SHPËRNDAJE

Juventusi është treguar i fortë për Milanin duke e mposhtur para tifozëve në San Siro me rezultat 2-0.

Rossonerët bënë paraqitje të mirë në pjesën e parë duke e mbajtur vazhdimisht të angazhuar Buffonin, por nuk arritën që ta mposhtin kapitenin bardhezi.

Nga ana tjetër, mysafirët nuk ishin bindës në pjeswn e parë dhe performanca e tyre nuk ishte e zakonshmja, megjithatë para se të shkonin në pushim, ata krijuan epërsi.

Falë angazhimit të Marchisios dhe Tevezit, topi shkoi te Lichtsteiner që harkoi te Fernando Llorente dhe sulmuesi spanjoll shënoi për epërsinë e Bianconerëve (44’).

Në gjysmën e dytë, Carlos Tevez shënoi një gol të bukur me një goditje nga distanca (68’). Ky ishte goli i 15-të sezonal i argjentinasit në Serie A dhe ka marrë kreun në listën e golashënuesve.

Goli i dytë i Bianconerëve zbehu edhe motivin e lojtarëve vendas për t’u përpjekur që ta kthenin lojën në favorin e tyre.

Juventusi është forcuar edhe më shumë në krye të tabelës me 11 pikë më shumë se përcjellësi i parë, Roma (që ka një ndeshje më pak të zhvilluar).

Milani pozicionohet në vend të dhjetë me 35 pikë të grumbulluara pas 26 javësh.