SHPËRNDAJE

Një ushtar serb ka marrë pjesë në Betejën e Koshares ka thënë se gjatë kohës sa zgjatën luftimet në këtë zonë, ai personalisht ka hedhur  afro 45 mijë mina (predha) në drejtim të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Mesatarisht në ditë i kam hedhur nga 1 mijë e 200 deri në 1 mijë e 300 ose 1 mijë e 400 mina” thotë Dragan Kamenov, ish komandanti i togut minahedhës të brigadës së 2-të të motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, të dhëna këto për dokumentarin ‘Rrëfime lufte nga Kosharja’ të punuar nga televizioni shtetëror serb RTS dhe Zastava Film nga Beogradi.

“Për aq sa më kujtohet, besoj që personalisht i kam hedhur nga 40 mijë deri në 45 mijë mina (predha)”,thotë tutje ai.

Ndryshe serbët detyroheshin të shfrytëzonin minahedhësit pasi që në luftime direkte, me armë tjera, nuk kishin mundësi për t’u përballur me UÇK-në.

Kamenov pranoi se për shkak të kësaj situate, gjatë gjithë kohës dikush nga ushtarët serbë ka kërkuar ndihmë prej togut të tij.

“Gjithmonë ndodhte diçka, kështu që mua më duhej të veproj dhe t’u ndihmojë 24 orë pandërprerë”, ka shtuar ai.

Në këtë dokumentar, ushtarët serbë pranojnë se patën humbje të shumta nga UÇK-ja, ndërsa tregojnë se edhe dëmet që ata ua shkaktuan pjesëtarëve të UÇK-së ishin kryesisht falë shfrytëzimit të minahedhësve.