SHPËRNDAJE

Ish ambasadori dhe profesori universitar i diplomacisë, Blerim Reka do të jetë kandidat i pavarur në zgjedhje presidenciale që do të mbahen më 21 prill në Maqedoni të Veriut.

Kandidaturën e ka konfirmuar edhe vetë Blerim Reka.

“Në pamundësi t’ju përgjigjem gjitha mediave dhe miqve, përmes këtij njoftimi e bëj publike kandidaturën time të pavarur për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut; me shpresë se do përkrahet. Janë dy arsye për këtë vendim. E para: vetëm me kandidatët maqedonas, pa asnjë shqiptarë, kjo shoqëri multi-etnike, rrezikon të rrëshqet drejt shtetit monoetnik; e shqiptarët vetëm votues, por jo edhe te votuar. E dyta: vetëm kritikat intelektuale- pa i hyrë përballjes politike- nuk mjaftojnë për ndryshimin e gjendjes. Ato, në FB mbeten virtuale, ndërkaq jeta është megjithatë reale. Fundja, historinë e shkruajnë shtetarët; intelektualët vetëm shkruajnë për historinë”, njoftoi Reka.

Ai ditë më parë ka thënë se shqiptari vështirë i fiton votat për president, ndërkohë, sipas tij, maqedonasi vështirë bëhet president pa votat e shqiptarëve.

Përndryshe, Blerim Reka vite më parë ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, ndërsa ka qenë edhe ambasador i Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Ai është profesor i rregullt në Universitetin e Evropës Juglindore dhe në Universitetin e Prishtinës.

Reka duhet të mbledh 10 mijë nënshkrime

Që të zyrtarizohet kandidatura e Rekës edhe në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), duhet të mbledh 10 mijë nënshkrime, dhe të njëjtat t’i dorëzojë në KSHZ.

Deri tash dihet se Reka do të jetë në garë me kandidaten e partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska, e cila ka zyrtarizuar (ka mbledhur 10 mijë nënshkrime) kandidaturën e saj edhe në KSHZ.

Opozita shqiptare drejt mbështetjes së Rekës

Siç deklaruan për Portalb.mk, drejt mbështetjes së Rekës janë dy partitë opzitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët me lideri Ziadin Selën dhe Lëvizja BESA me lider Bilall Kasami.

Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni do të mbahen më 21 prill, ndërkaq i dyti parashihet të jetë më 5 maj.

Ndryshe, nga zgjedhjet e para presidenciale në Maqedoni të Veriut deri më tani, në krye të shtetit qëndruan katër veta. Disa prej tyre u kandiduan si “të pavarur”, dy prej tyre u mbështetën nga VMRO-DPMNE-ja, ndërsa njëri nga LSDM-ja.  Në garën për funksionin e kryetarit të shtetit, nga pavarësia deri tani ka pasur rreth 20 kandidatë. Shtatë prej tyre kanë qenë nga radhët e bllokut politik shqiptar.