SHPËRNDAJE

Delegacioni Shtetëror për Bisedimet me Serbinë të mërkurën do ta paraqesë platformën për dialogun e Brukselit, në të cilën do të qartësohen edhe temat që do të diskutohen ndërmjet të dyja vendeve.

Në mesin e temave për të cilat përgatitet të përfshihen në këtë platformë janë të zhdukurit, të zhvendosurit, trashëgimia kulturore, të drejtat e minoriteteve, pronat, çështjet ekonomike dhe po ashtu edhe drejtësia tranzicionale, shkruan “Zëri”. Kjo është konfirmuar nga bashkëkryesuesi i Delegacionit Shtetëror, Shpend Ahmeti, pas takimit koordinues për temat e dialogut.

“Ndër temat që do të përfshihen janë të zhdukurit, të zhvendosurit, trashëgimia kulturore, të drejtat e minoriteteve, pronat, çështjet ekonomike dhe po ashtu edhe drejtësia tranzicionale ose kërkesat që ne si Kosovë duhet t’i ngremë karshi Serbisë”, ka thënë Ahmeti.

Megjithëse ende nuk dihet data se kur do të mbahet takimi i radhës ndërmjet Kosovës e Serbisë, zëvendëskryeministri dhe njëherësh anëtari i ekipit negociator Enver Hoxhaj ka thënë për gazetën “Zëri” se një takim tjetër do të zhvillohet gjatë muajit shkurt. Hoxhaj ka thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë ftesë nëse do të jenë pjesë e takimit të radhës në Bruksel në kuadër të dialogut, megjithatë ai ka thënë se në muajin shkurt do të jetë një takim.