SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiq, gjatë qëndrimit në Kosovë, ka thënë se presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq nuk duhet t’i lejohet të arrijë marrëveshjen për “demarkacionin” e kufirit me Kosovën, që do të thoshte njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, heqje dorë në mënyrë të pakthyeshme nga njëra prej shtyllave të identitetit kombëtar të Serbisë, si dhe krijimin e “Shqipërisë së Madhe” brenda një periudhe prej më së shumti 10 vjetësh.

“Miti i Kosovës dhe besëlidhja, përveç letrave tona dhe gjuhës, si dhe besimit ortodoks, janë ato që na bëjnë serbë. Kurse Vuçiqi po përgatitet që të na privojë përgjithmonë nga kjo. Kjo është kundër ligjit, Kushtetutës dhe standardeve etike dhe morale që na i lanë etërit tanë. Askush nuk e ka bërë këtë, që kur ekziston shteti serb”, ka thënë Jeremiq në bisedë me qytetarë dhe anëtarë të partisë së tij në Pasjan afër Gjilanit në Kosovë.

Siç thuhet në njoftimin e Partisë Popullore të Serbisë të cilin e përcjellin mediat serbe, Jeremiq ka thënë se pa nënshkrimin e Serbisë, Kosova nuk mund të fitojë pavarësinë, dhe se “regjimi ‘progresiv’ në krye me Vuçiqin është i gatshëm ta nënshkruajë një marrëveshje të tillë, në mënyrë që të vazhdojë pushtetin e tij me plaçkitje të përmasave të mëdha, me dhunë dhe lidhjen me krimin e organizuar”.

“Është gabim të mendohet se më lehtë do ta shkarkojmë dhe se ndërkombëtarët do ta lëshojnë teposhtë nëse e njeh Kosovën. Përkundrazi, në këtë rast, nga të huajt do të marrë leje të bëjë çfarë të dojë në Serbi, të paktën edhe tri – katër vjet, nderisa të mos ‘flejë’pluhuri që ka të bëjë me njohjen. Ai mund të bjerë nga pushteti vetëm për çështjen e Kosovës, sepse kjo është e vetmja çështje për të cilën është e interesuar bashkësia ndërkombëtare, e cila në këtë moment edhe po ia mban anën”, tha Jeremiq.

Ish shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, i cili gjithashtu ishte president i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, paralajmëroi se një Kosovë e pavarur do të thoshte krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, më së largu për 10 vjet, për shkak se Shqipërinë dhe Kosovën, si anëtare me të drejta të plota në OKB, asnjë akt i së drejtës ndërkombëtare, as veto në OKB nuk do të mund t’i pengojë të bashkohen.

Jeremiq theksoi se Partia Popullore kundërshton çdo marrëveshje që do të nënkuptonte ndryshim të kufijve të Serbisë.

“Partia Popullore është kundër çdo konflikt në Kosovë, pra edhe atij të ngrirë, por para çfarëdo diskutimi lidhur me statusin ligjor ndërkombëtar, është e nevojshme një marrëveshje për normalizimin e kushteve të jetesës në Kosovë “, tha Jeremiq.

Në takim me Jeremiqin, qytetarët thanë se “janë kundër demarkacionit dhe se serbët gjithnjë e më shumë, pavarësisht nga bllokada e plotë e medias dhe propagandës së regjimit, po e kuptojë se ai kjo në fakt do të thotë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, dhe vunë në dukje se nuk duan të jetojnë në një vend kapitali i së cilës do të jetë Tirana”.

Jeremiq tha se në Kosovë nuk ka ardhur të premtojë të pamundurën dhe të mbledhë poenë politikë me një populizëm të lirë.