SHPËRNDAJE

Napoli e ka fituar kryendeshjen e javës së parafundit në Serie A kundër Interit me rezultat 4-1 duke ua rrezikuar Nerazzurrëve kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

Partenopei nuk kishin ndonjë objekti për këtë përballje, pos rivalitetit me kundërshtarin e tyre, të cilin e mposhtën në San Paolo.

Piotr Zielinski pranoi një top të mrekullueshëm nga Fabian Ruiz brenda zonës dhe shënoi për ta zhbllokuar rezultatin e takimit (16′).

Ky ishte goli i vetëm i pjesës së parë, ndërsa në gjysmën e dytë, Dries Mertens e dyfishoi epërsinë pas asistimit nga Jose Callejon (61′).

Dhjetë minuta më pas i erdhi radha të shënonte Fabian Ruizit (71′), i cili prano një top nga Kevin Malcuit dhe u tregua i saktë. Ishte sërish Fabian Ruiz, futbollisti që e shënoi edhe golin e katërt (79′), ndërsa Dries Mertens asistoi.

Golin e nderit për skuadrën mysafire e realizoi Mauro Icardi (81′), i cili u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë.

Pas kësaj humbjeje, Interi është në vend të katërt në tabelë me pikë të barabarta me Atalantan që ndodhet një vend më lartë, ndërsa Milani është një pikë prapa.

Në javën e fundit, Nerazzurrët duhet ta kërkojnë kualifikimin në ndeshjen kundër Empolit, derisa Napoli luan si mysafir i Bolognas.