SHPËRNDAJE

Ndërkombëtarët duket se kanë filluar të izolojnë opozitën. Muajt e fundit si Partia Demokratike ashtu dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë sulmuar shumë fort ambasadorët Donald Lu dhe Vlahutin. Por të tilla sulme duket se kanë ngjallur pakënaqësi në Bruksel dhe Uashington. SHBA e tregoi në protestën e opozitës, kur nuk pasqyroi fjalën e Monika Kryemadhit. Ndërsa Brukseli ka treguar dje se nuk është i kënaqur me opozitën shqiptare. Dëshmia u dha nga kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, i cili zhvilloi një vizitë dy ditore në Tiranë dhe ajo që ra në sy është se ai nuk pati asnjë takim me liderët e opozitës Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Gazeta e tha që të dielën se në axhendën e tij nuk përfshihej fare Basha, por mësohet se PD loboi fort për një takim me të, gjë që nuk u realizua. Basha u kënaq vetëm me një takim me komisionerin Johanes Hahn, por që u duk qartë se ishte një takim për të mos treguar hapur se Brukseli e ka shpallur “non grata” PD. Juncker pati takim me Ramën të dielën, ndërsa dje u takua dhe me Presidentin Ilir Meta, por nuk preferoi të takonte liderët e PD dhe LSI. Por teksa Basha arriti të shkëpuste një bisedë shumë të shkurtër me Hahn, nga ana e LSI nuk pati asnjë lëvizje. Kjo tregon se opozita tashmë është në luftë me ndërkombëtarët dhe kjo vjen pas sulmeve të vazhdueshme ndaj ambasadorëve. PD e LSI çdo ditë kanë sulmuar ambasadoren Vlahutin, si përmes deklaratave nga deputetët, ashtu edhe përmes medieve pranë tyre. Që të dielën Juncker u dha një mesazh, pasi i puthi dorën ambasadores, duke treguar qartë se ajo gëzon mbështetjen e KE. Por vendimi për të mos takuar asnjë përfaqësues të opozitës, tregon qartë se PD dhe LSI janë në luftë me Brukselin, i cili gjithmonë ka kërkuar që palët të dialogojnë dhe të mos ketë pengesa për luftën ndaj korrupsionit dhe vetingut.

Basha takon Hahn

Bashkë me kreun e KE, JeanClaude Juncker në Tiranë erdhi dhe eurokomisioneri Johanes Hahn, i cili po e shoqëron në turin ballkanik. Por dje ai ishte i vetmi që takoi Lulzim Bashën. Gjatë paradites Hahn u pa në selinë blu dhe pati një takim të shkurtër me Bashën. Por ky takim më shumë duket se u bë sa për “sy e faqe”, pasi nëse dhe ai nuk do e kishte takuar Bashën, atëherë tregohej hapur se Brukseli nuk e do liderin demokrat. Sipas burimeve ky takim ka ardhur pas këmbënguljes së PD. “Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se opozita beson se hapja e negociatave do të ofrojë një mekanizëm të fortë dhe të pavarur për monitorimin e nivelit të demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të cilësisë së qeverisjes në Shqipëri. Basha siguroi Komisionerin Hahn për vazhdimin e angazhimit pa kompromis të opozitës për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, të zbatimit në mënyrë kushtetuese dhe të paanshme të reformës në drejtësi, si dhe plotësimin e kritereve të tjera për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Në takimin me komisionerin Hahn, Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se opozita është e vetëdijshme se vendet anëtare të Bashkimit Europian kërkojnë prova dhe rezultate konkrete dhe se Partia Demokratike do të luajë rol te rëndësishëm për arritjen e tyre”, thuhet në deklaratën e PD. Sipas saj, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shprehu Komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn mbështetjen e plotë të opozitës për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian./Kliti TOPALLI/Sot/