SHPËRNDAJE

Shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë sot se Ekipi negociator siç e quajti ai dekorues, presidenti e kryetari i Kuvendit po japin vlerësime kontraverse për marrëveshjen me Serbinë e që po e brengosin çdo qytetar.

Hoti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se me gjithë këto paqartësi, hile e përçarje, prapë akuzohet opozita se duke mos qenë pjesë e kësaj maskarade politike po e dobësuaka uniteti jonë në përballje me Serbinë.

“Ekipi negociator ‘dekorues’, Presidenti e Kryeparlamentari japin vlerësime kontraverse për marrëveshjen me Serbinë që po e brengosin çdo qytetar. Njëri thotë se nuk do të ketë ndryshim të kufijve, tjetri se do të bashkohet Lugina e Preshevës.  Njëri thotë se do të ketë shkëmbim të territoreve, e tjetri se do të respektohet Kushtetuta.  Njëri thotë se nuk do të humbim asgjë, e tjetri thotë  marrëveshja do të jetë e dhimbshme. Njëri thotë se në fund vendos Kuvendi, e tjetri thotë se vendoset me referendum. Dhe me gjithë këto paqartësi, hile e përçarje, prapë akuzohet opozita se duke mos qenë pjesë e kësaj maskarade politike po e dobësuaka uniteti jonë në përballje me Serbinë”, shkruan Hoti.