SHPËRNDAJE

Obama

Më të paguarit në SHBA janë mjekët dhe menaxherët, të parët fitojnë rreth 247 mijë dollarë në vit, ndërsa të dytët mbi 180 mijë dollarë.

Krahasuar me profesionet më të paguara presidenti amerikan nuk paguhet edhe aq shumë. Presidenti amerikan merr një rrogë 400 mijë dollarë në vit. Për shpenzimet ekstra, për të parashikohet në buxhet një shtesë prej 50 mijë dollarësh në vit.

Presidenti i parë, Xhorxh Uashington, paguhej 25 mijë dollarë në vit, kur mori detyrën në vitin 1789. Mund të duket fare pak, por nëse e llogarit me vlerën që dollari ka sot, rroga e tij përllogaritet rreth 600 mijë dollarë.

Që nga viti 1789, rroga e presidentit amerikan ka pësuar pesë herë rritje. Rritja më e fundit është ajo e miratuar në vitin 2001 nga Kongresi, kur u vendos dyfishimi i pagesës vjetore nga 200 mijë në 400 mijë dollarë.

Megjithatë, ajo që nuk duhet ngatërruar është termi rrogë dhe të ardhura. Nëse presidenti Obama paguhet 400 mijë dollarë në vit, në 2011-n, të ardhurat e tij vjetore ishin 790 mijë dollarë, falë investimeve dhe publikimit të librit të tij.

Si shumë punonjës dhe zyrtarë, edhe presidenti ka benefite shtesë në rrogën e tij. Ato përfshijnë transportin falas me limuzinën presidenciale, me mjetet e transportit ujor të “Marine One” dhe ato të transportit ajror “Air Force One”, si edhe strehimi pa kosto në Shtëpinë e Bardhë.

Një tjetër përfitim financiar shtrihet përtej përfundimit të mandatit presidencial. Edhe pas largimit nga posti, emri i presidentit amerikan mbetet në listën e pagave, çka do të thotë pension vjetor prej 200 mijë dollarësh, kujdes shëndetësor falas, udhëtime zyrtare të financuara nga shteti dhe një zyrë për të cilën nuk i duhet të paguajë.