodhi një shumë parash dhe e shpëtuan nga burgu bullgar.

2. Skender Asan Kadriu, i njohur Skender Presheva, komandant i Brigadës së Parë Vullnetare Shqiptare, u dënua në Apatin afër Somborit (Baçkë) 15 vjet burg.

3. Hilmi Qerimi u dënua më 18 shkurt 1947 me 3 vjet burg në Vranjë, në moshën 25 vjeç. Denimin e vuajti në burgun e Nishit.

4. Isuf Ibrahimi u dënua në vitin 1946 me 3 vjet burg në Vranjë, në moshën 46 vjeç. Denimin e vuajti në burgun e Nishit, prej ku doli në gushtë të vitit 1949 pas 2,5 vitesh.

5. Ali Ali Kelmendi i lindur më 1923, u dënua më 1949 me 3 vjet burg. E vuajti ni Goli Otok. Së dyti u burgos më 1 prill 1961 dhe u dënua 7 vjet burg në qytetin e Vranjës. Dënimin e vuajti në burgun e Nishit.

6. Shenasi Hallaçi u dënua në nëntor të vitit 1949 me rastin e Inforbyrosë 3 vjet burg. E vuajti në Goli Otok, Ishte Arsimtar.

7. Rexhep Sali Hoxha, i lindur më 1921 u dënua më 4 mars 1947 me 2 vjet burg nga gjykata ushtarake në Vranjë. Dënimin e vuajti në burgun e Nishit.

8. Ejup Bajrami i lindur më 1923 u arrestua më 28 gusht 1961 dhe u mbajtë 30 ditë në burgun e Bujanocit.

9. Adem Ahmeti u arrestua më 28 gusht 1961 dhe u mbajt 30 ditë në burgun e Bujanocit.

10. Mustafë Selimi u arrestua më 28 gusht 1961 dhe u mbajtë 30 ditë në burgun e Bujanocit.

11. Fehmi Kelmendi u arrestua më 28 gusht 1961 dhe u mbajtë 45 ditë në burgun e Bujanocit.

12. Hevzi Ali Kelmendi u arrestua më 28 gusht 1961 dhe u mbajtë 45 ditë në burgun e Bujanocit.

13. Zenel Kelmendi u arrestua më 28 gusht 1961 dhe u mbajtë 45 ditë në burgun e Bujanocit.

14 Ali Xhelili nga fshati Ilincë u arrestua më 28 gushtë 1961 dhe u mbajtë 45 ditë në burgun e Bujanocit.

15. Helmi Rexhep Qerimi i lindur më 20 korrik 1922 në Preshevë u arrestua më 28 gusht 1961 dhe u mbajt 3 muaj në burgun e Bujanocit. Pas këtij burgimi u dënua 3 vjet burg, prej te cilëve i mbajti dy vjet e gjysmë.

16. Hulusi Jashar Hallaçi, i njohur si Hulusi Ibrahimi nga Presheva u arrestua në vitin 1949 dhe u dërgua 17 muaj në Goli Otok.

17. Shinasi Jashar Hallaçi, i lindur më 11 gusht 1922 në Preshevë u arrestua më 18 nëntorë 1949 në Mateç, u mbajt 3-4 muaj në burgun e Kumanovës dhe në burgun e Shkupit dhe që këtej u dërgua 2 vjet në Goli Otok dhe pastaj 3 muaj në ndërtimin e nje rruge në afërsi të Osijekut (Sipas kujtesës së Hulusi Jashar Hallaçit, i njohur me emrin Hulusi Ibrahimi nga Presheva, djali i hafëz Jasharit, i lindur më 1925 i cili rrëfen për burgun famkeq të Goli Otokut në të cilin shumë shqiptarë e vuajtën dënimin dhe vdiqën aty).

18. Skender Hasan Shehu i lindur më 1900 u burgos në Apatin derisa ishte partizan në luftë dhe u mbajtë 12 vjet në burgun e Idrizovës (Sipas kujtesës së një grupi qytetarësh nga Presheva)

huazuar nga Masakra serbosllave-maqedonase ndaj shqiptarëve në Karadak. Tefik Jahiu

Terrori serbollav në fshatrat e komunës së Preshevës

 
   
 
 

© 1997-2003 Presheva.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.