SHPËRNDAJE

(pjesë nga “Mbyllur në ashensorin e kohës”)

Teksa ashensori bënte rrugën e vet, poshtë e lartë shtresave e kateve të kohës, mu kujtua ajo, dhe takimi i parë me të. Pas një bisede të shkurtër miqësore, kisha marrë guximin dhe e kisha ftuar në darkë. Ajo u tregua e zgjuar.. nuk tha asgjë, që do të thotë as e miratoi, e as e refuzoi ftesën time. Por, pas nja dy-tre ditësh, ra zilja e telefonit, dhe nga ana tjetër u dëgjua zëri i saj, si në të dridhur. 

“Përshëndetje. Jam A., dhe, disi sot u ndjeva e vetmuar… dhe desha të bisedoja me dikë” Nga zëri i dridhur, kuptova që, ajo kishte pranuar ftesën për darkë. 

Nuk e zgjata shumë, menjëherë pasi e përshëndeta, i thashë: 

“Nëse je e lirë, mund të takohemi sonte në orën 8 të mbrëmjes, dhe të darkojmë bashkë. E di, që ta kam premtuar një darkë, dhe dua të mbaj premtimin.” -i thashë asaj, ndërsa në vete bluaja mendime e mendime. Më erdhi vera kah dera. Ja ç’është fati. Nga një takim i zakonshëm, del një njohje e re. Një miqësi. Mbase edhe një dashuri…

Ajo nuk e zgjati shumë bisedën, por pyetja që më bëri ishte e pazakontë për mua. “Darkën me shtresë apo pa shtesë e do?” -më pyeti. 

Unë u shtanga. Për një moment më humbi truri, por ama shpejt mblodha veten, dhe i thashë: 

“Ajo varet nga ti. Pra të mbetet ty të vendosësh për shtesën!” 

Nga të dy anët e telefonit pllakosi një heshtje, e më pas, isha unë, ai që e theva atë heshtje, që mu duk e gjatë sa një shekull. 

“Hë, si vendose?” 

“Nuk mundem të vendos nga largësia.” -më tha, dhe shtoi: 

“Shohim e bëjmë.” 

E caktuam takimin, si dhe restorantin ku do të takoheshim. 

Unë krejtësisht i ri, i papërvojë. 

Ishte hera e parë që kisha lënë takim me një vajzë, edhe atë në një qytet, ku nuk njihja njeri. Në një qytet ku kisha shkuar të shkollohesha për shkrim akademik, e ku përpos nxënësve dhe studentëve të konviktit, nuk njihja njeri tjetër. 

Harrova të tregoja, që bursën për shkollim e kisha fituar nga një organizatë punuese në qytetin tim të lindjes, dhe posa t’i përfundoja studimet do të më duhej të bëja së paku 5 vjet punë aty, e pastaj, mund të shkoja ku të doja. 

Ora nuk ecte, apo ashtu më bëhej mua. Shikoja, dëgjoja, dhe ndjeja tik-taket e akrepave të orës së murit, dhe më dukej që nuk lëviznin vendit. Por, më në fund erdhi momenti i nisjes për në takim. 

Takimi i parë me një femër. Isha takuar edhe me femra të tjera, por ama ato takime ishin ndryshe nga ky i sotmi. 

Do të takohesha me “A” dhe do të darkonim bashkë, e pastaj, ajo do të vendoste se si të vente më tutje puna. 

Isha shumë kurioz të dija çfarë mendimi kishte për mua. Unë vija nga një qytezë e një province, ku femrat ende nuk kishin nisur të bënin grimin. 

Vija nga një qytezë, që tërë ditën e kalonim në fushë, duke punuar arën, ose në mal, duke bartur dru. 

E ajo, pra “A” kishte lindur në një qytet të madh dhe aty nuk kishte dëgjuar fare për mbjelljen e duhanit, ruajtjen e bagëtisë në fushë e në mal, e drunjtë i kishte parë vetëm të prera dhe të copëtuara në sirtarin e shporetit, kur kishte ndjerë ngrohtësinë e dhomës. Duke menduar këto, u bëra gati, dhe u nisa për te restoranti “Madera”, që gjendej në udhëkryqin e tri rrugëve dhe të Bulevardit të qytetit, prej verandës së të cilit shihej lëvizja e trenave dhe e autobusëve urban. 

Nga ashensori që ngjitej e zdirgjej poshtë e lartë, më bëhej që po shihja veten, duke ecur shpejt rrugëve anësore për të arritur sa më shpejt te restoranti “Madera” dhe si e do bontoni ta prisja “A”… 

…Çudi, unë i mbyllur në ashensor, shihja veten, duke ecur rrugëve poshtë të qytetit “N”, dhe shumë shpejt arrita në vendin e caktuar. 

Hyra në restorant, zura një vend në një nga tavolinat e verandës së restorantit dhe shikoja tek shkonin e vinin trenat e ngarkuar me lloj-lloj mallrash. 

Ende nuk kisha porositur asgjë, kur në derë u duk “A”. e grimosur, e veshur mirë, me një dekolte vere, dhe e parfumosur me një parfum të rrallë të një firme të mirë, më bënte ta përqafoja, e të mos e lëshoja nga shtrëngimi, derisa t’ia thithja atë aromë parfumi. 

Por, ama u përmbajta, u ngrita nga ulësja, e përshëndeta, dhe nisëm bisedën. 

Porositëm nga një sallatë pule, dhe, çele gur gojën. Më kishte humbur oreksi. Nuk e kërkoja dot një të mbushur të pirunit me sallatë. 

Për çudi, as “A” që më kishte thënë se po “ndjehej e uritur si ujk” nuk mori shumë. 

E ndjeva, që ajo ishte e uritur për një takim me mua, e jo për ushqim. Por, ama, s’i thashë gjë. 

Pasi kryem darkën e pakryer, ishte pyetja ime që theu sërish atë heshtje, që kishte pllakosur ndërmjet nesh. 

“Po tash…” 

“Çka tash?” -më pyeti ajo. 

“Si do t’ia bëjmë, do të ketë shtesë të darkës apo jo?” -e pyeta pa hezitim. 

E ajo, si e zënë ndër faj, nuk guxoi as të më shikonte në sy, por me një zë po ashtu të dridhur, si në telefon, më tha: 

“Nuk di, por… do të preferoja që ndejën ta vazhdonim diku jashtë këtij qyteti!..” 

“E ku preferon?” -ishte pyetja tjetër imja. E nuk e dija fare nga më kishte ardhur i tërë ai guxim, që në takimin e parë. Isha unë, ai që fliste, apo diçka kishte hyrë në shpirtin tim dhe më jepte forcë të tillë. U habita edhe vetë me atë paraqitje. 

“S’di ku, por jashtë këtij qytetit të mallkuar!” -tha ajo. 

Pa bërë asnjë fjalë tjetër, u ngritëm nga tavolina, dhe vetvetiu, hapat e këmbëve na dërguan te stacioni i trenit. 

Kishte edhe dhjetë minuta të arrinte treni i udhëtarëve që shkonte për qytetin “B”. 

Ai shkonte atje, por ne ku do të ndaleshim. Ia lamë rastit… 

Nga larg u dëgjua fshikullima e trenit, që paralajmëronte mbërritjen në stacion. 

Pas pak u gjendëm në një kupe, unë dhe “A”, të shoqëruar me mendimin: 

“Kah do të shkojmë?”… 

E unë, të gjitha këto i përcillja nga ashensori, ku isha mbyllur me kohë e në kohë, e nuk dilja dot…

Shkruan: Ferid Selimi