SHPËRNDAJE

Nisma përkrahur nga Hashim Thaçi për korrigjim e ndryshim kufijsh po shihet si ide e Serbisë e Rusisë. Këtë konstatim e ka dhënë ish-Kryenegociatorja e Kosovës në dialog me Serbinë, Edita Tahiri, e cila ka qenë në dy mandatet e fundit pjesë e Qeverisë.

Ajo ka thënë se lufta e Kosovës dhe aleatëve të saj, në këtë fazë, duhet të orientohet drejt moslejimit të rikthimit të ndikimit rus në Ballkan përmes nismave të tilla.

Ajo ka thënë se prekja e kufijve është lloje e rrezikshme dhe skenar kundër interesave të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve.

“Sa më afër fazës finale të Dialogut të Brukselit, të gjithë e pamë se tema e kufijve u rishfaq me ide serbo-ruse për ndryshim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo kohë kërkon nga ne që dialogun e Brukselit ta vështrojmë nga perspektiva gjeopolitike dhe të mos lejojmë që fitoren tonë gjeopolitike në vitin 1999 dikush të na e cenojë. Fitorja gjeopolitike e Kosovës u vulos në Konferencën e Rambujesë e cila solli intervenimin ushtarak të ShBA-së dhe NATO-s për ndaljen e luftës dhe gjenocidit dhe çlirimin e Kosovës në 1999”, ka shkruar Tahiri, në një tekst autorial.

Dialogu i Brukselit nga perspektiva gjeopolitike

Shkruan: Edita Tahiri*

Përpjekjet për një marrëveshje historike paqësore mes shtetit të Kosovës dhe të Serbisë në prapavijë gjithnjë kanë pasur interesat gjeopolitike. Pse tash gati njëzetë vjet që mungon një marrëveshje e tillë, ka të bëjë pikërisht me përplasjet rreth interesave gjeopolitike, të cilat nuk janë shfaqur hapur, por që në realitet veprojnë në mënyrë të rrezikshme. Sa më afër fazës finale të Dialogut të Brukselit, të gjithë e pamë se tema e kufijve u rishfaq me ide serbo-ruse për ndryshim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo kohë kërkon nga ne që dialogun e Brukselit ta vështrojmë nga perspektiva gjeopolitike dhe të mos lejojmë që fitoren tonë gjeopolitike në vitin 1999 dikush të na e cenojë. Fitorja gjeopolitike e Kosovës u vulos në Konferencën e Rambujesë e cila solli intervenimin ushtarak të ShBA-së dhe NATO-s për ndaljen e luftës dhe gjenocidit dhe çlirimin e Kosovës në 1999.

Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se Dialogu i Brukselit në fazën finale të tij do të jetë një luftë gjeopolitike, prandaj duhet të jemi të përgatitur për t’i mbrojtur interesat gjeopolitike të Kosovës dhe kombit shqiptar si dhe interesat perëndimore euroatlantike përballë Serbisë e cila do të luftojë për interesa gjeopolitike serbo-ruse.

Kosova i tha jo prekjes së kufijve të saj në Dialogun e Brukselit. Kushdo që do ta përfaqësojë Kosovën në këtë dialog e ka parasysh këtë fakt. Askush nuk ka të drejtë as nuk guxon t’i prekë kufijtë e Kosovës sepse ne e fituam lirinë dhe pavarësinë e Kosovës me luftë e sakrifica më sublime pas një shekulli robërie. Askush, as Kosova e as vendet e tjera të rajonit që kanë orientim perëndimor, nuk duhet të lejojnë çfarëdo rikthimi të ndikimit rus në Ballkan dhe të lejohet rikthimi i dominimit serb të cilën e mposhtëm me luftërat tona të suksesshme për liri dhe pavarësi.

Loja e rrezikshme me kufijtë e Kosovës është skenar i rrezikshëm gjeopolitikë kundër interesave të Kosovës dhe kombit shqiptar. Një skenar i tillë dobëson pozicionin gjeopolitik të Kosovës dhe të kombit shqiptar, prandaj duhet të refuzohet kategorikisht. Krijimi i shtetit të Kosovës dhe forcimi demokratik i Shqipërisë kanë vënë kombin shqiptar në pozitë të avancuar gjeopolitike në rajon dhe më gjerë. Këtë përparim të kombit shqiptar nuk po mund ta durojnë as Serbia dhe as Rusia, sepse ende jetojnë me ëndrra të vjetra hegjemoniste. Derisa Serbia jeton me ëndrrën e “Serbisë së Madhe” në dëm të fqinjëve, ëndrra hegjemoniste ruse është të shtrihet në rikthimin e dominimit në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik dhe rikthimin e ndikimit në Ballkan. Për Serbinë dhe Rusinë, faza finale e dialogut është një betejë e re gjeopolitike, që ka të bëjë me territore, me dominim, me nostalgjinë e humbjeve dhe traumave që patën pas përfundimit të luftës së ftohtë. Në fakt, Serbia ka bërë luftë gjeopolitike dhe jo bisedime paqësore me Kosovën si në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujes (1999), po ashtu edhe në bisedimet e Vjenës për statusin e Kosovës (2006-2007).

Lufta gjeopolitike e Serbisë e zhvilluar në bisedimet paqësore në Rambuje u tregua me faktin se Serbia, nën ndikimin rus, nuk pranoi të bëjë marrëveshje pikërisht për arsye gjeopolitike. Në Konferencën e Rambujesë edhe Serbia edhe Rusia ishin pro pjesës politike të Marrëveshjes, por jo edhe pjesës ushtarake, pra ishin kundër vendosjes së NATO-s në Kosovë në mbrojtje të Kosovës. Madje Rusia nënshkroi pjesën politike, por jo edhe ushtarake të Marrëveshjes së Rambujesë.

Vendosja e NATO-s në Kosovë më 1999 ndryshoi hartën gjeopolitike të Ballkanit sepse ajo hyri përfundimisht në sferën gjeopolitike perëndimore. Kosova dhe fitorja historike e saj ishte nismëtare e këtyre ndryshimeve gjeopolitike. Pas vitit 1999 u bë anëtarësimi i njëpasnjëshëm i vendeve të Ballkanit në NATO, të Sllovenisë, Shqipërisë, Kroacisë dhe, së fundi, i Malit të Zi. ShBA-ja dhe Gjermania, si bashkëthemeluese të NATO-së dhe vetë NATO-ja, me strategji vendosën rrypinë e NATO-s përgjatë bregut të Detit Adriatik, duke ia prerë rrugën Rusisë për një qasje gjeostrategjike drejt detit Mesdhe. Jo rastësisht ndodhi përpjekja për atentat ndaj kreut të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ishte përpjekja e dëshpëruar ruse që ta pengojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.