SHPËRNDAJE

albertberisha

Albert Berisha, i cili u kthye në Kosovë pasi shkoi për një periudhë të shkurtër në Siri, ka ngritur një OJQ për të ndihmuar të rikthyerit e tjerë dhe ata që synojnë t’i bashkohen ekstremistëve në Lindjen e Mesme.
Albert Berisha është një njeri me një mision. I kthyer nga konflikti në Siri, ai ka krijuar një OJQ për të ndihmuar të tjerë ish-luftëtarë të zhgënjyer që të integrohen sërish në shoqëri – dhe për t’i hequr atyre ideologjinë ekstremiste që i çoi nga Kosova në një luftë të huaj.

“Shteti nuk e ka kuptuar kurrë që synimet tona nuk ishin të bëheshim terroristë,” thotë ai duke iu referuar rreth 300 kosovarëve që besohet se kanë luftuar në Lindjen e Mesme në vitet e fundit.

“Secili kishte historinë dhe synimet e tij. Por e rëndësishmja për ata që kthyer është se kthimi i tyre nënkupton se janë të zhgënjyer nga ajo që kanë parë,” tha për BIRN Berisha.

Berisha vetë shkoi në Siri për t’u bashkuar me luftën kundër regjimit të Bashar Al-Asadit në tetor 2013 por u kthye në Kosovë vetëm nëntë ditë më pas.

Ai pretendon se nuk luftoi kurrë në fushëbeteja dhe se u kthye në shtëpi ngaqë nuk donte të anëtarësohej në organizatat xhihadiste si Al-Nusra.

Por një gjykatë e shkallës së parë në Kosovë e dënoi atë për terrorizëm me tre vjet e gjysmë burg. Çëshja e tij është aktualisht në Gjykatën e Apelit ku ai po pret vendimin në gjendje të lirë.

Autoritetet e Kosovës thonë se rreth 300 luftëtarë të ardhshëm udhëtuan në Siri dhe Irak gjatë viteve të fundit nga të cilët rreth 130 janë kthyer.

Por të kthyerit përballen me burg, kur kthehen në atdhe. Në mars 2015 parlamenti miratoi një ligj që të ndëshkon deri me 15 vjet burg për pjesëmarrjen në konfliktet e huaja.

Ashpërsimi i dënimeve ishte pjesë e masave të qeverisë që synojnë zgjidhjen e problemit të kosovarëve që shkojnë në Lindjen e Mesme për të luftuar krah ekstremistëve islamikë.

Rreth 120 persona janë arrestuar dhe rreth 60 janë aktualisht në gjyq për ekstremizmit të dhunshëm.

“Çasti më i vështirë për mua ishte paragjykimi shoqëror, dyshimet e vazhdueshme dhe presioni konstant nga të gjitha institucionet – tendenca e tyre për të përmbushur axhendat e tyre politike dhe institucionale përmes nesh,” tha Berisha duke kujtuar gjyqin e tij.

“Edhe më i vështirë ishte çasti kur u lirova nga burgu. Deri atëherë, ishim bërë tashmë fytyra publike dhe njerëzit filluan të na stigmatizonin edhe më tepër,” shtoi ai.

“Ishte shumë e vështirë për njerëzit e zënë mes dy zjarreve, kur ti nuk e di se ku e ke vendin më,” vazhdoi Berisha.

OJQ-ja e tij, e quajtur INSTID, synon të luftojë ekstremizmin fetar në Kosovë dhe të “de-radikalizojë” njerëzit që janë rikthyer nga lufta në Lindjen e Mesme.

“Duke e ditur se shumica e tyre kanë rënë viktimë, mendova se viktimizimi i mëtejshëm i tyre nuk ishte zgjidhje dhe kërcënonte t’i radikalizojë ata edhe më tepër,” tha ai.

“Ndaj vendosa të formoj një institucion që do të përballet vetëm me këtë, që këta persona të mund të bëhen më të dobishëm për shoqërinë dhe të mos u privohet liria – duke krijuar potencial për radikalizim të mëtejshëm apo për të radikalizuar të tjerët në burg,” tha Berisha.

Berisha thotë se de-radikalizimi dhe riintegrimi i atyre që janë kthyer në Kosovë është një proces i që duhet bërë hap pas hapi.

Programi i parë trajton pyetjen kryesore, jo se cila është arsyeja pse shkuan në Siri, por pse u kthyen.

“Ne kemi për qëllim të theksojmë zhgënjimin dhe pendesën e tyre dhe ta përdorim këtë për të tjerët, për t’i dhënë atyre një tablo më të qartë të situatës që ishte atje dhe që mbetet e njëjtë edhe sot”, tha Berisha.

Nga përvoja e tij, Berisha mendoi se e dinte se ajo që këta ish-luftëtarë kanë nevojë është diçka që sipas tij institucionet shtetërore nuk kanë arritur të kuptojnë.

“Një tjetër program që OJQ-ja po planifikon lidhet me kuptimin e nevojave të këtyre individëve duke u ofruar atyre përkrahje në punësim dhe arsim, ndihmë sociale për ta dhe familjet e tyre,” shtoi ai.

Sipas tij, trajtimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe ideologjia ekstremiste kërkojnë një qasje të ndryshme nga ai që shteti i Kosovës po ofron.

“Nëse aplikohen politika të gabuara, veprimet si burgimi dhe presionet, ekstremizmi si fenomen do të përkeqësohet,” tha ai.

Berisha thotë se të afërmit e njerëzve që ende po luftojnë në Siri dhe Irak e kanë kontaktuar OJQ-në e tij për të kërkuar ndihmë.

“Plani ynë është të trokasim në derën e gjithsecilit që është akuzuar dhe që po hetohet apo që njihet për përfshirjet e tij në këto konflikte dhe t’i tregojmë rrugën e duhur e t’i nxjerrim nga kjo ideologji,” tha Berisha.

Si dikush që ka ndarë publikisht eksperiencën e tij në konfliktin në Siri, megjithëse mohon se ka luftuar krah grupeve ekstremiste, Berisha thotë se njerëzit në mënyrë të pashmangshme e kanë parë iniciativën e tij me dyshim të thellë.

“Ka pasur përpjekje për të na sabotuar duke përdorur çdo lloj arsyeje dhe paragjykimi, me synimin për të ndaluar punën tonë,” kujtoi ai.

“Por ne do të vazhdojmë punën tonë pavarësisht të gjitha presioneve, sepse unë mendoj se po bëjmë punë të mirë, që i sjell përfitime shoqërisë,” përfundoi ai. /kallxo.com