Newsletter
Forumi
Sondazh
e-mail presheva.com
Lexo POP3 email
Oferta
Ju për ne ...
Interna

     
 

REGJIONI I PRESHEVËS, MEDVEGJËS E BUJANOCIT

Disa ngjarje historike me rëndësi të shekullit XIX

Viti 1821: Hysen-pashë Vranja, vret shehun e teqes së Preshevës dhe kufomën e hudh nga kulla në tokë. Ky krim revolton popullatën shqiptare të Preshevës, dhe kjo revoltë përhapet së shpejti në të gjitha viset shqiptare nga Bujanoci gjer në Dibër. Nga çdo anë mobilizohen shqiptarët, dhe pas një kohe përgatitjeje, nisen për t'a marrë Vranjën dhe dënuar Hysen Pashën. Para se të arrijnë në Vranjë, Hysen Pasha duke marrë vesh se çka po ndodhte dhe se çka po i përgatitej, largohet nga me të shpejtë, duke marrë me vete kuajt e ngarkuar me gjësende të vlefshme (në të dy kuajt kishte ngarkuar edhe nga njëarkë me ari) dhe merr drejtimin, përmes Bullgarisë të ikë për në Turqi, i përcjellur nga suita e zgjedhur "besnike". Duke kaluar në trevën e banuar me serbë e bullgarë, në fshatin Klenik, qëndron një natë në shtëpinë e një serbi. Të nesërmen në mëngjez, e gjejnë të vdekur (Pasurinë e kishin ndarë pastaj përcjellësi, tre nga suita, ndërsa një pjesë e mirë i ndahet edhe serbit, zotit të shtëpisë, i cili pastaj ishte bërë pasaniku më i madh në krahinën e Vranjës). Shqiptarët, me të hyrë në Vranjë, pothuajse nuk hasën fare në rezistencë, marrin në dorë pushtetin, çarmatosin xhindarmerinë, burgosin një numër të pushtetarëve, por askend nuk vrajnë as maltretojnë. Popullata, me shumicë shqiptare, i pret kryengritësit me gëzim dhe hare duke festuar tërë kohën e qëndrimit të tyre disaditësh në qytet lirinë e papritur, duke ju bërë nderime e mikpritje luftëtarëve me të gjitha të mirat. Gjatë tërë kësaj periudhe nuk kishte ndodhur asnjë vepër delikti, edhepse qyteti ishte përplot njerëz me përkatësi të ndryshme nacionalitetesh.

Pas tërheqjes së kryengritësve, Stambolli dërgon njësitë speciale për të shuar kryengritjen dhe për të ndëshkuar iniciatorët e saj. Me të arritur në Kumanovë, duke menduar se ishte Presheva, ia shtinë flakën. Të nesërmen, kur hyjnë në Preshevë, qytetin e gjejnë të zbrazët. Me urdhër nga lart, nuk e përsërisin aktin e piromanisë si me Kumanovën, por vjedhin e plaçkisin çdo gjë që ju vjen për dore.
Në kohën kur Stambolli i jep autonominë Serbisë, fillon edhe përndjekja e shqiptarëve nga trjojet stërgjyshore të Rakovicës, të Smederevës dhe të fshatrave të këtyre krahinave. Një pjesë e këtyre të dëbuarve arrin të vendoset, përpos në vende tjera të Kosovës, edhe në Preshevë.

Në kohën e mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit (1878), nga treva e Preshevës në mbledhjen e Lidhjes, ka marrë pjesë një delegacion i kryesuar nga Osman Çaushi, një trim dhe patriot i njohur nga fshati Çukarkë.


Pas Kongresit të Berlinit (1878), dhe plojës për të cilën është shkruar nga historianët tanë e të huaj, por jo edhe në përmasa çfarë kanë qenë krimet fatale kundër shqiptarëve, kur janë vrarë e masakruar me qindra mijëra shqiptare, dhe me qëllime kriminale të spastrimit etnik, janë zbrazur trojet me shumicë shqiptare të Jagodinës, Quprisë, Pllanës, Krushevcit, Nishit, Leskovcit, Surdulicës, Vranjës, Prokuples, Kurshumlisë etj. Popullata e shpërngulur shqiptare, nga trojet e tyre stërgjyshore, ishte vendosur në jug të trojeve shqiptare në Kosovë, Maqedoni. Një pjesë kishte gjetur strehim edhe në Preshevë e Kumanovë.

II. Beteja e Kaçanikut, çlirimi i Shkupit dhe ngjarjet tjera lidhur me Preshevën në shekullin XX

Kur intelektuali dhe patriot Nexhip Draga nga Mitrovica zgjidhet deputet i Shkupit për Mexhlisin Osman dhe pas një kohe vjen në Preshevë, përmes Ymer- efendi Aliut, me të cilin njihet ngaherë, merr kontaktet me Idriz Seferin, patriotin dhe luftëtarin e njohur të lëvizjes kombëtare. Pas një kohe të njohjes reciproke, lidhin miqësi të ngushtë. Nexhip Draga nxjerr gazetën "Vatra" dhe emëron Idriz Seferin për kryetar nderi të kësaj gazete, botimin e së cilës pas një kohe pushteti osman do ta ndalojë.

Në përgatitje për betejën e Kaçanikut, Idriz Seferi, pasi që kishte formuar njësitet ushtarake nga Malësia e Karadakut, fillon mobilizimin, me hatër e me zor, të fshatarëve të aftë për luftë të Luginës së Anamoravës, sidomos të pjesës së epërme, prej Gjilanit gjer në Viti, dhe, pas përgatitjeve, sidomos të atyre që nuk kishin marrë kurrë armët në dorë, me sukses i përballon sulmet e forcave osmane në betejën e Kaçanikut, të cilën e kurorëzon me fitore.

Më 1912, Bajram Curri, depërton me njësitet e veta nga Kosova, dhe pasi i ndjek hordhitë osmane, çliron Shkupin. Në të njejtën kohë Idriz Seferi e çliron Preshevën dhe e detyron kajmekamin që t'a nënshkruajë dokumentin e dorëzimit të Preshevës kryengritësve shqiptarë të Karadakut, të cilin e kishte përpiluar më parë Ymer - efendi Aliu, në dy kopje. Pastaj cakton Ymer -efendiun të shkojë në Shkup që njërën kopje t'ia dorëzojë Bajram Currit, ndërsa tjetrën e ndalë për vete. Sipas tregimit të Ymer-efendiut, me të arritur në Shkup, kishte mbetur i befasuar. Të gjithë të burgosurit, pa dallim kombësie, ishin liruar, dhe njerëzit ardhur nga të gjitha gumëzhonin si bletët rreth koshiqeve, nga masa e madhe e blerësve dhe shitësve të lloj-lloj mallërave, lirshëm pa ju cënuar askujt as qimja e flokut. Për dallim nga koha e osmanëve, kur bëheshin hajni, rrahje e vrasje. Duke kujtuar këtë kohë, njerëzit me pas thonin: pasha ato ditë të lumtura të kohës së Bajram Currit. Edhe konsulli anglez e kishte e kishte informuar Forin Ofisin për këtë "çudi"që kishte ndodhur në Ballkan(!).

Në fund të vitit 1912, pas pushtimit të Shkupit nga Serbia, mbi lumin Vardar me javë kishin rrjedhur kufomat e shqiptarëve, në kohën kur ishin vrarë e masakruar me dhjetëra mijëra shqiptarë anembanë trojeve shqiptare, e në Preshevë e fshatra ishte bërë plojë fatale.

Në kohën e luftës së Parë Botërore, gjermanët në trevën e Preshevës i sjellin Bullgarët, të cilët, pas plojës që bëjnë, mobilizojnë rininë shqiptare, dhe e dërgojnë në Bullgari për të punuar, në pjesë e të cilëve atje vdesin nga uria.

Pas Luftës së Parë botërore, kur në tokat shqiptare kthehet serish Serbia, edhe në territorin e Preshevës, si edhe në trojet tjera vazhdon kriminaliteti, plaçkitjet, marrja e tokave, e pastaj edhe shperngulja masive për në Turqi.

Në vitin 1941, me pushtimin e gjermanisë naziste në Jugosllavi, në trevën e Preshevës vjen pushtuesi bullgar, i cili, sipas traditës barbare-kriminale, vazhdon e rrit edhe më shumë plojën mbi shqiptarët (ka pasë raste kur njerëzit e gjallë i kanë futur në furrë të gëlqeres). Në vitin 1944, edhe shqiptarët e Preshevës me rrethinë, si ata të trojeve tjera shqiptare, iu kundërvuan partizano-çetnikëve serbo-malazezo-"maqedon". Mëpastaj këtyre u vijnë në ndihmë edhe bullgarët (nga njësi "fashiste" të shndërruar në njësi "çlirimtare"). Pas rezistencës tremujore, forca të mëdha pushtuese, të armatosura me armatim modern të kohës, depërtojnë serish dhe okupojnë të gjitha trojet shqiptare nën Jugosllavi. Pushtuesit përsërisin edhe më barbarisht krimet e tyre gjenocidiale (është i njohur krimi famkeq të cilin e bëjnë në bodrumin e "Kafes së Tozës", në Preshevë, ku kanë sharruar me sharrë dhjetëra njerëz shqiptarë të njohur, ndër të cilët edhe Muzeini i Xhamisë, mulla Jusufi).
Në vitin 1956, gjatë "aksionit të mbledhjes së armëve", edhe në Preshevë e fshatra është ushtruar terror, që ndikoi të bëhej shpërngulja e një numri të konsiderueshëm shqiptarësh, në Turqi, Europë e Amerikë.

Në kohën kur Kosovës i hiqet "autonomia", vazhdon politika e njejtë serbomadhe në këto troje...


Përgatiti Fatos Aliu , sipas rrëfimit të Ali Aliut - Preshevë

 
   
 
 

© 1997-2003 Presheva.com. Të gjitha të drejtat e rezervuara.