SHPËRNDAJE

Opinionisti Dardan Islami ka folur për idenë e ‘shkëmbimit të territoreve’ duke treguar se si sipas tij, kjo ide është jetësuar.

“Ideja nuk ka lindur prej një njeriu – ideja e ndarjes dhe këmbimit të territoreve nuk ka ardhur nga një njeri, ka shumë burime”.

“Ajo erdhi në jetë falë lobimit të kompanive të Serbisë, të gjithë këta njerëz kanë shkrirë mendjen se si të arrijmë një marrëveshje të mundshme”.

“Këto kompani kanë arritur t’i bashkërendisin dhe deri këtu shohim një punë të mirë. A është rrezik? Është gjithmonë rrezik sepse nëse SHBA dhe Rusia kanë telashe mes vete, ne mund të harrohemi dhe largohemi nga agjenda”.

“Nëse jemi në agjendë atëherë duhet shfrytëzuar këtë moment. Mundi i Hashim Thaçit dhe mundi i Aleksandar Vuçiqit për të arritur deri këtu, mendoj se do të jenë të rezervuar dhe nuk do ta djegin lojën”.

Islami që ishte i ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës duke folur për këtë çështje, ka deklaruar se “presidenti Hashim Thaçi na ka sjellë para aktit të kryer”.

“Nëse kemi po prej Washingtonit, Londrës, Francës, Turqisë, Moskës – mendoj se kjo është një po. Çfarë fshihet në detaje, nuk e di”.

“Kjo betejë nuk është për territore, fshatra dhe as për njerëz. Këtu po ‘luftohet’ për miniera, dhe për hisen e Serbisë në Kosovë – që ne mund të diskutojmë a ka dhe sa ka, por Serbia në tavolinë e ka ofertën për hisen e vet”.

Islami ka thënë se vetë nuk është kundër një ideje të tillë, pra për idenë e korrigjimit të kufijve.

“Unë personalisht nuk kam problem me këtë marrëveshje ose një tjetër, derisa palët [Kosova dhe Serbia] janë në rregull. Kështu thotë Amerika, Rusia, kështu them edhe unë”.

“Në këtë hallakamë, nuk ka askush interes të merret me Kosovën – është momenti i fundit, duhet ta shfrytëzojmë këtë tren ose të rrimë në ‘status-qou’”.

“Ky është një plan të cilin Hashim Thaçi vetë nuk e ka bërë, e ka bërë me Aleksandar Vuçiqin, e ka bërë me “msit”, është punuar që shtatë vjet”.

“Presidenti Thaçi ka qëndruar tërë kohën. Nuk është rastësi që Thaçi është aty, kush e votoi dhe pse e mbajtën në lojë”.

“Pa Rusinë, as Grupi i Kontaktit nuk ka funksionuar – rezoluta 1244, gjegjësisht hyrja e Kombeve të Bashkuara në Kosovë do të thotë ndarje”.

“Nëse shpëtojmë pa ndarje por me këmbim, jemi kogja fitues se ndarje gjithsesi–më e keqe është ndarja, dhe kur ti fillon ta injorosh dhe nuk do marrëveshje, atëherë komuniteti serb ndahet dhe ti nuk mund t’i dërgosh atje ushtrinë”.

“Mendoj se presidenti Hashim Thaçi po e kërkon idenë më të mirë, diçka të qëndrueshme”.