SHPËRNDAJE

Pa asnjë votë kundër e pa kundërkandidat, Kadri Veseli është zgjedhur edhe për një mandat kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila sot ka mbajtur Konventën e nëntë zgjedhore.

Votimi për të parin e PDK-së është vendosur të jetë i hapur, ku delegatët kanë pasur mundësinë të votojnë për, kundër dhe të abstenojnë, por kur është vendosur të votohet të gjithë delegatët kanë votuar që Kadri Veseli të jetë kryetar i PDK-së.

Në fjalën përshëndetëse pas rizgjedhjes kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kryetari Veseli shprehu mirënjohjen për besimin që i dhanë për drejtimin e partisë duke thënë se këtë besim do e shpërblejë me punë me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë.

Ai tha se e di mirë se çfarë pret anëtarësia prej tij duke theksuar se “Ju kërkoni që në PDK të mos ketë dilema, mos të ketë paqartësi, mos të ketë abuzime. Por të ketë drejtim të qartë për vendin, për partinë, për kombin, në mënyrë që të ecim përpara”.

Lideri i PDK-së po ashtu tha se të gjithë kanë dhënë shumë mund, për të ardhur deri këtu. Për këtë arsye, ai u zotua se nuk do të lejoj askënd që ta pengojë Kosovën që të ecë përpara apo që të bëhet një shtet demokratik i mundësive të barabarta dhe i sundimit të ligjit.

Sipas tij, Kosova ka vetëm një të ardhme përpara, të mbështetur në një vizion të lirisë dhe të përkatësisë perëndimore.

Po ashtu, ai vuri në dukje se procesi i zgjedhjeve të brendshme të PDK-së ishte një garë e hapur, transparente dhe gjithëpërfshirëse duke dëshmuar një standard të lartë demokratik. Prandaj ftoi kolegët e partive të tjera rivale që të marrin shembull nga modeli i PDK-së në proceset e tyre të brendshme zgjedhore.

Zgjedhja e Veselit kishte ardhur pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i kreut të PDK-së, pasi ky i fundit ishte zgjedhur president i vendit.